Babai im Mehmet Molloholli në bashkëbisedim me xhaxhain e tij, mësuesin veteran Maliq Molloholli, ka mësuar se nga hulumtimi i tij, origjina e fisit Molloholli rrjedh si vijon.

Në fillim të shekullit XVII rreth vitit 1600 në Elbasan vjen nga Stambolli një turk i caktuar mesues që turqisht i thone mullah. Ai martohet me një vendase me të cilën pati një djalë emri turk i të cilit në shqip kishte vështirësi për tu përdorur, prandaj vendasit për lehtësi e thirrnin O-Mullah-Olli (Mullahoglly) që në shqip do të thotë o “biri i mësuesit” ose “djali i mësuesit” ngaqë babai i tij ishte mullah (mësues). Me kalimin e viteve ky ofiq u bë mbiemri i fisit Mullah-Olli, i cili rezistoi që të quhej kështu deri vonë . Babai më thotë se deri në vitet 1950-1952 në tabelën e dyqanit të atit të tij shkruhej rrobaqepes Hamid Mullaholli madje edhe xhaxhai im Sulejmani përdorte këtë mbiemër deri nga vitet 1956-1957. Më vonë nuk dihet se nga kush dhe perse u ndryshua në Molloholli që ekziston edhe sot.

Historikisht në fisin tonë kanë mbizotëruar profesionet mësues, rrobaqepës, berber, profesione që gjithmonë për kohën kanë qene të preferuara, sepse siguroheshin të ardhura të bollshme për jetesë të mirë. Gjyshi im Hamidi i datlindjes 1908 profesionin si rrobaqepës e mori në Durrës ngaqë kishte me banim atje vëllain e tij Ymerin i cili ia besoi si cirak një mjeshtri rrobaqepes orthodoks durrsak. Ai mbasi pervetesoi zanatin si rrobaqepes kthehet për ta ushtruar profesionin në qytetin e tij Elbasan me 1928. në ato vite rrobaqepsia dominohej krejtesisht nga orthodoksit elbasanas që ishin të organizuar mjaft mire në atelien e rrobaqepseve të qytetit. Ai iu nenshtrua provimit një dite të tere nga mengjesi deri në mbasdite në prani të te gjithe anetareve të komisionit dhe mori të drejten e ushtrimit të profesionit dhe të hapjes të dyqanit.

Gjysh Hamidi ka qene një mysliman i devotshem, por që kishte miqte e tij me të mire orthodoksët i lidhur miqësisht me familjet Paparisto, Gjoni, Deliana, Jorgaqi, Nica, Xhufka etj, familje shumë të nderuara të qytetit të Elbasanit. Ai gjithmonë i ishte mirënjohes atyre sepse sic thoshte – “jo vetëm që me bënë të isha robaqepsi i parë mysliman në Elbasan por më ofruan fillimisht edhe klientelën e vet duke më afirmuar si profesionist.

Fisi Molloholli  është shume i vjetër rreth 400 vjecar por jo i përhapur për arsye se në gjeneratat e njëpasnjëshme  kanë dominuar lindjet e femrave dhe pak meshkuj që të mund të perhapnin më tej mbiemrin.

Gjyshja e babait tim Asia i ka treguar se shtëpia e tyre ka qenë e madhe ngaqë jetonin të gjithë në bashkësi . Në vitet 1900-1910, Ismail Bej Vërlaci me të cilin ishin komshinj në këmbim të shtëpisë se tyre të cilën e donte për shtëpi pritjeje i dha tre shtëpi të tjera duke bërë të mundur ndarjen e fisit në tre degë, në atë të Sulejmanit, në rrugën e Levones, sot rruga Fiqiri Balza, të babait të Demirit, te pusi që lahej vetë, dhe të gjyshit të Abdylit dhe Ali Mollohollit tek rruga pranë çezmes Dokuzës, sot rruga Rinia .

Babai im Mehmeti më ka treguar se Prof. Dr. Pavli Haxhillazi në hulumtimet e tij mbi gjuhën shqipe, ka konstatuar se me mbiemrin Mullaholli jetojnë edhe sot fise në Kosovë, ( Prizren edhe Pejë ) , në Turqi (Stamboll dhe Izmir) si dhe me mbiemrin Mulaoli në Velikoternova të Bullgarisë, fise të cilat nuk  kanë asnjë lidhje genetike me njëra-tjetrën, vetem se janë marrë ndoshta nga e njëjta mënyrë emërtimi.

                                                                         Nga Monika MOLLOHOLLI