Doktor Mexhit Kruja, lindi në Peqin në një familje të mesme qytetare më 23 prill 1932. Familja e tij njihej si një familje me tradita patriotike e lidhur me qarqe përparimtare.

Mexhit Kruja

Mexhit Kruja

Shkollën fillore e kreu në qytetin e Peqinit në vitet 1938-1942. Me hapjen e shkollës Unike, u regjistrua në të dhe e mbaroi me rezultate shumë të mira, duke u cilësuar si nxënësi më i mirë i saj.

Në vitin 1948 iu akordua bursë për në Politeknikumin Mjekësor, të cilin gjithashtu e mbaroi në vitin 1951 me rezultate të shkëlqyera. Po në këtë vit atij iu akordua një bursë studimi për në Fakultetin e Mjekësisë në Budapest, Hungari, e cila iu anullua një ditë para nisjes nga regjimi i asaj kohe.

Në këto kushte, më 1 gusht 1951 deri në 15 shtator 1952 ai punoi si ndihmës mjek pranë spitalit civil të Korçës. Po atë vit atij iu besua të jepte mësim në shkollën profesionale të infermiereve të hapur në këtë qytet.

Me hapjen për herë të parë të Fakultetit të Mjekësisë në Tiranë në vitin 1952, Mexhit Krujës iu akordua po këtë vit një bursë për në këtë Fakultet, të cilin e mbaroi me rezultate të shkëlqyera në vitin 1957.

1 gusht 1957, filloi të punojë si mjek në spitalin civil të Elbasanit, për tre muaj dhe në shtator 1957 u dërgua në spitalin e Gramshit ku u dallua për punën e përkushtuar dhe me integritet etik e profesional, për të cilën është vlerësuar edhe nga Seksioni i Shëndetësisë pranë Komitetit Ekzekutiv të asaj kohe. Në rrethin e Gramshit, Dr. Mexhit Kruja ka punuar deri në vitin 1963. Në këtë vit transferohet në Maternitetin e Tiranës ku kreu specializimin për obstetër-gjinekolog nën drejtimin e Profesor Dr. Viktor Theoharit dhe Profesor Dr. Ilir Gjylbegut. Në këtë institucion Dr. Mexhit Kruja shërbeu deri në janar 1966, vit në të cilin u transferua në Maternitetin e qytetit të Elbasanit fillimisht si mjek obstetër-gjinekolog (1966-1967) dhe pastaj si drejtor i Spitalit Obstetrik Gjinekologjik, detyrë që e kreu me profesionalizëm dhe përkushtim deri në fund të jetës së tij më 6 maj 1981.

Dr. Mexhit Kruja, i ka shërbyer për më shumë se 5 vjet një zone shumë të gjerë që përfshinte qarkun Elbasan-Gramsh-Librazhd duke qenë i vetmi mjek në specialitetin e tij në tërë këtë zonë.

Për një periudhë prej gjashtë vitesh ai punoi pa pushim dhe pa u shkëputur asnjë ditë të vetme nga spitali dhe pacientet e tij duke mos marrë as lejen e zakonshme vjetore dhe as shpërblimin përkatës sipas ligjit të asaj kohe.

Një meritë tjetër të veçantë, ai ka edhe në kontributin e çmuar që ai dha duke përgatitur kuadro të ri mjekësh. Kështu, nga duart e këtij mjeku të palodhur me aftësi drejtuese dhe nivel të lartë profesional, janë përgatitur rreth 200 kuadro, mami të fshatit, në forma të reja të asistencës në lindje, gjë që ndikoi shumë në ngritjen e tyre tekniko – profesionale, duke dhënë kështu mbi 700 orë mësim pa asnjë shpërblim.

Puna e palodhur dhe e ndërgjegjshme e këtij mjeku bëri që për disa vjet me radhë rrethi i Elbasanit të vlerësohet nga instancat shtetërore të asaj kohe. Kjo gjë vërtetohet edhe nga konkluzionet që ekipi i Ministrisë së Shëndetësisë dha në një nga kontrollet rutinë të kryer në ato vite në Maternitetin e Elbasanit duke nënvizuar:- “Punën teknike dhe të ndërgjegjëshme në Maternitetin e Elbasanit, nuk mund ta diferencojmë nga ajo e Maternitetit të Tiranës”, që mbahej si spitali më modern dhe me teknikën më të përparuar për kohën. Po kështu, pa lënë pas dore detyrat e tij në spitalin e qytetit, ai ka kryer edhe një sërë studimesh dhe botimesh shkencore në revistat mjekësore të kohës.

Dr. Mexhiti, punën e tij për ngritjen tekniko-profesionale nuk e ka përqëndruar vetëm brenda mureve të maternitetit por edhe në fshat.

Megjithë punën e rëndë dhe të vazhdueshme, natë e ditë në maternitetin e Elbasanit, ai vazhdimisht ka shkuar në fshat për të ndihmuar kuadrin mami të zonave rurale. Kudo ku ka punuar, ai është njohur si njeri rigoroz dhe mjek, profesionalist i niveleve më të larta.

Ai, edhe nëse ishte i sëmurë, sa lajmërohej për ndonjë urgjencë, natën apo ditën, nisej me biçikletë, në shi e në borë dhe për një kohë të shkurtër gjendej pranë nënës apo fëmijës së sëmurë rëndë. Artikuj të shumtë të shkruar në gazetat e kohës, fletë lavdërimi të lëshuara nga institucionet shtetërore lokale dhe qëndrore si dhe dekorime me dekorata dhe urdhëra pune të lëshuara nga Presidiumi i Kuvendit Popullor në atë kohë, janë dëshmi të vlerësimeve që Dr. Mexhit Kruja ka marrë në ato vite. Kështu, për punën e palodhur në realizimin e detyrave të ngarkuara për mbrojtjen e shëndetit të popullit, për forcimin e masave profilaktike dhe higjienosanitare, për merita organizimi dhe drejtimi të sektorit ku punonte, në vitin 1976 i është dhënë edhe Urdhri nga Presidiumi i Kuvendit Popullor: “Për shërbim të Mirë të Popullit”. Ajo që ishte më e rëndësishme ishte nderimi dhe respekti që ai gëzoi nga banorët e qytetit të Elbasanit dhe të fshatrave të rrethit Elbasan, Peqin, Gramsh, Librazhd e më gjerë.

Ai mbahet mend jo vetëm si mjek i talentuar e i palodhur, anëtar i Kolegjumit të Mjekëve; një organizëm që varej nga Ministria e Shëndetësisë ku bënin pjesë mjekët më të mirë të vendit, por edhe si drejtor i zoti i cili kishte krijuar një disiplinë të shkëlqyer tekniko-profesionale në spitalin që drejtonte. Gjatë gjithë kohës ai ka qenë një organizator i aftë dhe i përpiktë me detyrën e tij. Në marrëdhënie me punonjësit ka qenë shume i matur duke udhëhequr kolektivin me shembullin e tij personal. Nga ana profesionale e ka treguar vehten si specialist shumë i aftë duke qenë njëherazi edhe një mësues i shkëlqyer për personelin që drejtonte.

Rreth viteve 80, ai ndihmoi në ideimin dhe zbatimin e projektit për ndërtimin e Maternitetit të ri të qytetit të Elbasanit.

Me përkushtim, pa lënë mënjanë punën në maternitetin ekzistues, ndihmonte në zbatimin e projektit deri në përfundimin e tij, por që ai vetë nuk arriti kurrë t’a inaguronte, pasi vdiq më 6 maj 1981 ndërkohë që ishte duke kryer operacionin e tretë për atë ditë në spital.

Nderimin e thellë për këtë personalitet të mjekësisë, qytetarët dhe fshatarët e rretheve të Elbasanit, Gramshit dhe Librazhdit e treguan në përcjelljen e Dr. Mexhitit për në banesën e fundit. Ceremonia e varrimit të tij mbahet mend në Elbasan për përmasat e saj dhe numrin jashtëzakonisht të madh të pjesmarrësve, e cila u krye në mënyrë spontane nga qytetarët pa asnjë organizim nga pushteti lokal siç ishin rregullat e asaj kohe.

Për kontributin e tij të shquar në organizimin e shërbimit Obstetrik-Gjinekologjik të Qarkut Elbasan, Këshilli Bashkiak i Elbasanit i dha Dr. Mexhit Krujës titullin “Qytetar Nderi” në maj të vitit 2000, me rastin e 20 vjetorit te vdekjes dhe po ky institucion ne Shtator 2010 i dha emrin “Dr. Mexhit Kruja” Shërbimit Obstetrik-Gjinekologjik” të Qarkut Elbasan me rastin e 30 vjetorit të vdekjes.