Musa Tafa njihet në opinionin elbasanas si Mësues i Merituar, Mësues i talentuar i Ushtrimores, Metodist, Didakt

Ai është një ndër veteranët e shkollës Ushtrimore, i cili 38 vjet të jetës së tij i ka vënë në
shërbim të arsimit. Pas mbarimit të shkollës Plotore, do të përfundojë shkollën Normale
në vitin 1930. Po atë vit do të fillojë detyrën e mësuesit në rrethin e Lushnjës, ku
shërbeu për tetë vjet. Në jetën praktike, në zemër të Myzeqesë, ai e kuptoi se misioni
i tij do të kërkonte punë të palodhur, njohje të mirë të psikologjisë së nxënësve me të
cilët do të punonte dhe prindërve të tyre me të cilët do t’i duhej të komunikonte.

Musa Tafa punoi me të gjitha aftësitë e tij dhe krijoi një emër të mirë falë ndershmërisë dhe pasionit për punë.  Më pas transferohet në Elbasan për një vit, duke shkuar më pas në zonën e Belshit.

Pas çlirimit të vendit emërohet në shkollën Ushtrimore pranë Normales, më vonë shkon drejtor didaktik i rrethit të Librazhdit dhe për disa kohë punon si inspektor në Seksionin e arsimit në Qarkun e Elbasanit. Terreni ku Musa Tafa tregoi dhe eksperimentoi aftësitë e tij metodike ka qenë shkolla Ushtrimore e Normales, ku punoi për 8 vjet me radhë.

Për merita pune u emërua mësues i pedagogjisë praktike pranë shkollës Normale, detyrë të cilën e kreu me sukses deri me daljen e tij në pension. Për aftësitë e tij metodike dhe për drejtim të mirë të punës praktike, ka marrë vlerësime të ndryshme nga autoritetet e arsimit me Urdhra e Medalje.

Në bashkëpunim me kolegët, ka përshtatur materialin “Përmbledhje lënde për hartime”. Bashkëautor i tekstit mësimor të “Këndimit” të klasës III fillore. Megjithëse ishte në pension, mësuesi veteran nuk iu shkëput shkollës, por në ndihmë të mësuesve më të rinj u qëndroi pranë. Bën vëzhgime dhe studime rreth orëve të mësimit; ndjek probleme të ndryshme metodike e didaktike.

Ish – drejtori i nderuar Vasil Kamami ka shkruar “Musa Tafa është një shembull i mirë për t’u pasur parasysh nga mësuesit e rinj dhe nga mësuesit e ardhshëm. Pasioni i tij, dashuria e tij për profesionin e nderuar të edukatorit të brezave të rinj janë për t’u admiruar.”
Është detyrim moral, njerëzor, qytetar për t’i kujtuar e mos i lëmë në harresë, aq më tepër që Elbasani ka nxjerrë shumë figura të nderuara të arsimit.