Në shek. XIV gadishulli Ballkanik sipas Tacü’t – Tevâ-rih (Kurora e Historisë) të Hoxha Saddedin Efendiut  ndahej në Arnavudluk (vendi i shqiptarëve) dhe Bosna – Bosnja, ku në këtë të fundit përfshiheshin edhe popullsitë sllave. Shqiptarët në këtë vepër janë regjistruar si kavim – komb dhe jo si millet – popull. Këtë e përforcon edhe gjeografi iranian Bitlis, i cili shënon se në gjysmën e parë të shek. XIV gadishulli Ballkanik ndahej në dy njësi gjeografike, në veri ndodhej Vilajeti i Bosnjës, kurse pjesa tjetër quhej Memleket-i Arnavut – Vendi i Shqiptarëve.

Por, pas pushtimit pothuajse të plotë osman në vitin 1506, përfundon edhe regjistrimi i pjesës më të madhe të territoreve ku banonin arbërit në Ballkan (ndonëse më herët osmanët kishin kryer disa regjistrime të përkohëshme në varësi të avancimeve pushtuese). Sipas këtij regjistrimi përfundimtar, hapsirat me popullsi etnikisht të pastër albanofone, si dhe zonat ku mbizotëronte elementi albanofon në krahasim me popullsitë e tjera, u organizuan prej osmanëve në katër Vilajete, me sipërfaqe të përgjithëshme rreth 100.000 km katrorë. Ishte regjistrim që bëhej për efekte të pagimit të taksave dhe sigurimit të nizamëve për ushtrinë osmane. Njëkohësisht ky është edhe regjistrimi i parë në periudhën e vonë mesjetare, i njohur deri më sot, i territorit dhe popullit prej nga rrjedhin ne, shqiptarët. Sidoqoftë edhe ky regjistrim me gjithë vlerat historike, duhet marrë me një farë rezerve, nëse kemi parasysh kushtet dhe mjetet teknike të kohës kur është kryer.

Pra, kjo sipërfaqe ku banonte popullsia arbërore u nda në katër njësi qendrore të mëdha e të quajtura vilajete:

 

1- Vilajeti i Kosovës me seli në Prishtinë,

2- Vilajeti i Shkodrës me seli në Shkodër,

3- Vilajeti i Janinës me seli në Janinë

4 -Vilajeti i Selanik/Manastirit ku bënte pjesë edhe Elbasani

al-teritori-koha-osmane

Ky i fundit quhej me dy emra për shkak të lëvizjeve të selisë nga njëri qytet në tjetrin dhe pikërisht në këtë vilajet ishte përfshirë edhe Elbasani, çka përbën interes për ne.

Për shkaqe administrative, nëndarjet e një Vilajeti osmanët i emëruan, Sanxhak, Kaza, Nahije dhe Karije (regjistrimet e viteve 1431-1432—-1466). Në këtë regjistër, qyteti (Elbasan) është cilësuar “sanxhak”, që është qendra më e madhe e populluar e një vilajeti, si dhe për të ekziston ende emri i vendbanimit të periudhës bizantine: Devalm. Me sa duket në vend të Skamp-ës së dikurshme figuron emri Devalm, të cilin biografi i Skënderbeut Marin Barleti, në botimin e veprës së tij 76 vjet më vonë (v. 1508), e quan Urbs Valmorum (qyteti i Valmeve). Emri Valm apo Devalm (për Elbasanin), ka qenë përdorur nga banorët edhe nga administrata gjatë pushtimit të mëhershëm bizantin. Emri Devalm apo Valm do të vazhdojë të përdoret në listat e peshkopëve deri në shek. XVI, siç del nga një dokument i vitit 1507.

(Fillimisht, sipas regjistrimit të përkohshëm osman të viseve shqiptare krahinat në veriperëndim të lumit Shkumbin formonin Vilajetin e Pavllo Kurtikut (Krraba), ndërsa krahinat në juglindje formonin Vilajetin e Çartallozit (Shpati)).

 

Krahinat e Librazhdit si, Sopoti, Çermenika, Mokra, por edhe Shëngjergji më tej, ishin nën sundimin e familjes së Arianitëve. Figurat më të shquara të kësaj dinastie princërore kanë qenë Gjergj Arianiti dhe nipi i tij Moisi Golemi. Gjergj Arianiti  (i cili ishte edhe vjehrri i Skënderbeut) njihet edhe me emrin Gjorg Golemi. Ndërsa Moisi Golemi sipas Barletit, i njohur edhe me mbiemrin Arianiti, ka lindur në qytetin e Valmeve (Moisi Golemi ishte biri i Muzakë Golem Arianitit, të vëllait të Gjergj Arianitit.

 

Zonat e përmendura më sipër, kanë qenë arena të betejave të përgjakshme kundër pushtuesve osmanë dhe në luftë kanë marrë pjesë edhe gratë. Nga krijimtaria popullore e mbërritur deri në ditët e sotme thuhet:

……………………….

Sopotare moj të ngrata,

rrokni thika e rrokni shpata,

a do rrojmë të luftojmë,

apo do ikim të shpëtojmë,

na do rrimë të luftojmë,

Gjorg Golemin s’e turpnojmë.”

   ………………………………..

Po kështu, sipas gojëdhënave del se luftime kundër osmanëve janë zhvilluar edhe në zonën e Shpatit ku shquhet kapedan Petroshi (?) me qendër në fshatin Mlizë, pak kilometra në jug të Elbasanit. Osmanët nuk qenë në gjendje t’i nënshtrojnë luftëtarët shpatarakë dhe u detyruan të bëjnë kompromis me kapedan Petroshin. Kjo del nga fjalët e Sulltan Mehmeti II -Fatih:  “Fet Olldü, fet ollmandü” që do të thotë “u zaptua, s’u zaptua”. Pas kësaj, osmanët u detyruan që t’i njohin një farë autonomie krahinës së Shpatit.

Në muajt prill-maj 1467 Skënderbeu e sulmon kalanë e Elbasanit, por pa mundur që ta pushtojë atë. (shih – Histori e Skënderbeut – të Fan Nolit ku thuhet: “…pastaj Skënderbeu e plaçkiti qytetin e Valmores dhe e bllokoi fortesën e re të Elbasanit…”).

Termin më të hershëm me të cilin është thirrur qyteti i Elbasanit me emrin e ri, pra Elbasan, e gjejmë në historinë e Markezit Gulielmo (?) shkruar në vitin 1519 nga sekretari i tij De Santogiorgio. Aty flitet për Kostandin Arianitin (?) ku thuhet: “Ai zotëron akoma një vend që tani thirret prej osmanëve Ijl-Basan…”, pra, 43 vjet pas themelimit të qytetit. Ndërkohë emri Skamp-a, që prej kohës së Perandorit Romak Justiniani (shek.VI e.s.) nuk përdoret më në administratën e kohës.

 

Për origjinën e Arianitëve historianët kanë shfaqur mendime të ndryshme. Në vitin 1981 u ngrit në qytetin e Lezhës, Memoriali i Besëlidhjes së Lezhës (2 mars 1444) dhe i varrit të supozuar të Skënderbeut. Në emblemat e ekspozuara të princërve shqiptarë pjesmarrës, për Gjergj Aranitin thuhet “Princi i Kaninës” (?).  Në të vërtetë kjo nuk qëndron. Studiuesi gjerman Franz Babinger në librin e tij “Fundi i Arianitëve” (Plejad 2004, fq. 17) shkruan:  “…Sipas çdo gjase, fisi i Aranitëve e ka prejardhjen nga Shqipëria e Mesme dhe me një farë sigurie mund të pohohet se Gjergj Araniti duhet të ketë qenë rreth viteve 1443 zot i Çermenikës, Mokrës dhe Shpatit”. Gjithashtu edhe studiuesi shqiptar Dh. Shuteriqi shkruan: ”Nuk ka të dhëna arkivale që të pohojnë se Aranitët kishin në zotërimin e tyre Vlorën dhe Kaninën”.

Mblodhi: B.Dylgjeri, Elbasan, Shkurt 2015.