123Para pak vitesh, shkollës 9-vjeçare të fshatit Shelcan që ndodhet në hyrje të malësisë së Shpatit në Elbasan ia ndërruan emrin, e riemëruan. Në fillesë të saj ajo kishte emrin “Spiro Sinani”, ndërsa tani mban emrin “Jonuz Topuzi”. U bëra kureshtar të dija fillimisht se çfarë ka qenë dhe çfarë ka bërë Spiro Sinani për arsimin e zonës së Shpatit. Po kështu, u interesova se kush ka qenë Jonuz Topuzi dhe çfarë meritash ka më shumë ky në krahasim me Spiro Sinanin. Pasi bisedova me banorë dhe arsimtarë të zonës, mësova se Spiro Sinani ka qenë një bir i devotshëm i kësaj krahine që ka dhënë jetën për çlirimin e vendit nga pushtuesit italo-gjermanë, por që nuk ka pasur lidhje me arsimin. Sidoqoftë, ia vlen të nderohet sepse ka falur jetën për atdheun, sepse dihet që jeta është pasuria më e shtrenjtë, e papërsëritshme dhe e pazëvendsueshme e një njeriu. Ndërsa Jonuz Topuzi, i mbiquajtur Qorr Topuzi, është edhe më interesant. I panjohur më parë ai bëhet personazh i historisë së Elbasanit sepse ishte pikërisht ky që vrau Kup Çaushin. Ngjarja në fjalë ka të bëjë me aktivitetin patriotik të popullit tonë gjatë Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në vitin 1878, si ngjarja më madhore politiko-ushtarake që shqiptarët kanë realizuar ndonjë herë për mbrojtjen e vendit. Kështu, në prill të vitit 1881 arrestohet pabesisht në Elbasan Abdyl bej Frashëri, një nga drejtuesit kryesorë të Lidhjes. Gjatë ecejakeve të tij të shumta për të bashkërenduar punët e Lidhjes, Abdyl bej Frashëri komunikonte me komandantët vendorë në të gjitha krahinat e vendit, veçanërisht me krerët e Jugut. Sipas ngjarjes, ai ishte duke u larguar nga Elbasani për në katundin Bejllëk (Belik) afër Cërrikut. Ndalimin e tij e kreu një oficer vendas i ushtrisë turke i quajtur Jakup Çaushi. Ai e mashtroi Abdylin bej Frashërin pikërisht në breg të Shkumbinit, në fshatin Bugjes dhe e dërgoi në Elbasan ku e burgosën. Për të shlyer këtë tradhëti që i ngeli Elbasanit në derë, thuhet se pas pak vitesh Kup Çaushi u vra nga Qorr Topuzi  “…..kur po dilte nji mëngjes nga shtëpia për me shkue në detyrë”. (Lidhja e Prizrenit, autor Xhaferr Belegu, qershuer 1939, botim i “Kristo Luarasi”, fq.189-190). (Thuhet se ka qenë pikërisht Aqif Pashë Elbasani ai që porositi dhe pagoi me flori për vrasjen e Kup Çaushit).     Për këtë ngjarje populli thuri edhe një kangë në të cilën thuhet:   “M’u ke muri ke Namazgjaja, plasi pushka, u trondit kasabaja. M’u ke muri ke dyqani, plasi pushka, u trondit Elbasani.   Na qe’ka vra Jakup çaushi, nga dy trima shpatarakë. Çuni i Qoftes (Kamer Qoftja) shoq Jonuz Topuzin, me mauzerka qëllu’n n’kasaba.   Kush e vrau bylykbashin, Jonuz Topuzi trim i thatë. Kupin e Shehut shitur ke Sulltani, Jonuz Topuzi e vrau n’mes t’Elbasanit. (mbledhur nga i ndjeri Josif Dhimitër Panxhi)   Kështu pra, e gjithë kjo histori pavarsisht sfondit patriotik, në të dy rastet ka të bëjë me ….vrasje dhe jo me shkollën. Vetëtimthi m’u rrotulluan mendimet dhe thashë me vete: nuk paska pasur gjithë kjo krahinë atdhetare një burrë të shkolluar dhe me aktivitet në arsim për të nderuar shkollën 9-vjeçare të fshatit Shelcan me emrin e tij? Po,  ka. Janë shumë si Dule Dervishi, Kodhel Dedja, Petër Elezi etj. Petër Elezi është pikërisht nga fshati Shelcan që po diskutohet për emrin e shkollës së mësipërme dhe për mua ai është biri më dinjitoz që malësia e Shpatit ka nxjerrë përgjatë gjithë shekullit XX. Ai i kushtoi tërë jetën gjuhës shqipe si mësues, studiues dhe hulumtues i saj. Ishte Normalist dhe ende pa mbaruar shkollën përkrahu  lëvizjen politike të Fan Nolit në qershor të vitit 1924, më pas nis jetën e mësuesit në fshatrat e Elbasanit, Himarës, Vlorës, Delvinës, Matit, Dibrës, si dhe në trojet shqiptare në Maqedoni gjatë Luftës -II- Botërore. Pas lufte kthehet në Tiranë dhe për pak vite  u burgos nga diktatura komuniste me akuza absurde, mësues i gjuhës shqipe në shkollën pedagogjike të femrave, në politeknikumin mjeksor etj. Krahas mësimdhënies, Petër Elezi ka kontribute të padiskutueshme edhe në lëvrimin e shqipes, veçanërisht për morfologjinë shqipe. Përgatiti Gramatikën e gjuhës shqipe për shkollat 8-vjeçare, morfologji II për klasat e V pjesa I, klasa VI pjesa II, klasifikimi foljor në zgjedhimin e foljeve të parregullta, Ushtrime gjuhësore, Gramatika e gjuhës shqipe për zonat minoritare,  Planet e mësimit të gjuhës, Libër ndihmës për mësuesit e gjuhës shqipe. Ka botuar kangë të ndryshme popullore, mbledhës i kujdeshëm  i folklorit mbi përrallat dhe gjëzat, leksikut dhe i frazeologjisë dialektikore, si dhe i fjalëve e shprehjeve të rralla nga të gjitha krahinat ku punoi. Petër Elezi punoi si autodidakt pothuajse 40 vjet për hartimin e një fjalori të gjuhës shqipe të cilin nuk ia botuan kurrë. Ai ishte një yll me mjaft vlerë në kostelacionin elbasanas të gjuhësisë shqipe. Petër Elezi ishte mik, koleg dhe bashkëpuntor i elbasanasve mëndjendritur si Aleksandër Xhuvani, Kostaq Cipo, Mahir Domi, Lirak Dodbiba, Pavli Haxhillazi etj. etj. Ndonëse u martua, fati nuk e gëzoi me fëmijë Petër Elezin, por megjithëse punoi e jetoi larg, ai nuk e harroi kurrë Elbasanin dhe fshatin e tij të dashur Shelcan. Ai la amanet mikut dhe kolegut të tij elbasanas Kamer Xherija që kur të vdesë ta varrosin atje, në Shelcan, ku edhe prehet aktualisht. Gjithë kjo punë kolosale në lëmin e arsimit shqip, e bën Petër Elezin të nderuar dhe të paharruar. Ndërsa ne duhet të ndjehemi krenarë për të. A nuk meriton një emër shkolle ky personalitet….? Kur do të fillojmë të kujtohemi se duhet “t’u gremë përmendore” të urtëve me libra në prehër që japin gjithçka dhe nuk kërkojnë asgjë?   Në vend të pasthënies: “Shqiptari  ka prapa një traditë mijëvjeçare kapadaillëku dhe dhune, ndaj dhe heronjtë e udhëheqësit e tij nuk mund t’i përfytyrojë ndryshe, veçse të pajisur me këto veti. Këngë nuk u këndon mendjelartëve, shpirtmirëve, zemërdhembshurve, por mburr hakmarrësin, trimin, të pamëshirshmin, të dhunshmin dhe intrigantin”. (Eqerem bej Vlora, Kujtime, vëllimi -I-, fq.44).