30 ditët e Ramazanit në Elbasan kaloheshin si ditë feste. Besimtarët muslimanë agjëronin 30 ditë, duke përjashtuar nga agjërimi fëmijët nën moshën 14 vjeçare.

Hahej dy herë në ditë, yftar dhe syfyr, të cilët paralajmëroheshin me një të shtënë topi. Për yftar topi zbrazej në aksham, ndërsa për syfyr në mesin e natës. Personi që zbrazte topin rrinte tek dera e Xhamisë me një dru të gjatë në dorë, me të cilin mbushte topin. Ky person ishte i pajtuar nga zyra e kadiut. Për yftar, çdo mysliman thërriste edhe shokët e vet kristianë. Një gjë e tillë bëhej edhe për syfyr. Gjatë yftarit  muslimanët vizitonin dyqanet e njëri – tjetrit.  Vizita bënin edhe gratë tek njëra – tjetra.

Me rastin e Ramazanit për iqini binte daullja në mes të qytetit, mbi Portën e Kalasë, për të “lajmëruar” gratë që të bënin gati yftarin. Për Ramazan kishte shumë lëvizje nëpër qytet. Pazari rrinte hapur deri në mesnatë, kurse kafenetë deri në mëngjes. Kur vinte momenti i faljes së Teravitit, atëherë kur gratë e burrat faleshin në xhami nuk kishte lëvizje, pas saj fillonte sërish gjallëria. Daullexhiu dilte 30 netë rresht nëpër lagje dhe mbidhte para nga ata që kishin dëshirë t’i jepnin.

Pas 24 ditëve të Ramazanit është “Nata e Kadrit”, një natë e mirë, me rastin e së cilës këndohen “Hatme”në varreza. “Hatmja” që bëhet në varreza ditën e Natës së Kadrit vlen për një vit.

Pas Natës së Kadrit festohet Bajrami i Madh.

Xhamia e Ballijes

Xhamia e Ballijes