Nga: Hyqmet Zane

Familjet e nderuara të Elbasanit kanë lënë pasuri të madhe me trashëgimtarët e tyre që u bënë potenciale në jetën e tyre. Por disa prej këtyre familjeve nxorrën edhe shkencëtarë siç është rasti i Kolë Petër Deliana.

Në trungun e madh të familjes Deliana ishte edhe Petër Deliana, i cili kishte dy motra. Motra e madhe e tij ishte e martuar ne familjen Xhufka, një ndër familjet tregtare më të pasura të lagjjes ”Kala”, por bashkëshorti i saj vdiq shpejt.

Petri kreu studimet e larta universitare për mjekësi në Athinë, aty nga fundi i shekullit XIX. Shërbeu si mjek dhe kishte autoritet në lagjjen ”Kala”.

Gjatë Luftës së Parë Botërore, një nga ushtritë e merr si mjek dhe në shërbim ai infektohet nga tifoja dhe vdes në Ohër. La pasardhës Nikollaqin (Kolën), i cili u rrit në familjen Deliana.

Kola mbaroi ”Harry Fultz”-in nëTiranë dhe vazhdoi studimet e larta për kimi dhe farmaci në Itali. Studimet i mbaroi gjatë pushtimit italian dhe vazhdoi si pedagog në Universitetin e Kamerinos.

Ai u bë një ndër kimistët më të shquar të kohës. Ishte një ndër specialistët më të mirë në Montekatini, ku mundi të krijojë 27 patenta të bojërave të ndryshme për industrinë tekstile, etj.

Rreth viteve 1967 – 1970, i bënë thirrje të vinte në Shqipëri, të jepte eksperiencën e tij, njëkohësisht të ishte si pedagog i jashtëm në Fakultetin e Shkencave të Natyrës. Këtë kërkesë ai e refuzoi, sepse mbante sekretin e patentave të Montekatinit. U shqua si kimistdhe farmacit atje ku punoi.

La si trashëgimtarë të tij, vajzën Donika.