Qoshja

Pazari i vjetër i Elbasanit ndodhej jashtë kalasë dhe shtrihej në fushën përpara. Ai përfshinte Qoshen, (rreth-rrotullimi “1 Maj”), krejt anën jugore të Kalasë, Sheshin e Bezistanit dhe Sheshin e Tabakëve (përmendorja e Kristoforidhit). Ky pazar ka qenë një kompleks i rëndësishëm i jetës ekonomiko-shoqërore të banorëve të qytetit, fshatrave e zonave përreth Elbasanit. Pazari zinte një sipërfaqe afërsisht sa territori i brendshëm i kalasë, pra dhjetë hektare, me dyqane të shumta që ishin ndërtuar prej kohësh të vjetra dhe ku puna niste që në agun e ditës. Nga Qoshja drejt jugut ishte xhamija e Agait dhe vijonte rruga e hasraxhinjve (lloj shtrese me kallamishte të holla), e cila përfundonte në tregun e shtamaxhinjve (poçarët). Këta të fundit zinin gjithë hapsirën ku sot ndodhen ndërtesat e BKT dhe PTT për t’u mbyllur në perëndim në vendin e quajtur Tri Urat ose sheshi përpara pallatit të sportit. Ata prodhonin dhe tregtonin enë të ndryshme prej balte të pjekur si tava për amvisat elbasanase që gatuanin gjellëra të mrekullueshme, bucela, katruve dhe shtama për ujë, vorbe për gatim, qypa për ullinjtë e regjur, ibrikë, voza, xhama (një lloj tave e thellë) etj. Kupat, qypat edhe xhamat smaltoheshin nga brenda.

Në qendër të Qoshes ka qenë ndërtuar një hauz i madh rrethor guri, me një çurg uji, që u shërbente njerëzve dhe kafshëve të karvaneve. Në të kthyer për nga perëndimi i Qoshes, ndodheshin hanet e Karakyzes dhe Vërçanit.

Tregti e madhe bëhej ke Qoshja, ndërsa ke Tabakët veç tregtisë, kishte edhe ambjente pushimi e dëfrimi si, mejhane, kahve etj. Për nga veçantia e punës dhe jetës që bëhej tek këto dy tregje, ende sot të vjetrit kujtojnë një shprehje kuptimplote: “Qari (fitimi) n’Qoshet, qejfi n’Tabaket”.

 

Përgjatë gjithë murit jugor të Kalasë ishin ngritur dhjetra dyqane të cilët u sheshuan në kohën e Monarkisë, pas një urdhëri për ekspozimin e vlerave muzeale të saj. Oborrin e pasëm të këtyre dyqaneve e deri tek muri i Kalasë, pronarët e tyre e shfrytëzonin si bahçe për të mbjellë perime, lule etj.

 

Bezistani

Sheshi i Bezistanit zinte të gjithë hapsirën përreth Rrapit dhe ishte me të vërtetë një kombinim  rrugicash e dyqanesh të shumtë, të ngushtë e të ngjeshur njëri pas tjetrit ku tregtohej çdo lloj malli vendas apo i huaj. Në perëndim të Bezistanit ishte tregu i drithnave, xhamija e Pazarit dhe pak më në jug ishte tregu i Reneve (bakërxhinjtë), si dhe tregu i Leshnave (sot hotel “Skampa”). Pranë tregut të leshnave ndodhej Tyrbja e Zyri Efendiut. Sheshi i Bezistanit mbyllej në perëndim me Hamamin e Shabanajt (banjo allaturka me avull për burra) i cili ekziston edhe sot (Mon. Kulture).

Në qendër të Sheshit të Bezistanit ndodhet edhe sot si një dëshmi e vjetër shatërvani rrethor me hauzin e ndërtuar me pllaka guri, që mbushej me ujë nga një çurg i vendosur në një kolonë të rrumbullakët guri, ku njerëzia pasi freskoheshin me ujin e ftohtë, shlodheshin nën hijen e Rrapit të Bezistanit (Mon. Kulture) që ndodhet aty si dëshmi e gjallë e një të kaluare plot nostalgji. Në jug të Bezistanit ishin hanet e Haxhi Sinanit e të Cem Jahos, sheshi dhe xhamija e rrënuar e Idrajt, e pak më në jug ishte rruga “Kamo Sejdin” (sot rruga midis godinave të Prefekturës dhe BKT).

 

Tabakët

Por, pjesa më me gjallëri e pazarit të vjetër të Elbasanit ka qenë Sheshi i Tabakëve. Edhe këtu, në qendër të tij ndodhej një tjetër hauz prej guri me dy çurgje uji që mbushnin basenin e rrumbullakët e të thellë rreth 70 cm. Në këtë shesh ku kryqëzoheshin disa rrugë me dyqane të shumta, qëndronte si simbol i vjetërsisë dhe i madhështisë së pazarit, rrapi i Tabakëve dhe pusi shekullor. Po aty pranë ishte Xhamija e Tabakëve, Teqja e sektit Halveti, si dhe dyqanet e bakejve, furrat e pjekjes, Qoshku i Tabakëve dhe 6 hanet kryesore të Elbasanit (hanet e Xhafë Bylykut, Dalip Xhanit, Musa Biçokut, Xhafë Sejdinit, Muç Fagut etj).

Në këtë pjesë të pazarit që kishte lëvizje të madhe tregtare, çdo mëngjes pa aguar mirë dita dhe kur në horozontin ende të mugët shfaqej Ylli i Karvanit, nga hanet dilnin karvanet me kafshë të Elbasanit, Tiranës, Durrësit, Kavajës etj. të ngarkuar me vaj, ullinj, lesh, lëkurë, prodhime artizanale dhe niseshin për në Korçë, Manastir, Dibër, …. Lëvizjet plot gjallëri të qeraxhinjve, hingëllimat e kuajve që shaloheshin dhe ngarkoheshin e përzier me tingujt e trokeve e të zileve, zëri çjerrës i kafexhinjve që servirnin ngado si dhe zhurma ritmike e sitave të furrxhinjve që përgatisnin miellin për simite me bugaçe, formonin simfoninë karakteristike të pazarit që zgjohej pa gdhirë e përgatitej për ditën e re.

 

I gjithë pazari i vjetër i Elbasanit përshkohej nga tetë rrugë të drejta të cilat ndërpriteshin nga degëzime të tjera dhe të gjitha bashkë piqeshin në sheshin përpara Xhamisë së Ballijes me minare plumbi. Rruga kryesore që lidhte sheshin e Tabakëve me Bezistanin ishte rruga e Saçmaxhinjve që fillonte tek dyqani Cen Bakallit (aty ku sot është porta veriore e teatrit “Skampa”), kishte një degëzim për tek xhamija e Ballijes dhe një degëzim tjetër tek Gryka e Mejhanes.

 

Në ditët e shtuna, pazari i vjetër i Elbasanit me fizionomi përgjithësisht orientale shndërrohej në spektakël mahnitës ku shumëllojshmëria e mallrave kombinohej natyrshëm me kostumet magjepëse kombëtare që vishnin fshatarët e zonave të ndryshme të cilët vinin për të bërë pazar. Nga malësitë zbrisnin fshatarët me karvane të ngarkuara plot e përplot dhe pazari furnizohej me mallra të ndryshëm. Kështu, nga Çermenika vinin dardhat, mollët, gështenjat, arrat, ftonjtë si dhe materiale druri për ndërtim;  nga Shpati e Sulova vinin bulmetrat;  nga Vërça vinin veç të tjerave edhe mjalti e pekmezi;  nga Gryka e Zaranikës vinin bulmeti, frutat, qymyr druri dhe në verë sillnin dëborë të ruajtur në gropa në natyrë që përdorej për prodhimin e akullores (dundurmâ–kajmak: turq.);  nga  Krraba sillnin duhanin, fiqtë perimet e sidomos rrushin e llojit të famshëm jabixhak (fshati Tërbaç);  nga Mokrra vinin fasulet, arrat rrushi e shumë lloje bulmetrash si djathi gjalpi, gjiza apo mjalti e leshi;  nga Dumreja që konsiderohej edhe hambari i Elbasanit vinte duhani, orizi, drithi, leshi, shpendët, vezët etj. Perimet dhe fasulet e malësisë së Shpatit, Labinotit-Mal dhe të Funarit janë ende të preferuara nga amvisat këtu. Ja si e përshkruan konsulli francez i Shkodrës Louis Hyacinthe Hecquard në vitin 1857 pazarin e Elbasanit: “…në këtë vend bëhej tregti e madhe edhe me leshnat, dyllin e lëkurët. Puna intensive këtu bëhet të shtunën, sidomos kur moti është i mirë. Që të premten shihen gjindja të kenë ardhur në qytet nga krahinat më të largëta”.

Karakteristike ishte se bujqit e fshatit Balëz tregtonin përveç perimeve aq të preferuara, edhe shumë lule natyrale si, disa varietete zymbylash, misirin disangjyrësh, menekshet, karakaftet….aroma e të cilave dukej sikur plotësonte këtë “mozaik hyjnor”.

Më herët E. Çelebiu, një ditë pazari në Elbasanin e viteve 1670 e përshkruan si më poshtë, “…tregu i Elbasanit ka 900 dyqane të rregullt e të bukur dhe krejt ndër hije. Saraçët, kazazët, dhe kujunxhinjtë (argjendarët) janë më tërheqës. Ka shtatë kafene të bukura ku mblidhen e bisedojnë dijetarët e vjershëtorët. Nga katundet, në ditët e pazarit, vijnë në treg vasha aq të bukura sa njeriu pandeh se ndodhet në mes të perrive të dheut. Me këtë stoli virgjëreshash, tregu i Elbasanit numërohet “Nusja e Shqipërisë dhe e Rumelisë”.

 

Njësi për peshëmatje për masa të vogla përdorej Oka e Stambollit apo Çeki që ishte e barabartë me 1282 gr,  Oka e Venedikut e barabartë me 450 derhem dhe Oka e Beratit e barabartë me 500 derhem e që quhej “Hak”. Gjithashtu përdorej edhe Barra për masa të mëdha e cila përmbante 2 çereke ose 80 kg. Kjo ishte edhe pesha me të cilën ngarkoheshin kafshët e transportit.

 

Ditë pushimi në këtë kohë ishte dita e premte ose e xhumâ pasi besimtarët myslimanë faleshin nëpër xhamitë përreth tregut. Vetëm në vitin 1925 u vendos me ligj që ditë pushimi do të jetë dita e dielë.

 

Aq i rëndësishëm ka qenë ky Pazar gjatë periudhës së fundit të Perandorisë Osmane sa që thuhej se luhatja e çmimeve këtu, trondiste bursën e Stambollit. Ky ishte pazari i vjetër i Elbasanit, i zejtarëve dhe tregtarëve të ndershëm elbasanas të cilët me përkushtim dhe punë të palodhur arritën të krijojnë norma dhe kode shërbimi që ruanin me shenjtëri çmimin, masën dhe matjen e mallit pa hile. Nga ky model tregtarësh dhe zejtarësh të ndershëm buroi edhe thënja e famshme: Elbasan-Pazar!

 

Mblodhi dhe përgatiti: B. Dylgjeri, Elbasan, prill 2016.