Ishte mesi i qershorit dhe shkollat sapo ishin mbyllur. Në mbrëmje ime më bisedoi me babanë që të më dërgonin në një kamp ditor me qëllim që të mos sorollatesha rrugëve. Unë i bëra shenjë që nuk dua. Atje te oborri i Namazgjasë që ishte shndërruar në kamp veror për fëmijët e puntorëve të ndërmarrjes së grumbullimit kisha qenë një vit më parë dhe nuk më pëlqente fare. Na jepnin për të ngrënë vaktet e mëngjesit e drekës, libra pambarim për të lexuar dhe gjumë. Asnjë lloj aktiviteti sportiv, asnjë shëtitje. Të krijohej mendësia se na kishin vënë si derrat në stallë vetëm për t’u majmur.

Të nesërmen në mëngjes dola në derë për t’u bashkuar me çunat e lagjes që më pritnin si çdo ditë te Bedeni për të lozur futboll, por befas zëri i momës më ndali:

-Bir, prit! Hajde merr tavën dhe çoje ke furra e Gurabardhes.

Ula kokën dhe u ktheva. Nga inati m’u duk sikur m’u varën veshët sepse e kisha shumë bezdi këtë punë. Ishte një ritual i përditshëm kjo puna e tavës pasi në ato kohëra pothuajse të gjitha familjet e përgatisnin gjellën në furrat publike që kishte çdo lagje të cilat digjnin dru për të fituar nxehtësinë e duhur. Furra ishte një dhomëz jo shumë e madhe, me tavan të harkuar dhe e ndarë në mes me një dysheme tullash. Zjarri ndizej poshtë, ndërsa tavat vendoseshin mbi këtë dysheme tullash dhe piqeshin nga nxehtësia që merrnin tullat nga zjarri poshtë.

Në fillim dërgohej tava që ishte një enë prej balte të pjekur e cila brenda kishte disa llokma mishi, vaj, ca oriz….në varësi të gjellës që përgatiste e zonja e shtëpisë. Pas ndonjë ore që ishte dërguar tava, tashmë  brenda një tasi dërgohej lëngu në furrë dhe furrxhiu i jepte dorën e fundit gjellës. Fuste lëngun në tavën e nxjerrë nga furra, i trazonte me një lugë druri dhe e rifuste tavën në furrë. I kisha mësuar përmendësh këto gjëra.  Unë isha fëmija më i vogël në shtëpi e në një farë mënyre tava më takonte gjithmonë mua për ta dërguar e marrë prej andej. Furrën e pjekjes e kisha afër fare, ngjitur me çezmën e Gurabardhes, por për çdo rast ishin edhe dy furra të tjera, ajo te Pusi që Lahet Vetë dhe tjetra te Urumët (kalaja).  Nuk e zgjata, mora tavën dhe dola në derë e nga pas më vinin në vesh porositë e fundit të momës :

– Thu’j furrxhiut që ta skuqë lehtë mishin se do ta bâj tavë me kos. Dhe mos harro të vish pas nji ore të çosh lângun, n’gjove?

Rrugës përshëndeta dajë Qamilin i cili kishte dalë për shëtitjen e tij të përditëshme të mëngjesit dhe për pak minuta isha brenda në furrë. I urova mirëmëngjesin dajë Cenit që ishte furrxhiu i lagjes dhe zbraza nga goja tërë porositë për tavën që më dha moma ime. Daje Ceni tundi kokën gjithë solemnitet sikur do të piqte gjellën për mbretër. Ishte burrë i urtë ai dhe shumë i kujdesshëm për punën. E kujtoj shpesh me respekt se nuk u mërzit kurrë me ne fëmijët e lagjes kur topi ynë shpesh i thyente xhamat e furrës.

Te Bedeni po më pritnin çunat e lagjes, Bimi, Edi, Titi, Feriti, Dashi, Lumi, Arti dhe  Xhiku. Beden ne i thonin fushës së vogël që ishte rrëzë mureve të rrënuara në skajin veri-perëndimor të kalasë. Aty ishte edhe kulla e rrumbullakët e kalasë gjithashtu e rrënuar. Në Beden ne loznim futboll, pushonim, këndonim apo takoheshim me të njohur. Ishte si një vendtakimi shumë i shtrenjtë për ne. Nga lindja ishin banesat e kalasë, ndërsa nga perëndimi ishte sheshi  Gurabardhes. Ne I thonim Gurabardhe ndoshta që të mos e ngatërronim me Gurabardhin që ishte fshat pak më në veri, në hyrje të Grykës së Zaranikës. Aty, përreth sheshit të Gurabardhes ishin dyqanet e lagjes dhe çezma me ujë të ftohtë. Në këtë shesh ndahej në disa degë rruga që niste te Qoshja, njëra degë ishte rrugica e Naskollit ku banonim shumica jonë, një degë tjetër quhej Rruga e Gjatë dhe të çonte te Arat e Gjata e deri në ullishtën Harmas e një degë tjetër të cilës ne i thonim Rruga e Jasharit, e cila dilte në rrugën e Dokuzes në Sulejmanie.  Këtu vinin edhe çunat e lagjeve të tjera për të lozur futboll sipas një kampionati që kishim krijuar ne vetë. Nuk ishte shesh i veçantë me statuja e shatërvanë, me parqe dhe biblioteka, por për ne djemt e lagjes ky shesh dhe Bedeni ishin pjesë e jetës tonë sepse aty u rritëm. Nuk është çështje nostalgjie që të krijon e kaluara, por vërtetë ai vend ishte gjithçka për ne.

Çunat ishin ulur përtokë në formë rrethi dhe topin e vogël prej llastiku po e mbante Bimi në dorë.  Mendova që po më prisnin mua ndaj nuk kishin filluar të loznin, por Bimi që ne e kishim si komandant, tha se nuk do luajmë fare se sot do të bëjmë “aksion”!  Nuk po kuptoja asgjë çfarë po thuhej aty, megjithëse gjysmën e tyre i kisha kushërinj të afërt. Bimi e vijoi bisedën duke na sqaruar se kumbullat e Shijonit te bahçja e Dacit janë pjekur dhe shijojnë shumë. Ai tha se ato janë kokrra jeshile, nuk skuqen dhe as zverdhen, por janë të ëmbla sepse ashtu e kanë racën.  Mjafton ta kafshosh një kokërr dhe të shkrihet në gojë.

Bimi fliste për kumbullat dhe vërtetë ne filluam të përcilleshim e nga goja na shkonte lëng. Nuk e zgjatëm dhe u nisëm. Fillimisht hymë te dera e Lekës e cila hapej kollaj fare. Prej aty ecëm në një rrugicë të gjatë nja 30 hapa dhe para nesh shtriheshin qipshet e disa fiseve të lagjes, një pafundësi pemësh e gjelbërimi na mori mendjen, Kafexhiu në të majtë, Daci në të djathtë dhe përpara bahçja e Daklit. Një mrekulli e vërtetë me pemë të shumta e të sistemuara dhe vende-vende kishte parcela toke të punuara e të mbjella me perime nga të zotët. Në këto bahçe që ngjanin me copëza parajse nuk mungonte asnjë pemë frutore. Fillonte mani e kumbulla e Shijonit në fund të pranverës dhe mbyllej në dimër me dardhën dimërore aq të mrekullueshme. Ndoshta për shkak të kushteve të favorshme të motit këtu te ne, nuk mungonin në kopshtijet e elbasanasve; dardha e pjeshka, mollë e ide, rrushi e agrumet, gështenja e karabobet, shega e kajsia, molla e zerdelia, mushmullat e verës e të dimrit, fiqtë e shumëllojshëm etj. Me këto fruta gjyshet tona përgatisnin komposto dhe reçel ose i thanin për në dimër. Nuk më harrohet që reçelit ime amë i fuste edhe disa gjethe hidërshahu sepse i jep aromë të mirë, na thoshte.

Dy-tre prej nesh i hipën menjëherë kumbullës së kërkuar dhe filluan të mbushin xhepat dhe të shkundin për ne të tjerët. Vërtetë ato ishin mjaft të shijshme dhe Bim-komandanti kishte pasur të drejtë. Hëngrëm sa deshëm dhe në fund mbushëm edhe kanotjeret dhe pa zhurmë u kthyem e dolëm jashtë. Aksioni u mbyll me sukses. Si u ndamë me shokët, unë renda në shtëpi dhe kumbullat që mora me vete i lashë në një enë që gjeta në tavolinë. Dola përsëri në rrugë për të dërguar tasin me lëngun që më kishtë bërë gati ime amë për tavën që kisha çuar më herët.

Pas pak, një nga një erdhën të gjithë çunat dhe u takuam te Bedeni  dhe nisëm lojën sikur nuk kishte ndodhur gjë. Sapo e kishim nisur lojën dhe befas të gjithë ndaluan. Po kalonte mes për mes fushës ku ne luanim dajë Salimi. Me trup të bëshëm e të gjatë, hijerëndë, me kokën drejt  ai shëtiste vetëm në fushën e Bedenit  e deri te shkolla e gocave, sikur e kishte frikë rrugën. Bimi na tha me zë të ulët se ai ka kryer shumë vite burg pasi qeveria e quan “raksjonar”. Ne nuk morëm vesh asgjë. Ai ndaloi përballë nesh, na përshëndeti duke buzëqeshur lehtë e na pyeti për mësimet dhe rezultatet e shkollës. Në fund na tha nëse kemi mësuar ndonjë vjershë për Skënderbeun! E pamë me çudi ndërsa ai vijoi shëtitjen e tij me hapa ritmikë e të njëjtë, sikur i maste ato. Ne vazhduam të luajmë derisa u lodhëm dhe në fund u freskuam pak te çezma e Gurabardhes. Të lodhur e të pistë gjithë pluhur ikëm drejt shtëpive tona. Në krye të rrugicës pamë momë Zegjinenë e cila ishte ngarkuar me dy trasta të mëdha e me zor po tërhiqte këmbët. Vinte nga pazari e ngrata dhe me vështirësi çapitej me trastat e mbushura plot. Shpejt e shpejt unë me Bimin e ndihmuam dhe ia morëm trastat duke e shoqëruar deri në shtëpi. Na uroi dhe na dha bekime pafund, e urta momë Zegjine për ndihmën.

Në mbrëmje kur u kthye babai në shtëpi, unë gjithë qejf i tregova për “aksionin” e kumbullave. Ai shtangu për një çast dhe m’u afrua. Unë ngriva se e kuptova që diçka nuk shkonte për mirë. Më kapi lehtë për veshi dhe më tha që ky është veprim i shëmtuar, quhet vjedhje, vetëm maskarenjtë bëjnë të tilla veprime, unë kurrë nuk duhej ta përsërisja këtë etj. Të nesërmen më dërguan në kampin ditor te oborri i Namazgjasë.

Përgatiti: B. Dylgjeri, Elbasan, qershor 2017.