Mustafa Demiri lindi në vitin 1923, në qytetin e Elbasanit. Mbaroi shkollën Normale dhe pas saj punon si mësues për një vit në rrethin e Gramshit.

Në vitin 1946 largohet drejt Zagrebit të Kroacisë, për të kryer studimet e larta në degën e Biologjisë. Mbas prishjes së mardhënieve me ish- Jugosllavinë vazhdon studimet në Sofie të Bullgarisë.

Më 1951, me mbarimin e shkollës kthehet në Shqipëri dhe fillon punë në Ministrinë e Arsimit, në sektorin e metodologjisë, në hartimin e teksteve.

Më pas emërohet punonjës shkencor në Katedrën e Botanikës, në Fakultetin e Shkencave Natyrore.

Emërohet si përgjegjës i Kopshtit Botanik të Universitetit të Tiranës deri në vitin 1985, vit në të cilin u nda nga jeta.

Mustafa Demiri ka dhënë kontribute të mëdha si në teori me temat e tij shkencore dhe veprat botanike, edhe në praktikë me realizimin e ekspeditave botanike në të gjithë Shqipërinë.

Është autor i 70 punimeve shkencore, temave, referateve dhe librave. Disa nga veprat e tij janë: “Gjeografia e bimëve” (1973), “Gjeobotanika”, “Drogat e bimëve mjekësore” (1965), “Përcaktues bimësh. Flora e vogël e Shqipërisë” (1979), “Manual për kullotat” (1974), etj. Ka qenë po ashtu edhe autor i disa teksteve mësimore si Atlaset e Biologjisë për klasa të ndryshme, Albume ilustruese për Botanikën etj.  Ka qenw autor i shumë artikujve në buletinin e shkencave të natyrës dhe në gazetën “Mësuesi”.

Profesor Demiri do të mbetet gjithmonë një nga figurat më të shquara të shkencës mbarëshqiptare, pioner në disa fusha të kërkimit shkencor, metodist e botanist me një stil pune shumë origjinal.

Ai do të jetë gjithmonë krenaria e qytetit të Elbasanit. Në nder të jetës, punës dhe veprave të tij, ish – nxënësi i tij, Miti Koçi ka botuar librin “Prof.Mustafa Demiri – Botanisti më i shquar shqiptar”.