Në ditët e Pavarësisë së Shqipërisë

Historia e njerëzve që e kanë bërë atë, është e nderuar për njerëz të nderuar. Një i tillë është eeddhe Reshit Hyseni (Krasniqi), i mirënjohur si adjutanti i Lef Nosit. Por nga të thënat e familjarëve të familjes Nosi bëhet e ditur se Rushiti është i fundit që ka pasur në dorë deklaratën e Pavarësisë dhe që ia dha Doktor Nosi për tia çuar Lefit në Tiranë. Thuhet se ai ia dorëzoi dhe Lef Nosi e ka futur në kasafortën e  tij në Bakën e Shtetit e më pas nuk dihet asgjë. Për këtë fakt dijeni ka pasur vetëm historiani Kristo Frashëri që në atë kohë ka qenë punonjës i Bankës së Shtetit.

Janë thënë dhe shkruar shumë për Lef Nosin dhe historitë që lidhen me të. Një të tillë ka shkruar edhe shkrimtari elbasanas Hyjni Salim Ceka në librin “Tempuj dhe Apostuj” me titullin “Një takim me Lef Nosin” 

Një takim me Lef Nosin 

Gjatë vitit 1944 im atë punonte pranë Entit të Statistikave. Ai i gëzohej asaj zyre veç për makinat e shkrimit dhe materialet kancelarike që kishte në dispozicion.

Ajo kohë qe periudhë vlugu për të, se përgatiti për botim “Essetë e Shopenhaurit” dhe iu fut me sistem përkthimit në tërësi të veprës së idolit të vet.

Ne rrinim në Elbasan me gjyshërit, po ai na çonte e na merrte kohë mbas kohe sa njërin-tjetrin. Kësifarësoj, hutoheshim me Tiranën dhe harronim dhimbjen që na kish lënë vdekja e nënës.

Herën e fundit i kam shkuar në gusht. Kohë pjeprash … Më mbante në zyrë. Aty dhe në mesditë. Hanim bashkë: bukë e djathë e pjepër. Gjatë vapës dremisja në poltronë. Ai ua ngulte gishtat tastierës së daktilografit e s’ndalte as për të marrë frymë.

Në njërin prej këtyre pushimeve, më zgjoi me gëzimin e tij. Kur bëhej çakërrqejf, fishkëllente i papërmbajtur. Si m’i pa çelë sytë, bisedoi me mua si me shokun e vet.:

  • I dhashë fund!

Ato çaste, ai sa pat kryer përkthimin e njërës prej veprave të Shopenhaurit, fjala ka qenë për një punim në serinë e “esseve” mbi fenë. Vëllimin e titulloi: “Feja dhe ndriçimet e tjera”.

Më pas, atij iu zgjua një vrull. Vëllimin e mori, e ndreqi në dosje dhe më thotë:

  • Çohu!
  • Ku do të shkojmë?
  • Ke dajë Lefi! – përgjigjet.

U shtanga. Jo për gje tjetër, po për Lef Nosin atëherë na flitnin njëmijë e një të zezat. Pastaj çdo të bënin shokët e mi, si ta merrnin vesh? Do të më përjashtonin nga “grupi i pionerëve”!

  • Të pres këtu, më mirë – i thashë me shejtanllëkun e një fëmije.
  • Hec, mor kalamuç! Ku ta gjesh atë fat të piqesh me Lef Nosin!

Dy hapa larg ishte Hotel Dajti, po në atë copë rrugë, çfarë nuk shkova nëpër mend. More postëblloqe! Roje të armatosura! Xhandarë, gjermanë, gestapo …! S’kisha faj se mendjen na e kishin bërë dhallë.

Ne lehtë-lehtë, u futëm në një holl të qetë dhe, në banak, pyetëm sportelistin. Ai na pohoi veç me kokë se dajë Lefi ndodhej në dhomën e tij. Unë prit se po na ndalnin, por hiç! U ngjitëm në katin e dytë, sikur të ishim në shtëpinë tonë. Kaluam sallonin e korridorin e, pa ceremoniale, u gjendëm përballë me Lef Nosin. Nuk e di trokiti a s’trokiti në derë im atë. Patjetër që ka trokitur! Po s’e mbaj mend.

Ishte një dhomë hoteli teke, nga më të zakonshmet. E gjetëm me Reshit Krasniqin bashkë, bile në një muhabet të thekur, vetëm për vetëm. Kërshëria e fëmijës hapte sytë të shihte aty armë të të gjitha llojeve: revole, automatikë, mitralozë!

Hiç!

Veç një nagandë që mbante “Kosovari” … Po në brez ama!

Kur më pa hutimin, im atë vuri mullâ përbrenda.

  • Merri dorën. – më tha.

Unë u afrova me druajtje dhe e putha me respekt atë dorë.

  • Hyseni ky? – pyeti dajë Lefi.

Im atë e pohoi.

Plaku më mori pranë. Ma afroi kokën në gjoksin e tij e më përkëdheli butë-butë.

  • Hysen efendiun e kam pas mik … Shkuar vëllait … Ka qënë shqiptar i madh. T’i ngjash – porositi.

Pas pak, sikur i pat ngelur diçka pa thënë, m’u drejtua përsëri:

  • Ka qënë delja e Perëndisë. – tregonte për tim gjysh. – nga kjo anë mos i ngjaj, se të hanë ujqërit, apo s’është kështu, more Salim?!

Ky imi, si nxënës para tij, miratonte në këmbë.

Pastaj u ndreqëm. Reshiti liroi karrigën e tavolinës për tim atë. Ata ndenjën bashkë. Unë me kosovarin, pranë derës. Një hasër vend kish dhoma e gjithë.

Dajë Lefi ndreqi syzet dhe shfletoi kalimthi vëllimin. Vepra në duart e tij merrte rëndësi të veçantë. Me edukatën e një bibliofili të përkushtuar, ai prekte çdo fletë me kujdes, duke e zënë nga cepi i kreut e duke e kthyer gjithë delikatesë. Një çast ai ndali, se diç i erdhi ndër mend nga leximi shkarazi.

  • Ky Shopenhauri yt, emrat e bashkëbiseduesve i paska nxjerrë nga greqishtja, – tha.
  • Ashtu do të jetë – pranoi im atë. – S’e njoh greqishten.
  • Po, po – vazhdonte dajë Lefi. – Ky i pari, “Filathethes” fjalë për fjalë në shqip, ashtu përkthehet, “Mik i Zotit”, ndërsa ky tjetri “Demofili” – “Mik i Popullit.”

Esseja e Shopenhaurit “Feja” është konceptuar në formën e një dialogu, midis dy vetave. Folozofët e shekullit XIX, nisur nga dialektika klasike, përvetësuan stilin e rrahjes së mendimeve për të nxjerrë kështu përfundime të qëndrueshme filozofike. Duket që, këndej edhe Shopenhauri është nisur që emrat i pat zgjedhur nga greqishtja e vjetër.

Nga biseda e tyre një gjë se e kuptoja! Prapë ma kish ënda ta dëgjoja, dhe veshët i mbaja “pipëz”.

  • Po termin “ndriçime” vetë e ke sajuar, apo e ke hasur gjëkundi?
  • Për “essetë”, dajë Lefi! Dhe fjalori shpjegues i anglishtes atë kuptim mundohet t’i japë.

Plaku u ngritë, mori nga rafti fjalorin e tij. Gjithë ai libër i trashë! Unë e zgjasja qafën si lejlek.

ESSAYS!

  • Po, po! S’ke si e jep ndryshe! Po prapë më mirë ta kishe lënë “Esse”. Gjithë bota ashtu i thotë.
  • Halli i lexuesit që s’ta kupton!
  • Eh, more Salim! Barrë të rëndë ke marrë mbi shpatulla! Dhe dije se i pari je, i vetëm je, që po kthen në shqipe letërsinë filozofike … Ta di hallin. As traditë kemi … as terminologji.

Mua, s’do mend, më erdhi mirë, më lëvdonte babanë.

  • Më parë të kishim zënë nga filozofia … Duhej qyshkur t’i kishim sjellë në shqip Volterin e Rusonë, Kantin e Niçen. I kemi pasur mundësitë.

Këtu biseda nisi të kthejë. Ai plak i urtë e i butë, mori të nxehur. Fytyra iu avllanis. Një bojë i shkonte e një i vinte.

  • Po të kishim vepruar me mend, s’do të na shtrohej Marksi këmbëkryq e të na bënte çorap.

Pastaj dajë Lefi e çoi gjuhën ku i dhimbte dhëmbi:

  • Duan të bëjnë socializëm! … Zor se bëjnë dhe Shqipëri! Ku bëjmë dot pa Kosovarët socializëm! … Ku bëhet Shqipëri pa Kosovë?!

Këtu mbaj mend që jemi ndarë.

Dhe e lamë vetëm me Reshit Kosovën.

Atij ia kishte besuar jetën, idealet! …