Çdo familje elbasanasi ruan në kujtesë gëzimin e muzikës së Rustem Sericës

Nga Hyqmet Zane

Rustem Serica, Arkivi Digjital Elbasan

Rustem Serica

Muzikantët, në tërësinë e tyre, janë njerëz shumë të pranueshëm në ambjentet familjare dhe shoqërore në gëzime të ndryshme. Një personazh i tillë ka qenë dhe mbetet Rustem Serica. Në Elbasan ky mbiemër të kujton tre breza muzikantësh që kanë qenë të pranishëm pothuajse në çdo familje elbasanasi me performancën e tyre, me atmosferën e gëzimit që kanë krijuar. E gjithë jeta e Rustem Sericës është e lidhur me muzikën, traditë që më pas është ndjekur nga djali i tij Sopoti dhe tanimë edhe nga nipi Arditi.

Është e veçantë në Elbasan, që dy njerëz me profesionin e tyre kanë qenë të pranishëm në çdo familje të qytetit duke u bërë miq me këdo, Doktor Steliano Nosi dhe muzikanti Rustem Serica. E rrallë, por e vërtetë. Ky ishte edhe thelbi i një bisede që unë kam bërë me një artist të estradës së Elbasnait, Hilmi Belshaku, që më zgjoi edhe kujtimet e mia personale të kohës kur isha student dhe grupi i muzikantëve në turizmin Skampa të Elbasanit, ishte kënaqësia e tavernës. Efektet e paharrueshme të atmosferës së krijuar, që edhe pse e kufizuar në të tilla ambjente kishin gjithmonë në qendër Rustemin me saksofonin e tij.

Koha ka bërë punën e vet, por në kujtesën e elbasanasve Rustemi mbetet i veçantë dhe i paharruar. Ata shprehin respektin dhe mirënjohjen e madhe, duke risjellë në biseda momentet e veçanta në familje, në raste dasmash apo gëzimesh, duke të krijuar përshtypjen se prania e muzikantit Serica ka qenë ngjarje e paharrueshëm. Të mëdhenj e të vegjël në familjet elbasanase e kanë pasur Rustemin si idhullin e muzikës dhe kënaqësisë me këngët e tij brilante të kënduara plot pasion dhe efektet e lojës muzikore që ai ka përcjellë.

Kontributet e Rustem Sericës në muzikën qytetare elbasanase, fillojnë që herët, kur ai u pikas nga profesionistë të muzikës në Tiranë dhe që i hapën këtij njeriu rrugën për tu bërë figura e një muzikanti virtuoz që meriton më shumë se respekt.

Aktiviteti dhe kontributi i Rustem Sericës flet më shumë se fjalët. Ai lindi më 12 qershor 1936 në një familje muzikatësh (sazexhinj). U rrit me dashuri për muzikën dhe këngën e qytetit të Elbasanit. Ishte shembull në shkollë dhe nga nxënësit më të mirë. Emri i tij edhe sot ndodhet në listat e nxënësve më të mirë në muzeun e shkollës “Naim Frashëri”. Në vitin 1950 u regjistrua si amator në shtëpinë e kulturës Elbasan në grupin e korit që e drejtonte profesor Sulë Gjevori, i cili gjatë përgatitjeve spikati tek Rustermi edhe talentin e këngëtarit.

Janë po ashtu të paharruara njohjet me këngëtaren Marie Dhama dhe këngëtarin Tahir Gurakuqi, dhe me dirigjentin e shtëpisë së kulturës Mithat Stringa, i cili e donte dhe e afronte në çdo aktivitet.

Në vitin 1952 Rustemi fillovi punë në kombinatin e drurit Elbasan, ku bashkë me shokët, krijuan grupin artistik të kombinatit. Jepnin shfaqje dhe për punëtorët që punonin në sharrat e Bizës dhe Stërblevës, në Hotolisht dhe nëpër gjithë fabrikat e kombinatit.

Në vitin 1955 e thërrasin në ansamblin e ushtrisë popullore. Atje dirigjenti i ansamblit, major Gaqo Avrami pasi e mori në provë, e pëlqeu si vokal dhe e mbajti aty. Ishte shumë i ri, por artin e donte shumë. Punoi me përkushtim dhe kjo i dha suksesin. E donin të gjithë shokët, e mbanin afër. Rustemi mban mend njërin që i ka lënë mbresa të thella, njeriun e mirë  nga Përmeti,  Rahmi Xhemali. Në korrik të 1955 ansambli i ushtrisë popullore u nis për turne jashtë atdheut. Niveli i ansamblit ishte për tu admiruar dhe Rustemi dha kontributin e tij shembullor, për të nderuar dhe qytetin e tij, Elbasanin. Ansambli dha shfaqe në Republikën Popullore të Kinës, në Mongoli, Vjetnam, Kore, Bashkimin Sovjetik. Turneu zgjati 6 muaj. Kudo që dhanë shfaqe, lanë kujtime dhe mbresa të mira.

Rustem Serica i ri (foto e padatuar), Arkivi Digjital Elbasan

Rustem Serica i ri (foto e padatuar)

 

Në 1956 kthehet në Elbasan dhe fillon punë në estradën profesioniste të Elbasanit që ishte krijuar në tetor të vitit 1955. Tanimë kishte një eksperiencë pune nga jeta në ansambël që kishte qenë si një shkollë për të. Po gjatë kësaj kohe ai mbaroi Liceun Artistik dhe bëri shumë përpjekje për ngritjen profesionale. Zotëroi mjaft mirë klarinetën dhe saksofonin duke luajtur në skenë dhe pjesë solo. Këtë vit u vu në skenë dhe opera “Trembita” e kompozitorit rus Juri Miljutin, ku Rustemi dhe Fatmira Luniku kënduam me sukses në rolet kryesore.

Si këngëtar ka kënduar shumë këngë popullore, këngë patriotike, por dhe këngë të muzikës së lehtë. Për spektatoirin elbasanas nuk do të harrohen lehtë këngët e kënduara në skenë si: “Bjondina ime”, “Esperanca”, “Morenalaxarela”, “Triana” e të tjera.

Në vitin 1967 e ftojnë për të marrë pjesë ansambli i pallatit të kulturës Tiranë, ku shkoi dhe bënë turne në Republikën Popullore të Kinës për 3 muaj. Puna e tij u vlerësua dhe si shpërblim i dhuruan një firzamonikë të re, të cilën ai ja dhuroi estradës së profesionistëve, ku punonte dhe vetë.

Në vitin 1970 i ngarkohet detyra si drejtues i orkestrës së estradës, kështuqë ai në një premierë estrade duhet të drejtonte, të këndonte si këngëtar, t’i binte instrumentit, detyra që i kreu me përkushtim deri sa doli në pension.

Përsëri në vitin 1984 si pjestar i ansamblit “Isuf Myzyri”, si klarinetist shkon jashtë atdheut, në Turqi në festivalin Ballkanik ku patën shumë sukses.

Gjatë punës shumë vjeçare ka dhënë kontribute edhe në fushën e krijmtarisë muzikore.Ai ka krijuar shumë këngë për fëmijë.

Për tu përmendur janë :

Kënga “O balon, balon tabake” kënduar në festivalin e parë të këngës për fëmijë nga Zeliha Sina dhe që u nderua me çmim të parë.

Kënga “Fishkëllima e parë” e kënduar nga Antesa Toçi në festivalin e parë të këngës në Elbasan dhe që u vlerësua me çmim të tretë.

Kënga “Kur vjen pranvera” kënduar nga këngëtari i operas dhe baletit Niko Progri në festivalin e dytë të këngës në Elbasan dhe që u vlerësua me çmim të parë.

Kënga “Bjondina ime” që u këndua me sukses në gjithe skenat e vendit tonë.

Kënga “Nuk më dridhet jo qerpiku” kënduar nga këngëtari Albert Tafani.

Kënga “Yjet e lirisë” që i kushtohet dëshmorëve të Elbasanit kënduar nga Medi Zena.

Kënga për dëshmorin Adem Krasniqi kënduar nga Zeliha Sina.

Këngën korale “Rruga e lirisë” që nëpërmjet muzikës përshkruhen tre kohë, shtypja, lufta dhe fitorja, u vu në skenë nga ansambli i shtëpisë së kulturës Elbasan.

Komedia muzikore “Iku nusja” u vu në skenë nga estrada profesioniste e Elbasanit.

“Borëbardha” u vu në skenë nga regjizori i teatrit të kukllave Hasan Hoxha. Kjo pjesë mori dhe çmimin e parë në takimin kombëtar dhe muzika ishte pjesë e vlerësimit .

Është një rrugë e gjatë ku Rustem Serica dha kontributin e tij, në rradhë të parë si qytetar i thjeshtë i qytetit të Elbasanit. Gjithçka ai e ka bërë me dëshirë dhe përkushtim që arti, muzika, kënga e këtij qyteti t’i shërbejë popullit, këtij populli që e vlerësoi në maksimum. Ai kontribuoi që trashëgimia kulturore të ruhet dhe mos mbetet pronë vetëm e tij, si figurë qytetare dhe si personalitet muzikor.

Në “repertorin” e vlerësimeve zyrtare, mund të rendisim :

Dekorohet nga Presidiumi i Kuvendit Popullor me urdhërin “Naim Frashëri” klasit të III. Datë 24.1.1970. Për punë të pa lodhur në fushën e artit dhe kulturës (dekret nr 4639)

Dekorohet nga Presidiumi i Kuvendit Popullor me urdhërin Naim Frashëri”  klasit të II. Datë 24.2.1979 (dekret nr 6031). Motivacioni: si muzikant ka dhënë një ndihmë të shquar në zhvillimin e mëtejshëm të artit tonë të realizmit socialist. Me krijimet e tij ka ndihmuar në edukimin ideo-estetik të nuasave punonjëse.

Po ashtu janë edhe vlerësimet e rëndësishme lokale me çertifika nga Ministria e Arsimit më datë 7.4.1961 si këngëtar i estradës profesioniste me motivacion; me punën e tij të vazhdueshme ka kontribuar aktivisht për përhapjen e kulturës socialiste në masat punonjëse.

Gjithashtu edhe nga drejtoria e arsimit Elbasan iu dha fletë mirnjohje me motivacion: për ndihmesën e shquar që keni dhënë në fushën e këngës e të muzikës duke u bërë shembull për talentet e reja të qytetit tonë.

Është për tu shënuar edhe dhënia e çertifikatës “Nderi i qytetit” nga Bashkia Elbasan me motivacion: për kontributin me vlera të larta artistike dhe qëndrim qytetar shembullor datë 17.12.2005, nga kryetari i bashkisë Ardian Turku.

Dhënia e vlerësimit “Artist i Shquar i Qytetit” me motivacion: për merita të veçanta dhe kontribut të spikatur në fushën e artit muzikor si instrumentist virtuoz. Datë 28.10.2008 ngakryetari aktual I bashkisë Qazim Sejdini.

Deri më sot në Elbasan dhe më tej në të gjithë Shqipërinë nuk di të ketë ndonjë figurë të tillë muzikanti që në rininë e vet punoi në fabrikën e tullave dhe më tej të bëhet një personalitet potencialisht i vlerësuar që meriton vetëm nderimin e brezave për punën që bëri dhe gëzimet që u krijoi familjeve elbasanase me zërin, klarinetën dhe saksofonin e  tij.