Nën-hijen-e-rrapave
Pjesa e mâposhtëme âsht shkëputun nga cikli me tregime “Nën hijen e rrapave” të bashkëqytetarit tonë Bim Dakli, që pritet me u botue së shpejti. Ndonëse në moshë të thyeme e i larguem jashtë vendit që prej shtatë dhjetëvjeçarësh, ai përshkruen me mall dhe dashuni çdo vend e çdo skutë të qytetit të tij të lindjes, Elbasanit. Por, pikërisht pjesa mâ e ndijshme për të âsht natyra e mrekullueshme e sidomos ato vende të qytetit që kanë qenë të mbjellun me rrapa që autori i quen “ishuj të gjelbër”, si Rrapi i Bezistanit, Rrapat e Bobolles, Rrapi ke Pusi që Lahet Vetë, Rrapi i Vojvodës etj. Mirëpo, në gjysmën e dytë të shekullit të kaluem si pasojë e rritjes së qytetit apo nga ndikimi i Revolucionit Kulturor Kinez, shumë pjesë me vlera muzeale të qytetit tonë iu nënshtruen shkatërrimit duke u konsiderue si reflektim të botës së vjetër e të kalueme. Këtij progromi urban nuk i shpëtuen as rrapat e qytetit tonë. E megjithatë pati njerëz kurajozë që iu kundërvunë kësaj masakre ndaj qytetit, duke marrë përsipër hakmarrjen e pushtetit ndaj rebelëve. Njëri nga këto ishte qytetari ynë Bukurosh Sejdini.

***

“….dua të tregoj një fakt të ngjashëm me atë të Serseut dhe rrapit të tij, që ndodhi në vitet gjashtëdhjetë-shtatëdhjetë të shekullit të kaluar në qytetin tim të vogël të Elbasanit. Protagonistët: profesori i arteve të bukura dhe piktori me famë kombëtare Bukurosh Sejdini dhe një tjetër rrap.
Edhe Bukuroshi e shpëtoi rrapin e tij i cili është i vetmi i mbijetuar ndër shtatë “ishujt e gjelbër”, përjashto atë të Byshekut, ……
Pas kaq kohësh nuk kam arritur të rindërtoj me saktësi rrjedhën e ngjarjeve. Përveç kësaj, për shkak të largësisë, edhe mbi faktet e paktë që kam arritur të konfirmoj është vështirë të gjej të dhëna më të detajuara. Para së gjithash – pasiqë kronologjia ka një farë rëndësie në veprimin e Bukuroshit që ishte dëshmitar në shkatërrimin sistematik të këtyre fakteve – nuk dihet radha me të cilën ndodhi rrëzimi i rrapave të shtatë “ishujve të gjelbër” ekzistues në qendër apo në rrethinat e qytetit. Pra nuk di nëse rrapi i Bezistanit qe ndër të parët, ndër të fundit apo i fundit fare në listën e pemëve që ishin shënjuar për t’u prerë. Sidoqoftë është e sigurt që plani për shkatërrimin e tij preku ndjeshmërinë e qytetarit Bukurosh Sejdini, burrë kurajoz, i cili vendosi t’i jepte vlerë të drejtës për të shprehur kundërshtimin e tij. Për këto arsye ai ndjeu detyrën të dilte haptas, në mënyrë të bujshme, të pazakontë dhe të rrezikshme në atë periudhë dhe nën atë regjim. Ndjekës dhe mbështetës në këtë nismë të tij: në të vërtetë as edhe një. Bashkëqytetarët e tij, duke ditur që qeveria nuk toleronte akte të atilla kundërshtuese, preferuan të qëndronin jashtë këtyre ndodhive dhe të shihnin punët e veta.
Përkundrazi, Bukuroshi, nuk e pranoi këtë gjendje nënshtrimi. Në mbrojtje të rrapit vuri emrin e tij si artist dhe personin e tij fizik dhe, duke bërë mburojë trupin e tij rreth trungut të pemës së madhe sfidoi autoritetet: <>
Dhe këtu duhet të mbështetem përsëri tek imagjinata time për të rindërtuar skenën midis Bukuroshit dhe atyre që u ishte ngarkuar përgjegjësia për vënien në jetë të planit urbanistik. Meqenëse atëherë Bezistani ishte mu në qendër të Pazarit, u mblodhën menjëherë kureshtarë, ndonjëri prej këtyre, ose ngaqë bashkohet me mendimin e Bukuroshit – edhe pse nuk guxoi ta deklaronte publikisht deri në atë çast – ose ngaqë e njeh, e vlerëson dhe e ka mik, fillon të afrohet në anën e tij dhe të ngrejë zërin. Fillon përplasja verbale dhe menjëherë në çast ndizen gjakrat. Kjo situatë i bëhet e ditur ‘personave përgjegjës’, zyrat e të cilëve janë aty pranë. Por meqenëse në atë kohë të regjimit askush nuk dëshiron të hedhë hapa të gabuar, problemi mendohet edhe një herë dhe urdhërohet pezullimi i përkohshëm i rrëzimit të rrapit, me justifikimin se do të kishte në të ardhmen një rast më të mirë dhe pa shumë bujë, për të prerë atë pemë të vjetër. Kalojnë kohët, ndryshojnë funksionarët dhe regjimi. Pushtetarët e rinj e kuptojnë se ai rrap është një faqe e gjallë e së kaluarës së qytetit dhe vendosin ta shpallin “Monument kulture mbrohet nga shteti”. Por historia nuk ka vetëm këtë fund të lumtur: mbetet padrejtësia e shpërfilljes historike të atij që arriti ta shpëtonte duke vënë veten në rrezik. Njohja e meritës së një qytetari kurajoz dhe të ndjeshëm ndaj mbrojtjes së vlerave të qytetit të vet, me dëshirën e mirë, mund të bëhet edhe tani. Por epilogu i hidhur për sa i takon Bukuroshit nuk mbaron këtu. Një nga djemtë e tij tregon se, i cilësuar fajtor – pa akuzë dhe pa gjyq – pse mbrojti atë rrap dhe “ishullin e gjelbër” të Pazarit të drithërave, që më vonë u shkatërrua prapëseprapë – Bukuroshi u deklasua duke u detyruar të punojë në mësimdhënie dhe iu ul paga. Dhe, kudo që është vënë në jetë, kjo tentativë për të ndrydhur një shpirt të lirë na tregon vetëm një gjë: injorancën e diktaturës.
Bukuroshi shpëtoi rrapin por nuk mundi, ose nuk mendoi se kishte nevojë të shpëtohej “ishulli Bezistan”, që gjendej në zemër të qendrës së qytetit. Në atë qytezë të vogël antike pema ishte prania mbizotëruese, pika e referimit për banorët e gjithë qytetit. Sot në sheshin e ri, shumë më të zgjeruar se i vjetri, e ka humbur rolin e tij kryesor. Por mendoj se sidoqoftë duhet t’i jemi mirënjohës Bukuroshit që e shpëtoi sepse, për shkak të ndryshimeve rrënjësore të fizionomisë dhe veprimtarive qytetare, është e vetmja dëshmi që ka mbijetuar nga shtatë “ishujt” që e karakterizonin….”.

Mblodhi dhe përgatiti: B. Dylgjeri, Elbasan, shkurt 2016. Falenderojmë z. Rudin Dakli që mundësoi këtë postim.