Jo në dijën, por në vullnetin e fortë qëndron vlera e njeriut.

Herbart

Hapja e faqes së Arkivit Digjital Elbasan, m’u duk një ide e mrekullueshme për të dokumentuar të gjitha kujtimet e një qyteti që ka mjaft histori në jetën reale dhe në letra. Menjëherë desha t’ua bëj me dije edhe nxënësve të mi këtë faqe dhe vendosëm që projektin e këtij viti ta ndërtonim dhe programonim mbi të. Sigurisht që si çdo gjë e re, jo të gjithë ranë dakord, por në fund ata e pranuan sfidën për njohjen e qytetit përmes dokumenteve që ata s’i kishin patur kurrë në dorë më parë. U vendos si temë “Zhvillimi dhe përhapja e ideve përparimtare përmes shtypit të viteve 1918-1936” dhe ata zgjodhën të hulumtonin revistat “Normalisti”, “Kopështi letrar” e “Dokumente historike, të L. Nosit”. Do ta shfletonin materialin duke u ndalur në punën që kanë bërë në përhapjen e ideve dhe në zhvillimin e arsimin dhe shoqërisë këto revista. Gjithashtu edhe të njihnin historinë përmes figurave më të vyera të qytetit të Elbasanit. Do të ishte një detyrë motivuese që do t’i njihte me veprën e figurave si Dhaskal Todri, Kristoforidhi, Nosi, Haxhiademi, Xhuvani etj.; mbi të gjitha do të rriste ndjenjën e krenarisë për të kaluarën tonë.

U thashë të kërkonin e të sillnin ato gjëra që do t’i bënin për vete. Midis punimeve që sollën, ishte një krahasim i rubrikave të ndryshme të shtypit të këtyre viteve dhe atij sot, ku nxënësit gjetën gjëra me vlerë më tepër te revistat e vjetra se sa revistat sot që janë të mbushura me kronikë të zezë e rozë që s’të mësojnë asgjë; sollën edhe shprehje të bukura që mund t’i përdorin si statuse facebook-u, por të paktën i kanë përzgjedhur vetë përmes asaj  që kanë lexuar. Shpesh zgjedhjet kanë qenë shpotitëse. Ja disa nga gjetjet e tyre:

  1. “Qëllimi i disiplinës është të formojë një njeri të zot për të qeverisur vet-vetëhen dhe jo një njeri që të qeveriset nga të tjerët.”
  2. “Ata nxënës që duken aq të vërejshëm, në të vërtetë, nuk dëgjojnë aspak, ata janë gati në klasë me trup e jo me mendje; mendja e tyne shëtit andej këndej, jasht mësimit.” (Normalisti, viti VII, prill 1932, Nr. 4).

Të bën përshpypje zgjedhja e shprehjeve që kanë në fokus mësuesin, sikur duan të na përcjellin mesazhet si duhet të jemi ne në raport me ta. Po sjell disa prej tyre:

  1. “Shkolla duhet të punojë për jetën, për naltësimin e shoqnis njerëzore, dhe t’antarëve të saj.”
  2. “Si duhet të jenë njerëzit: të kenë vullnet të drejtë, ndërgjegje të pastër, karakter të shëndoshë, ndjenjë detyre sa më të naltë e të zhvillume.”
  3. “Çdo nxanës duhet të kuptojë se zë nji vend të veçantë në zemrën dhe në mendjen e mësuesit dhe për këtë arsye mësuesi duhet t’i mësojë shpejt emrin dhe mbiemrin. Ai që duhet të fitojë dashninë e nxanësit, duhet të dija të presë.”
  4. “Disa mësues qi t’i bajnë nxanësit për vete derdhin gjithë fisnikrin kundrejt atyneve: pra u japin nji liri shumë të madhe si mbrend dhe përjashta shkollës dhe kështu qi nxansit n’orën e mësimit fjalosen dhe shqetësojnë njani tjetrin… Këta mësues e marrin shumë shpejt emnin të mirë, por ky asht nji emën i rremë; se pak ma vonë do të humbsin randsin e nderimin nga nxansit…” (Normalisti, Viti V, prill 1933, Nr. 4)

Por puna që mua më tërhoqi më shumë, ishte projekti i Anës dhe grupit të saj. Po e quaj kështu, pasi Ana është nga ato nxënëse (të paktë në llojin e tyre) që janë lidere të vërteta dhe nuk “tuten” para djemve “dembelë”, pasi ajo nuk bën kompromise t’i ndihmojë për vlerësimin pa punuar.

Çfarë kishte të veçantë detyra e këtij grupi? Ata më sollën një revistë “Normalisti”, në miniaturë ku ruhej mirë; faqja e parë, rubrikat, dialekti, tematika, dhe nga ana tjetër të gjitha materialet i takonin kohës së tyre. Tek “mbrendija” e revistës, trajtohej:

  • Shkolla dhe rëndësia e saj
  • Roli i mësuesit
  • Provë mësimi – aritmetikë
  • Provë mësimi – gjuhë shqipe
  • Pjesë ë shkëputun letrare.

Më është dukur ironike analiza që i është bërë në materialin e parë shkollës sonë sot. Ata thonë: “Qëllimi i shkollës së re nuk âsht me e përgatit nxânsin për jetën, por me e bâ ate me rrojtë. Shkolla nuk duhet me të msue, por me të bâ t’ditun. Me mësue sa më pak që të jetë e mundun, me bâ me gjetë sa më shumë që të jetë e mundun. Parimi i shkollës âsht i thjeshtë: Me veprue, Me jetue.”

Thashë m’u duk ironike, pasi ata, me shprehje të viteve ’30 duan t’i flasin kohës sot, pasi ende i shohin si shqetësime të pazgjidhura. Shkolla sot, akoma i jep rëndësi formës; si qëndron nxënësi në bangë, nëse rri urtë dhe nuk lëviz apo se si 30 nxënës të ndryshëm në ide, ëndrra e aftësi trajtohen njësoj. Shkolla duhet të avancojë dhe të ndryshojë jo vetëm mënyrën e shpjegimit të mësimit, por dhe vetë natyrën e ndërtesës, klasës, bangave etj. Këtë problem nuk e shohin si problem të mësuesit, pasi në materialin e dytë, flasin me respekt për figurën e tij, si një “mik i mir, me t’cilin fmijt kalojnë thujse gjysmën e dits.”

Sa më shumë shfletoj shënimet e tyre, aq më shumë gjej mesazhe që duan të na përcjellin ne mësuesve dhe shoqërisë sonë. Ata duan të mësojnë në shkolla me ambjente më të mira e me bazë materiale, me kushte perëndimore e mësues mendjehapur. Siç thonë ata vetë në hyrje të revistës që krijuan, sistemi i edukimit në shkolla i bën me humbë besimin në një të ardhme më të ndritur, por ama te vetja dhe te dëshirat e ëndrrat e tyre, shohin një fije shprese.

Detyrat e dorëzuara në fund të vitit, ishin të natyrave të ndryshme në prezantim. Dëshira e tyre për të “rrëmuar” mes letrave të shekullit të kaluar, më mbush me shpresë se ata dinë ta vlerësojnë të shkuarën e tyre dhe kjo do t’i ndihmojë për të ardhmen.edhe unë besoj tek ata.

Po e mbyll po me një shprehje të përzgjedhur nga ata në revistën Normalisti viti IV, kallnduer 1932, Nr. 1; “Cilësia që e ban njeriun njeri nuk asht qi të jetë i turpshëm i frikshëm dhe me dije të tepërme; por qi të ketë vullnet, ndjenjë, inisjativë, durim, zgjuetsi, qëndrim, guxim, trimni dhe besnikëri. Dhe këto cilësi mund t’i fitojë brezi i ri me ndihmën e mësuesit të vërtetë.” Shpresojmë që këto cilësi shkolla t’ua ketë dhënë këtyre nxënësve të përkushtuar dhe të kenë një jetë me perspektivë e me ëndrra të realizuara. Paçin veç suksese!

Migena Kapllani

Mësuese letërsie në gjimnazin “K. Kristoforidhi”

Elbasan, qershor 2017