Nanë! Ma e ambla, ma e dashtuna, ma e mira fjalë qi del prej zemre, ma e para qi kemi nxanun, fjala qi e kemi nxanun, shqyptuemun ndër çastet ma të vështirat e jetës e ndër gëzimet ma të mdha jat t’onat.

Nanë! Të gjithve kjo fjalë u paraqet nji fëtyrë t’ambël e të gzueshme  atë të nanës s’onë qi na ka falun jetën , qi na ka dashtë e kuptuemun dhe kuer ishim në djep e nuk dishim me folun, qyshë atëhere për atë ishim gjaja ma e bukura, krijesa ma e bukur qi u gjindte në botë.

U rritëm afër sajë, pak ka pak nxuem prej sajë me njoftun sendet, me u dhanun atyne nji emën a me dashtun njerzt.

Nana na mësoj  me thanun ATDHE, e me dashtun me gjith zemër. Ajo na kushtoi të gjithë  dashunin, të gjithë kujdesin e të gjithë jetën e sajë. Ajo gëzohet kuer na sheh të gëzueshëm. E kuer na jemi të përshkuem prej ndonji idhnimit, nana vjen afër nesh e me fjalë të ambla na ban me harrue. Tuej u rritun kemi me fillue me ndejtun me shokë me lujtë me ta; kemi jetuemun përjashta shtëpisë me tjerë për tjerë; por nana ajo krijesë e dashtun jetoi vetëm për ne. E gjithmonë na del përpara më të njajtën  ftyrë gëzueshëm, me të njajtën fjalë të ambël.

Kurrkush nuk mundet me ja xanë vendin.

Sikurse nata të cilës i mungon hana, asht e mbështjellun në terrin ma të mndershmin, njashtu asht fmija  qi nuk e ka nanën. Asht njeriu ma fatëkeqi në botë. Por nji gja e vetme mund ta ngushëllojë; edhe pse nana i ka vdekun, prap se prap i rri afër, e don, dhe e drejton përherë kah veprat e mira…

                                                                                                                                   Shkodër, me Tetuer 1933

                                                                                                                                   Qemal H. Stafa