Petrit Zenelhoxha lindi në Elbasan në janar të vitit 1914.

Petrit-Zenelhoxha

Petrit-Zenelhoxha

Në vitin 1934, përfundon Liceun Kombëtar në  Korçë.

Në përfundim të mësimeve, përfitoi bursë për studime në Francë në degën veterinari. Gjatë studimeve në shkollën e lartë veterinare,  në Akademinë e Parisit dallohet si student me rezultate të larta dhe merr gradën Doktor Veteriner.

Në Francë qëndroi deri në vitin l941. Jetoi dhe punoi në lagjen e studentëve “Quartier Latin”. Punoi në afersi të Parisit në  “Alfort”, atje ku gjendej dhe Shkolla e Lartë e Veterinarisë, për të sigurur jetën  dhe për të paguar shpenzimet e shkollës.

Foto e vitit 1938, në Paris - Francë. Studenti elbasanas Petrit Zenel Hoxha,(i dyti djathtas i përkulur) bashkë me studentë francezë

Foto e vitit 1938, në Paris – Francë. Studenti elbasanas Petrit Zenel Hoxha,(i dyti djathtas i përkulur) bashkë me studentë francezë

Në vitin 1941, pasi përfundoi studimet në Francë u kthye në atdhe. Në flllim është caktuar të punojë në Laboratorin Bakterologjik Veterinar të Tiranës, institucioni i vetëm i rëndësishëm në vend. Në këtë laborator punoi një vit, pastaj Ministria e Bujqësisë dhe e Pyjeve e cakton veteriner për Qarkun e Pejës.

Në Pejë shërben nga marsi i vitit 1942 deri në maj të vitit 1943. Gjatë kësaj periudhe ka qenë pjesë e grupit antifashist. Në Kosovë është lidhur përsëri me grupet antifashiste, në të cilat qenë anëtare dhe gruaja e tij me origjinë malazeze dhe vëllai i saj, që më pas u internua në Itali. Familja e tij në Elbasan, ka qenë bazë e Luftës Antifashiste.

Çlirimi i vendit e gjeti në Tiranë, ku vazhdoi të punojë përkohësisht si veteriner qarku. Nga shkurti i vitit 1945 deri në qershor të vitit 1946, shërben si veteriner Qarku në Shkodër. Që këtu Ministria e Bujqësisë e dërgon në Kosovë (Prishtinë, Prizren), ku drejtoi një kurs në gjuhën shqipe për përgatitjen e infermierëve veterinerë shqiptarë (korrik 1946 deri qershor të vitit 1947).

Në korrik të vitit 1947, Dr. Petriti  kthehet në Shkodër si drejtues i Qendrës së Studimeve Zooteknike, pozicion të cilin e mbajti deri në Qershor të vitit 1948. Nga ky vit e mbrapa ai punon si veteriner Qarku në Durrës dhe Elbasan.

Nga viti 1951 deri në vitin 1958 shërben në reparte të ndryshme të Ushtrisë. Në vitin 1958 del në lirim si invalid dhe caktohet veteriner lokaliteti në Elbasan.

Në dhjetor të vitit 1963, është dënuar për agjitacion e prapagandë, me 12 vjet heqje lirie.

Në kampe ka ushtruar profesionin e veterinerit.  Në kampin e Lezhës për një periudhë 4 vjeçare ka shërbyer si veteriner i fermës në Shëngjin, Balldre, Gjadër, etj.

Pas përfundimit të dënimit caktohet me punë në Kooperativën Bujqësore Bradashesh si brigadier në një sektor gjedhi (lopësh).

Në asnjë dokument të dënimit të tij nuk ka vendim për heqje të profesionit.
Dr. Petrit Hoxha vdiq më 25 mars të vitit 1991, duke lënë pas tre fëmijë, nga martesa me malazezen Ilinka, Agimin, Tatianën dhe Dragon.