ne-elbasan

Këto rreshta janë shkëputur nga libri “Brenga e Ballkanit dhe vepra të tjera” të autores Edith Durham. Para dhe pas shpalljes së Pavarsisë shqiptare, kjo angleze e çuditëshme do të përshkojë në këmbë krejt Ballkanin duke mbajtur shënime të vlefshme historike për popujt e këtij rajoni. Por mbi të gjitha, këtë zonjë të huaj do ta magjepsë shqiptari, madhështia dhe tragjizmi i tij, sa që ajo më pas do të bëhet një nga mbrojtëset më të zjarrta të idealeve shqiptare në oborret angleze në fillimin e shekullit XX.
Më poshtë janë disa nga shënimet që ka lënë E. Durham kur ka bujtur në Elbasan. Është interesant se sa shumë përshtypje i bën kësaj gruaje britanike, patriotizmi i elbasansve dhe qartësia e tyre politike për kohën që jetonin.
“….Elbasani ka rreth 10.000 banorë, më shumë se gjysma janë myslimanë. Të krishterët janë ortodoksë, por në vend të parardhësit shqiptar është emëruar një dhespot grek, që po bën përpjekje të mëdha për të helenizuar shkollat dhe kjo ka ngjallur pakënaqësi të madhe. Elbasani anon nga Roma dhe po bëhen përpjekje të mëdha për ngritjen e një kishe dhe shkolle Uniate nën mbrojtjen e Austrisë, ku të përdoret gjuha shqipe. Më thanë se po ngrihej kjo kishë, gjithë shqiptarët e krishterë do të bëheshin anëtarë të saj, madje edhe një pjesë e myslimanëve do t’i dërgonin fëmijët në shkollën e saj.
Patriotizmi në këtë krahinë është i zjarrtë dhe qëndron mbi të gjitha doktrinat fetare. Nga ç’pashë dhe dëgjova, mora vesh se me t’u çliruar nga zgjedha turke, fshatra të tëra që tani e mbanin veten për myslimanë, do të ktheheshin në të krishterë. Shumë të krishterë e quanin veten katolikë duke thënë se prapa kishës ortodokse qëndronte Rusia e Greqia, pra tirania, kurse prapa Romës qëndronin njerëz të mësuar në Perëndim dhe qytetërimi.
Në Elbasan prekesh nga përpjekjet që bëhen për dije e kulturë. Gjen njerëz që pa kurrëfarë ndihme japin e marrin me gramatikën frënge e madje edhe gjermane. Ka një numër mjaft të madh njerëzish të shkolluar dhe të ditur, po të merret parasysh fakti se në Perandorinë Osmane nuk futen libra nga jashtë, përveçse me kontrabandë ose vetëm pasi të kenë kaluar censurën turke, e cila dyshon për çdo gjë që s’e kupton, se asnjë libër nuk shitet pa vulën e Valiut vendas dhe se për t’i lexuar këto libra njerëzit më parë duhet të mësojnë gjuhën përkatëse. Thonë se fajin që s’e kanë siguruar ende Fermanin për hapjen e kishës dhe shkollës Uniate e paska Rusia që terrorizoka Sulltanin. Këtu e urrejnë për vdekje Rusinë. Ka njerëz që thonë se në gadishullin Ballkanik në të vërtetë luftojnë shqiptarët dhe austriakët nga njëra anë dhe Rusia e Bullgaria nga ana tjetër, dhe cilido që bie në mes të këtij zjarri rrezikon të digjet. Shqiptarët bëjnë be se Rusia nxit Greqinë të aneksojë Shqipërinë e Jugut që ajo të kënaqet me aq e ta flerë mendjen, duke i lënë dorë të lirë Rusisë ta ndajë pjesën tjetër të gadishullit sipas qejfit.
Vllehët që banojnë në Elbasan, në rrethinat e tij, si dhe gjetkë, e që përbëjnë një numër të konsiderueshëm, janë të gjithë për pavarsinë e Shqipërisë….”.

Mblodhi: Bukurosh Dylgjeri, Elbasan, Maj 2014.