Sa herë dal në rrugët e qytetit tim, nuk mund të mos ndjej një lloj bezdisjeje nga plehrat që na rrethojnë. Rrugët, madje edhe vetë bulevardi kryesor, janë të mbushura me letra, qese, lëvozhga fare, që të krijojnë një ndjesi jo të mirë. E ndjen sikur jeton në një qytet që nuk ka kujdesin e duhur dhe që kot ia paguajmë taksat. Por në fakt nuk është kjo që duket e vërteta. Këtë e kuptova kur fillova të dal nga parku për ecje në orët e para të mëngjesit.
Në rrugën kryesore sheh punëtoret me disa përparëse modeste, pa doreza, që mbledhin me dorë të gjitha letrat që gjenden të hedhura një ditë më parë. Me disa fshesa, që vetëm nga përdorimi mund t’i quash të tilla se pamjen e kanë “disa degë të lidhura”, fshijnë farat e bërë pirg afër stolave. Pastaj më markushin e gjatë, ujisin lulet dhe barin. Nëse mendon rastin e një të tillë pastruesi në një vend tjetër me një shkop të gjatë që si një pirun i kap letrat, këtë nuk mund ta bëjë dhe pastruesja jonë se janë aq shumë që nuk e ka këtë komoditet dhe i këputet kurrizi me ulje-ngritjet për të kapur çdo copëzë letre.
Edhe atje në park, i sheh se si fshijnë mes pluhurit gjethet e rëna në rrugicat me dhé, ku bari është zhdukur me kohë. Do më pëlqenin gjethet të ishin aty, por në pamundësi për të ndarë letrat, bishtat e cigareve shishet plastike nga gjethet, i bie më shkurt ashtu. E ti ecën më shpejt aty mes pluhurit, më një ndjenjë keqardhjeje për luksin që ke për t’u dobësuar ndryshe, e për t’u konsumuar ndryshe. Po sikur të pastroja një orë çdo ditë këto rrugë, do dobësohesha më shumë? Nuk do na bëntë keq pak ushtrim fizik, me lëvizje krahësh. Ja atë shishen aty e harroi pas dhe nuk e mori me të tjerat, po e marr unë e po e hedh në kosh. Pa shiko ai kamarieri i lokalit aty si e hodhi pa të keq më tutje në rrugë atë shishen plasitike, sikur të mjaftojë që e largoi nga hapësira e detyruar për të qenë e pastër. M’u kujtua ajo shprehja që thonim në fëmijëri “Le t’i bjeri kujt t’i bjeri, kokës sime mos t’i bjeri!” Ja kështu vazhdojmë akoma të kujdesemi për atë pjesë që e quajmë e jona. Po pse ku mbaron kjo pjesë? A nuk është i yni bulevardi kryesor ku shëtisim të gjithë? A nuk është i yni parku ku kalojmë kohën pasditeve apo bëjmë ecjet dhe vrapin? A nuk është e jona çdo pjesë e qytetit që shkelim dhe vërdallisemi?
Sa herë që shohim mbeturina në rrugë, bëjmë parimorin dhe tregojmë me gisht dikë tjetër. Unë kur pashë dikë të familjes që hodhi një paketë të mbaruar cigaresh pasi e bëri shuk, o thashë: “Ah, ti e bëke pis qytetin?” Tani e dija se kush hidhte letra në rrugë dhe i kërkoja llogari, por të gjithë nuk i gjej dot. Shikoni dhe ju cili afër jush ha fara dhe i hedh pa të keq poshtë, fshin duart dhe e hedh poshtë letrën, ha misër, molto, çibukë etj, dhe i hedh letrat poshtë, se të gjithë e bëjnë me kujdes dhe fshehurazi pa rënë në sy, e po t’u thuash gjë, të gërrmushen se nuk është punë që të takon madje e shohin si një problem që duhet zgjidh nga bashkia. Sigurisht që dhe ata kanë pjesën e tyre se duhet të ketë çdo 20 hapa një kosh, por nga ana tjetër, bëjeni edukatë dhe ruajeni pastër jo vetëm për veten, por edhe për ato gra që dalin me natë dhe pastrojnë këto rrugë. Nëse ne të gjithë do i ndihmojmë, e sigurtë që nuk do lodhen dhe aq me sheshet kryesore dhe do pastrojnë më me shije e nuk do nxitojnë me ujitjen që baltos dynjanë.
Vetëm duke ecur në mëngjes rrugëve të qytetit tënd, fillon dhe sheh njerëz që zgjohen me natë e punojnë dhe mbushesh me një lloj optimizmi që të mallëngjen, pasi edhe pse rrogat te ne janë mizerje, njerëzit e këtij qyteti e duan punën dhe djersën, pa u marrë fare me këto problemet e shtetit e pushtetit. Në emër të këtyre njerëzve, unë them që ta mbajmë pastër qytetin dhe ta duam atë, se janë duart dhe trupat e tyre që lodhen dhe jo të burrave e grave që e drejtojnë. Le t’i lemë në shenjtërinë e tyre…

 

Nga Migena KAPLLANI