Migena Kapllani,
(Mësuese letërsie në shkollën Kostandin Kristoforidhi)

Shpesh kemi humbur rrugën në kërkimet historike, ashtu siç mund të humbasë një fëmijë nëpër rrugicat e shumta të kalasë së Elbasanit, qytetit tim. Rrugë të pashënjuara kund, gjuha e vjetër e rrugëve ngatërruar me gjuhën e re të emërtimeve. Dyer të vjetra me pllaka të reja, të heshtuara e të shtrembëruara nga koha. Diku kërcet shkëlqimi i gënjeshtërt e midis degëve të portokalleve, fshihen bukuritë karakteristike të lagjes. Pëshpëritet historia e tyre dhe çdo ditë gërryhen nga lagështia e hijeve të ndërtesave betonit.
Gjendem në një vend me shenjë, në oborrin e kishës së kalasë me historinë e saj, e përbri ndërtesa e Kongresit me një fakt të vjetër të fshehur pas. Aty ku më parë ngrihej një shkollë me emrin Kostandin Kristoforidhi, [Elbasani enciklopedi, fq. 212] aty u mbajt edhe Kongresi i Elbasanit. Pikërisht në sheshin përpara kësaj ndërtese, gjendet varri i Kristoforidhit, me një punim të skulptorit të madh Odise Paskali.
Lerë dhe rritur në këto rrugë të kalasë së Elbasanit, Kostandini, u bë “Kristofori”, (Krishtëmbajtësi) për të gjithë besimtarët e mbi të gjitha, rilindas për të gjithë shqiptarët. Figura më e madhe në fushën e përkthimit në shqip, Kostandin Kristoforidhi i përktheu shkrimet e shenjta në dy dialektet: gegë me alfabet latin dhe toskë me alfabetin grek. Njeriu i fjalës i cili sot hesht dhe pse i la gjuhës një Leksikon me 12000 fjalë të mbledhura si një pasuri me vlera leksikografike dhe ndër të parat më të rëndësishme; një fjalës i mbledhur nga gjuha e gjallë “anë e mb’anë e kant mbë kant”, nga veprat e Budit e të Bogdanit si dhe nga një dorë neologjizmash të krijuara nga autori gjatë përkthimeve.
Të gjitha këto e të tjera punë që bëri për vendin e tij, më shtyjnë të jem e vëmendshme ndaj këtij njeriu të madh të letrave, tani, në përkujtim të 120 vjetorit të vdekjes.
Në lutjen Ati ynë, përkthimi i Kristoforidhit tingëllon: “U baftë dashunimi yt, si në qiell, edhe në dhet.” Ky është njeriu që përktheu fjalën ‘vullneti’ me fjalën ‘dashunimi’, për t’u folur njerëzve me gjuhën e jetës dhe të dashurisë, pasi në emër të dashurisë për njeriun bëri çdo punë.
E në emër të saj, edhe unë ndërmora një udhëtim nëpër rrugicat e kalasë me nxënësit e mi, për ta vizituar e kujtuar njeriun që i ka dhënë emrin shkollës sonë, gjimnazit “Kostandin Kristoforidhi”. Të etur për të njohur rrënjët e tyre, disi hutueshëm, ecnin nëpër rrugë, por nuk kishin në sy seriozitetin e duhur. U shndërrova në ciceronin e tyre në çdo cep, për t’u tërhequr vëmendjen. Jemi çmësuar me vlerat dhe e pata të vështirë t’i josh me këto rrugë përballë konkurentëve teknologjikë.
Nisemi me ngulm të takojmë skulptorin Dhimitër Telezi, i cili mund të na hapë derën e shtëpisë ku gjendet pllaka “Këtu lindi dhe banoi Kostandin Kristoforidhi, rilindas i shquar dhe babai i Gjuhës Shqipe Mësues i Popullit. 1827-1895”.
Po aty gjenden dy pllaka të tjera që tregojnë se ka lindur në këtë shtëpi edhe Simon Shuteriqi me Dhimitrin, djalin e tij. Një rastësi e çuditshme dhe e pavërtetë.
Për habinë tonë, pas një ligjërate të gjatë mbi figurën e rilindasit, prof Telezi na thotë me shpoti: “Nuk është kjo shtëpia ku ka lindur Kostandini. S’mund të jetë një shtëpi e tillë e vogël shtëpia e njeriut të madh.” Dhe na drejton të gjithëve disa metra më tutje në rrugicën e Popave, aty ku gjendet shtëpia e Dhimitër (Mima) Bibaja, dhëndrit të Kristoforidhit.
Për të mësuar më tepër, m’u desh të shfletoja librin e Fatbardha Nergjonit, “Kristoforidhi, një vështrim rinjohës, monografi dhe dokumente. Filipi (djali i K. Kristoforidhit) nuk e lë të pazgjidhur dilemën e shtëpisë ku lindi Kristoforidhi. Ai e përcakton mjaft mirë në një letër të 19 nëntorit të vitit 1963, ku thotë se Kristoforidhi lindi në shtëpinë ku ka jetuar më pas dhëndri i tij Dhimitër Bibaja. Po aty, [fq. 88], Filip Kristoforidhi në jetëshkrimin e të atit thotë se “Kristoforidhi lindi në Elbasan më 1830 dhe vdiq më 25 shkurt 1895, 64 vjeç. Ishte i biri i vetëm i Tas Nelkos Kujunxhiut. Ishte 18 vjeç kur mbaroi gjimnazin e Janinësë e vajt në Maltë e hyri në kolegj të protestantëve… Kristofor Kolombi zbuloi Amerikën kurse ky shpifi abenë shqipe…”
Atë ditë desha t’i jap një leksion historie nxënësve të mi. Ata janë kostandinsa, gjuha që përdorin të rinjtë me njëri-tjetrin prej shkollës ku studiojnë. Duhet të jenë krenarë që janë nxënës të kësaj shkolle dhe të këtij njeriu të madh të qytetit. Por përsëri ne humbëm mes pllakave të reja të shtëpive të vjetra. Unë do doja të vendosej një pllakë mbi shtëpinë ku vërtet ka lindur Kristoforidhi me shënimin që ka kërkuar i biri Filipi:
“Këtu ndë kët shtëpi lindi
Kostandin Ndelkua, mbë 1830
Ose Kristoforidhi
Pseudonimin që përdori për veprat e tij.
Afrojh-u, o vëlla, që të them se kush jam! Mbë quajn Kostandin Kristoforidhi, linda ndë kët shtëpi mbë 1830, vdiqa nd’Elbasan mbë 1895. Ato qi më ngulën këtu, duan t’ju dëftejn se për gjithë jetën punova me pendën ndë dorë dhe përdava mbë katër anët’ e Shqipërisë farën e diturisë për ndriçimin e gjuhësisë dhe rilindjen e Kombit t’onë. Dhe ti, o vëlla, qofsh shqiptar ose i huaj, puno pa kursim për të mirën e kombit, dhe mos prit ndonji shpërblim për këtë detyrë atëdhetare.
Udh’ e mbarë! [F. Nergjoni f.107]
Nuk e di nëse shenjat e munguara nëpër rrugët tona do ia vështirësojnë udhëtimin nxënësve të mi, por unë besoj se ata nuk do e lënë me kaq. Kjo gjë do t’iu jetë ndihmë kur t’u kthehen sërish kujtimeve të rrugicave të qytetit tonë.