Prej shumë kohësh në Elbasan jeton fisi DYLGJERI, si dhe një degë tjetër e këtij fisi banon në Metaj të Fierit. Megjithatë nuk ka asnjë dokument burimor të saktë në arkivat tona që të tregojë se nga dhe kur ka ardhur në Elbasan ky fis, sa vetë ishin, ku u ngulën fillimisht, me çfarë janë marrë, kush ka qenë statusi i tyre social, u vendosën fillimisht në Elbasan apo në Fier, kur u bë ndarja etj. Në kushtet e zbrazëtirës totale të informacioneve, në këtë shkrim do të zenë vend transmetimet e dhëna me gojë nga brezi në brez, si dhe Legjenda e Pusit që Lahet Vetë – Pusi i Dylgjerhysenit në Elbasan. Dihet mirëfilli se ne jemi shtet relativisht i ri dhe regjistrat e popullsisë për kohë më të vjetra gjinden në Stamboll, por që praktikisht është e pamundur që të hulumtohen. Pra, unë nuk mendoj që do të jap një definicion të plotë të historisë së fisit Dylgjeri, por do të shënoj gjithçka që kam dëgjuar, pa përjashtuar asnjë variant kundërshtues.
Një nga xhaxhallarët e tim eti, i quajtur Tahsim Dylgjeri që para shpalljes së Pavarsisë ka studiuar për drejtësi në Stamboll, ka thënë se “ne jemi brezi i trembëdhjetë që rritemi në Elbasan”. Nuk e di se çfarë mundësish ka pasur ai për shfletimin e regjistrave të popullsisë, apo kush ia ka thënë. Nëse këtë e marrim të mirëqenë dhe pranojmë që një brez apo gjeneratë është përafërsisht 25 vjeç, ne pinjollëve të këtij fisi sot (brezi i 15) na takon të themi se jemi vendosur në këtë qytet 375 vjet më parë.
Më kanë thënë se në pjesëzën “Shqipnija 200 vjet mȃ parë” të librit Şejjahatnamesi (Shënime udhëtimi) të kronikanit osman Evlija Çelebiu (përkthyer nga Salih Vuçiterna në vitin 1930), thuhet se “…..fisi Dylgjeri është ndër 10 fiset e para që është ngulur në Elbasan”. Ky udhëpërshkrues i Portës së Lartë ka vizituar Elbasanin në nëntor të vitit 1660. Kjo dëshmi mund të merret në konsideratë.
Me interes rreth kësaj teme është edhe libri i Kostandin Dylgjerit mbi origjinën e degës Dylgjeri të Fierit. Sidoqoftë, për ekzistencën e degës së Fierit unë kam dëgjuar shumë vonë pasi tek ne në Elbasan nuk dihej gjë dhe çdo kujtim që kishte lidhje me ta, ishte shuar nga koha e gjatë. Mbaj mend që rreth 30 vjet më parë kam lexuar në një gazetë të kohës një artikull me autor Mihal Dylgjeri. Më bëri shumë përshtypje emri dhe kam pyetur tim atë, i cili nuk dinte gjë dhe nuk më dha asnjë përgjigje interesante. Si do që të jetë e vërteta e ndarjes së këtyre dy degëve, pra Dylgjeri të Elbasanit dhe Fierit, vihen re diferenca. Ne banojmë larg njëri-tjetrit, banojmë në zona urbane dhe rurale, si dhe kemi origjinë fetare të ndryshme. Megjithatë, ne të gjithë jemi DYLGJERI, i njëjti fis dhe e respektojmë shoqi-shoqin. Kaq na mjafton.
E pra, një gojëdhanë e vjetër na thotë që prejardhja jonë është nga Dibra e Madhe. Para dy vjetëve më ka treguar një miku im se në Dibër të Madhe ka ende fis shqiptarësh me mbiemrin DYLGJEROVSKI. (Natyrisht, prapashtesa në këtë mbiemër nënkupton përpjekjet e pushtetit sllav për asimilimin e shqiptarëve). Ka edhe detaje të tjera, në dukje të parëndësishëm që ndoshta e përforcojnë këtë hipotezën e prejardhjes nga Dibra e Madhe. Kështu psh, ne në zhargonin tonë përdorim shpesh fjalën shpotitëse “…ah dibran” për fëmijët tanë të vegjël që tregohen kokëfortë etj.
Jam interesuar për etimologjinë e fjalës Dylgjeri që në shqip nuk ka kuptim dhe nuk ofron asgjë, por ka qenë e pamundur për të gjetur përgjigje. Thuhet se është fjalë turke, por në të vërtetë është fjalë me origjinë osmane. Siç dihet, osmanishtja ishte një gjuhë me strukturë të përzier ndërmjet turqishtes, arabishtes dhe persishtes. Një miku im ka pyetur një profesor turk mbi kuptimin e fjalës Dylgjer, i cili i kishte thënë se bëhet fjalë për një shprehje që nënkupton një person që merret me profesion, zanat, dikush që bën diçka me duart e tij etj. Pra, le të themi mjeshtër, usta.
Tek ne në Elbasan është i përhapur mendimi se në zanafillë Dylgjersit janë marrë me peshimin e ujrave, çka do të thotë se ata kanë hartuar dhe ndërtuar vepra hidrike si, kanale ujitës, diga të thjeshta, rema uji për mullinj, puse për ujë të pishëm etj.
Pusi që Lahet Vetë ose Pusi i Dylgjerhysenit
Por, që të kemi një kuptim më të qartë dhe sa më afër të vërtetës mbi prejardhjen dhe kohën e Dylgjerve të Elbasanit, duhet patjetër që të analizohet legjenda e Pusit që Lahet Vetë në Elbasan, i njohur përndryshe edhe si Pusi i Dylgjerhysenit. Është ky toponim i famshëm që ngjall kureshtje jo vetëm tek ne që mbajmë këtë mbiemër.
Pusi që lahet vetë……
Ky pus (sot konsiderohet objekt muzeal dhe Monument Kulture) ndodhet në lagjen “Partizani” të Elbasani. Dikur kjo lagje quhej “Karavelije”, ndërsa rruga ku ndodhet pusi quhej “Dylgjerhysen”. Sipas legjendës, e cila me kalimin e viteve është veshur edhe me elementë mistikë dhe folklorikë, ky pus lahej vetë dy herë në vit. Pra, në pranverë dhe në vjeshtë rritej niveli i ujit i cili derdhej jashtë grykës së pusit duke kryer edhe larjen e mureve të gurta. Larja e pusit bëhej vetëm natën dhe askush nuk ka arritur ta shohë, por në mëngjes herët periferia e pusit ishte e mbushur me ujë të shumtë. Thuhej se nëse dikush e shihte pusin duke u larë, atëherë ai person do të vdiste shumë shpejt. Unë mendoj që larja e pusit edhe mund të ketë ndodhur, por për shkaqe natyrore. Ky pus ndodhet fare pranë përroit të Zaranikës dhe ndoshta furnizohet me ujë nga baseni nëntoksor i këtij përroi. Zaranika ka një reliev shumë të theksuar me pjerrësi nga veriu në jug dhe sjell ujra të rrëmbyeshëm gjatë periudhës së shirave në pranverë dhe vjeshtë.
ose Pusi i Dylgjerhysenit.
Në vazhdim të kësaj legjende thuhet se ka qenë një usta i quajtur Hysen që ndërtoi këtë pus. (Të dhënat janë kontradiktore sepse disa mendojnë që kanë qenë dy vëllezër të quajtur njëri Dylgjer dhe tjetri Hysen të ardhur nga Arabia që kanë ndërtuar pusin). Usta Hyseni mbërriti në Elbasan nga fshati Zabzun i Librazhdit. Ai mori përsipër dhe ndërtoi këtë pus dhe pasi mbaroi punën, hodhi brenda tij çekiçin dhe sqeparin me të cilët punoi. Më pas ai u martua me një vajzë vendase dhe trashëgoi shumë fëmijë.
Në vazhdim të legjendës duhet thënë se usta Hyseni konsiderohej si njeri i shenjtë dhe i pajisur me veti çudibërëse. Bishtin e çekiçit të tij ai e mbolli pranë pusit dhe aty u rrit një rrap madhështor, në gjethet e të cilit shquheshin germa arabe sa herë që dilte Hëna e Re. Pranë pusit u ndërtua edhe xhamija dhe besimtarë të shumtë vinin për të kryer ritin e faljes. Banorë të lagjes dhe besimtarë të tjerë nga qyteti dhe rrethinat mbushnin ujë me shishe nga ky pus dhe i futnin brenda dy gjethe nga rrapi i pusit duke u lutur: – O Hȃnë e Re, O Hȃnë e Lashtë, Zoti të na dashtë!. Më pas me këtë ujë ata lanin sytë dhe pjesën tjetër e merrnin me vete. Po aty pranë xhamisë ndodhej edhe një teqe, si dhe në rrëzë të trungut të këtij rrapi u ngrit një Vend i Mirë, ku besimtarët luten e ndezin qirinj. (Në të vërtetë nuk dihet kush ka qenë ndërtuar e para, xhamija apo teqja. Nëse sqarojmë që në Perandorinë Osmane mjeshtrat e zejeve të ndryshme i përkitnin sekteve të shumtë mistiko-sufistë, atëhere ka shumë mundësi që në fillim të ketë qenë ndërtuar teqja).
Po le t’i referohemi historisë. Kështjella e Elbasanit u ringrit nga osmanët mbi gërmadhat e Skampës ilire, në vitin 1466. Ky ka qenë i vetmi sukses i osmanëve, pas dy disfatave të turpshme që ata pësuan nga heroi ynë kombëtar Skënderbeu në Krujë. Fillimisht kjo fortesë kishte karakter ushtarak dhe siguronte lëvizjet e karvaneve të ushtrisë osmane përgjatë Rrugës Mbretërore ose Udhës Egnatia. Mirëpo falë pozicionit gjeografik, udhës Egnatia ku qarkullonin mallra të shumtë, si dhe qetësisë që sigurohej nga garnizoni osman i kalasë, shumë shpejt fushat përreth kalasë (varoshet) u populluan me banorë nga fshatrat përreth. Kështu, njëqind vjet pas themelimit të kalasë së Elbasanit vihet re një zhvillim i vrullshëm i tregtisë dhe zejtarisë. Kjo popullsi që sa vinte dhe shtohej kishte nevojë edhe për infrastrukturën e kohës, si rrugë, dyqane dhe puse uji. Pikërisht kjo është koha kur mund të ketë ardhur edhe usta Hyseni, ose Dylgjerhyseni në Elbasan, të cilin ne e konsiderojmë si themeluesin e fisit tonë.
Në vitin 1967 kur feja tek ne u ndalua me ligj që u shoqërua edhe me shkatërrimin e pjeshëm të objekteve fetare, Pusi i Dylgjerhysenit u prish dhe u mbush me hedhurina të ndryshme. Por, pas ndërrimit të sistemit ky pus u pastrua dhe u riparua me shpenzime personale nga familja Bitoci që banon aty pranë.

Fisi_Dylgjergji

(Megjithatë ky shkrim mbetet i hapur dhe kushdo mund të sjellë materiale të tjera shtesë)

Përgatiti: Bukurosh Dylgjeri, Elbasan, Janar 2015.