Shkrim nga Ing. Bim Dakli

Lexova rastësisht një fletë kontributi për Klubin Bashkimi, të Elbasanit të vitit 1909, dhe 11 fletë-pagesa të vitit 1908, të shkruajtura nga “mësonjëse” e “mësonjës” të gjuhës shqipe, të cilët zhvilluan aktivitetin e tyre po në Elbasan. Në këto dokumente si qytetar i thjeshtë u mundova të interpretoj përhapjen e leximit e shkrimit shqip në grupet e qytetarëve dhe arsyet e alfabeteve të përdorura. Natyrisht, lidhur këto me ngjarjet historike kryesore të kohës e të vendit.

Në atë kohë përdorimi i shkrim-Leximit të shqipes, ishte i domosdoshëm për forcimin e ndjenjave kombëtare, për njohjen e shqiptarëve si komb e për përgatitjen e betejave për çlirimin e vendit nga okupatori turk. Për arsyet e për qëllimet e sipërpërmendura, patriotët shqiptarë krijuan në Stamboll shoqërinë “Drita” në vitin 1879. Por mbërritja e rezultateve të dëshirueshme në procesin e nisur në Stamboll do të kërkonte kohë.

Në çerekun e fundit të shekullit XIX, si rezultat i lëvizjeve kombëtare çlirimtare të popujve, shenjat e shkatërrimit të perandorisë së kalbur osmane po bëheshin çdo ditë e më të dukshme. Gjendja u bë dramatike në korrik të vitit 1908, kur një grup oficerësh të armatës turke të Maqedonisë, të quajtur xhonturq (ndër të cilët gjendeshin edhe shqiptarë) formuan Komitetin “Bashkimi”, i cili praktikisht u revoltua kundër Sulltanit dhe e detyroi atë të zbatonte Kushtetutën, e njëkohëshit të lehtësojë shtypjen e dhunën  që ushtronte mbi kombet e ndryshme të Perandorisë. Qëllimi i xhonturqve ishte forcimi i Perandorisë duke bindur popujt e ndryshëm  që në të ardhmen do të jetonin më mirë të lirë. Për ta bëre më të njohur këtë pikësynim dërguan emisarë në qytetet më të rëndësishmen qoftë në Ballkan, qoftë në Anadoll. Por natyrisht, dashur pa dashur lëvizja krijoi pasiguri.

Nga gjendja e re, përfituan organizatat patriotike të popujve të ndryshëm për aksionet e tyre patriotike. Shqiptarët ndër të tjera, krijuan Klubin “Bashkimi” dhe mbajtën një kongres në Manastir. Në ketë kongres u vendos  që për gjuhën shqipe alfabeti i vetëm të jetë ai latin i plotësuar me shkronjat  që imponon shqiptimi i gjuhës sonë si Ll,Sh,Nj,Zh etj.  Në atë kohë në Elbasan nuk ekzistonte një organ për koordinimin e çështjeve gjuhësore. Mendoj së si unë disa breza elbasanasish mund të çuditen po të mësojnë  qënjë shekull sot, vetëm pak individë dinin të lexonin e të shkruanin shqip. Madje edhe këto nuk përdornin të njëjtin alfabet. Në të njëtën kohë fqinjët grekë e sllavë ishin të lirë e kishin alfabetin e tyre prej shekujsh. Të nxitur nga kjo gjendje dhe pa pritur realizimin e plote të vendimeve të Kongresit të Manastirit, të influencuar prej kohësh edhe nga “Drita” e Stambollit, atdhetarët elbasanas krijuan në qytetin tonë Klubin e Shqiptarëve “Bashkimi”.

Për realizimin e qëllimeve të Klubit, patriotët elbasanas kontribuan qoftë me ndihma financiare, qoftë me vepra. Dokumenti i njohur për konfirmimin e kontributeve vlen jo vetëm për këtë fakt, por më shume për vulën e Klubit.

Arketari Ahmet

Fig 1. Vula e klubit

Arkëtari i Klubit, Ahmet Dakli shkruan dhe firmos me alfabetin latin dhe kaligrafinë që ka përdorur deri në fund të jetës, por përdor edhe vulën turqisht, akoma në gusht 1909.Vula e Klubit është me të vërtete me vlerë e me kuptim të veçantë për atë që lë të kuptosh nga ajo  kohë e nga ajo gjendje.  Në pjesën e sipërme të saj përdoret alfabeti i stambollit ndërsa në pjesën e poshtme ai latin. Shkrimi turqisht në qendër tregon se nje numër madh i elbasanasve të shkolluar njihnin vetëm alfabetin turk, megjithëse kishin ndjenja që  ishin krejtësisht shqiptare. Nga sa më sipër rezulton se në vitin 1908 në Elbasan përdoreshin tri alfabete të ndryshëm. Së fundi në vulë gjenden dy simbole kuptimplote: në dy figurat e vogla të vendosura në dy anët e e vulës kur i sheh me lupë zmadhuese dallon shqiponjën, simbolin e lartë të kombit dhe dy duart që  shtrëngohen, të cilat mendoj se nënkuptojnë se anëtaret e klubit japin fjalën e besën për bashkim e bashkëpunim për popullin shqiptar e për përparimin e vendit, dhe për bashkim midis të krishterëve e muslimanëve, toskëve e gegëve, qytetarëve e katundarëve, bejlerëve, agallarëve e të varfërve etj. Vetëm në këto kushte mund të arrihej me sukses çlirimi nga shtypja e nga prapambetja turke e sidomos  pavarësia e ëndërruar.

Natyrisht fletë-pagesa për ndihmën mujore mund të gjendet edhe në disa kopje të tjera pasi antarët e Bashkimit ishin afërsisht 150. Me të hollat e mbledhura nga Klubi paguheshin mjete e vepra për aktivitete të ndryshme patriotike, ndër këto edhe për rrogat e mësuesve që  punuan për përhapjen e shkrim-këndimit shqip. Për këtë aktivitet të fundit vlejnë si dokumente 11 fletë-pagesat shkruar nga vetë mësuesit. Dokumentet e sipër përmendura janë ruajtur nga familja ime, pasi ndihmat për Klubin “Bashkimi ” mblidheshin nga arkëtari Ahmet Dakli, daja im , ndërsa pagat e mësuesve paguheshin nga arkëtari i mësonjëtoreve të gjuhës shqipe, nga i vëllai i Ahmetit, Hysen Dakli, babai im.

Numri i fletë-pagesave, kaligrafia, emrat e 11 mësuesve e lagjja ku u zhvilluan mësimet, tregojnë që  në atë  kohë shkrim-këndimi i shqipes kultivohej nga dy grupe, të cilët dallohen nga feja e pikërisht grupi i krishterëve ortodoksë e i myslimanëve. Fletë-pagesat e paraqitura në vazhdim tregojnë fare mirë grupet në fjalë.

Flete pagesa e 1908-4

Flete pagesa e 1908-5

Flete pagesa e 1908-1

Flete pagesa e 1908-2

Flete pagesa e 1908-6

Fig 2. Disa nga fletë Pagesat

Paraqitja e firmave të mësuesve më çon në kohën e rinisë sime, kur jetoja në Elbasan, në vitet 1925-1940. Disa persona e disa ngjarje të asaj kohe i ruaj të qarta në kujtesë. Ndër mësueset dhe mësuesit e përmendur në listë-pagesat, Dhimiter Paparisto ka firmosur si drejtor i shkollës “Plotore” me dt 30.06.1927, deftesën time të vitit të dytë të fillores. Më shfaqet, si në fotografi, zonja Parashqevi, drejtoresha e shkollës femërore e cila gjendej përballë shtëpisë së Aqif Pashës, Fot Papajani e Simon Shutëriqi, si profesorë të shkollës Normale. Di, që  dhe shumë nga ata që  unë nuk i kam njohur drejtpërdrejt, kanë vazhduar të ushtronin profesionin e arsimtarit. Ështe e njohur tashmë që  disa ushtronin ketë profesion edhe përpara vitit 1908, në shkollat greke e turke të Elbasanit dhe jepnin edhe mësime shqipe fshehtas. Të gjithë janë konsideruar si pionierë e paraardhës të perhapies se shkrim-këndimit të shqipes.

Le të kthehemi tek letër-pagesat. “Mesojtoret”, siç edhe quheshin nga të gjithë mësuesit, mendoj që  ishin kurse të thjeshta pa një model të përbashkët. Ato u nqriten: 5 (pesë) në lagjen “Kala”, 3 (tre) në “Shënkoll’ (lagje të banuara kryesisht nga krishterët ortodokse) e 3 (tre) në lagjet myslimane të qytetit. Nga mësuesit 7 (shtatë) ishin të krishterë e 4 (katër) muslimanë. Në grupin e të krishterëve ishin edhe dy zonja që  cilësoheshin si mësuese të vajzave. Në vështrim të parë interesante është se në të dy grupet e popullsisë së Elbasanit, të krishterët që  përbënin pakicën, kishin nxjerre dy herë më shumë mësues sesa muslimanët.

Të gjithë mësueset e mësuesit e krishterë përdorin alfabetin e Kristoforidhit dhe shkruanin gati të gjithë me kaligrafi të bukur. Kjo rrjedh nga që  shkruanin shqip prej  kohësh dhe shpesh. Përkundrazi muslimanët përdornin bashkë me shkronjat latine edhe shkronja të një alfabeti tjetër, ndoshta edhe origjinal, pasi unë nuk e kam gjetur oriqjinën në një libër ku riprodhohen alfabetet kryesore të botës. Në tri fletë pagese, ortodoksët përdorin emrin “shtëpishtë” në vend të mësonjëtore dhe fjalën “dimnor” në vend të dhjetorit. Mendoj se vetëm këto dy hollësi tregojnë në një anë mendim e fantazi për të cilësuar sa me mirë kurset e nga ana tjetër kulture ose kuriozitet mbi Revolucionin Francez, gjate të cilit emrat e muajve u zëvendësuan me terma të sferës së bujqësisë ose të klimës së periudhës.

Në fletë-pagesat mësuesit ortodoksë shënojne datën e marrjes së rrogës në Kalendarin Gregorian, që  nis me lindjen e Krishtit (pra shënojnë 1908), kurse muslimanët atë të Muhamedit (1324). të gjithë ketë të fundit shoqërojnë firmën me vulën arabisht. Nga sa më sipër rrjedh se deri në atë  kohë midis dy grupeve të qytetareve nuk kishte një shkëmbim të plotë përvojash. ndjenjash dhe idealesh, siç e kërkonte koha dhe vendi.

Unë mendoj se arsyet kryesore që  shtyjnë intelektualët ortodoksë të shikonin më me interes oksidentalizimin (perëndimizimin) e cdo ndryshim të regjimit, të kulturës e të jetës turke duhet të kenë qenë:

  1. Dëshira atavike për të ndryshuar gjendjen e  për të shpëtuar nga sundimi otoman, i cili prej shekujsh i kishte trajtuar si qytetarë të kategorise se dytë.
  1. Mundësitë për të shfrytëzuar ndihmat e fuqive të krishtera perëndimore të  Rumanisë e Greqisë për shkollim në këto shtete.
  1. Hapësira që lejonte Tanzimati (1837-1871) për oksidentalizimin (dokumenti i quajtur “Berat”) për aktivitete e lëvizje të ndryshme.
  1. Prania personale dhe influenca e Konstandin Kristoforidhit në ambientin e vogël ortodoks si dhe veprat që  u botuan edhe pas vdekjes se tij (1895).

Mësuesit e sipërpërmendur duhen konsideruar si pionierë të shkrim-këndimit shqip, në sa më sipër paraqitet gjendja historike e asaj kohe. Pavarësia, luftërat botërore, komunizmi gjysmëshekullor e mbi të gjitha arsimimi  kanë ndryshuar krejtësisht vendin. Në fakt disa miliona vajza e djem brez pas brezi si studentë në bankat e shkollave kanë formuar kulturën e tyre, janë njohur me njëri-tjetrin,  kanë lidhur miqësi,  kanë jetuar përvoja të njëjta dhe  kanë forcuar themelet e kombit. Edhe për këto arsye dy grupet fetare edhe kur ruajnë fetë e zakonet e trashëguara nuk dallohen në aspiratat e në idealet kombëtare. Këtu në bazë të pervojës personale deklaroj me kënaqesi se shqiptarët persa i përket respektit reciprok fetar, janë ndër popujt më të qytetëruar të botës.

Farat e para për krijimin e kësaj gjendjeje i mbollën edhe personat e përmendur në ketë shkrim. Për ketë meritojnë të kujtohen e të nderohen ng ate gjithë brezat që vijnë.

Romë 10.07.2008

(Shkrim I botuar më pare ne gazetën “Java Elbasan” me 21 Shkurt 2008)