Nga Bukurosh Dylgjeri

Në fund të vitit 1942 studentët e Normales në Elbasan vunë në skenë një pjesë teatrale të titulluar “Triumfi i Lirisë” e patriotit Kristo Floqi. Ishte një traditë e bukur e studentëve dhe pedagogëve të kësaj shkolle të famshme që në çdo fundviti të organizonin nga një aktivitet artistik.

Mirëpo kësaj here kishte një ndryshim të madh, pasi për herë të parë u aktivizuan edhe aktore femra. Dhe këto studente ishin Mynever Zaimi e Liri Hakani të cilat përkundër fanatizmit fetar dhe shoqëror, morën përsipër daljen në skenën teatrore. Për mua ky ka qenë elementi më i çmuar i kësaj lëvizje kulturore në Elbasanin e kohës, simbol i emancipimit qytetar. Në të shkuarën rolin e femrave e loznin djem të veshur si gra.

Melodrama “Triumfi i Lirisë” ka subjekt ngritjen e flamurit kombëtar shqiptar në Vlorë dhe shpalljen e Pavarsisë më 1912 nga pushtimi osman, por kjo pjesë u përshtat për bukuri në kushtet e atëhershme të pushtimit fashist italian. Gjithçka materiale u gjet dhe u krijua nga vetë studentët, kostumet, grimi, paruket, perdet, ndriçimi etj.

Skena përbëhej nga kori vokal i studentëve të klasave të larta me bariton Jani Fullani që ishte në rolin e cubit dhe  tenor Savë Kavaja. Në rolet e tjera ishin: Fadil Bardhi lozte Ismail Qemalin, Andon Pano lozte Skëndo Gjatën, Liri Hakani lozte nënën, Mynever Zaimi lozte Lulen (e bija e Skëndos), Marko Karoli lozte b/shortin e Lules, Shefqet Leka lozte Mihal Gramenon, Hysen Lamçe lozte Çerçiz Topullin, si dhe në rolet e luftëtarëve të lirisë ishin Dragush Frashëri, Xhaferr Fejzo e Beqir Dardha etj.

Prova e parë e përgjithëshme u krye në ambientet e konviktit “Ali Agjah Bej” më 31 dhjetor 1942 dhe pas tri ditësh u shfaq për publikun e zjarrtë  në kinema “Nacional” (sot teatri “Skampa”). Shfaqja nisi me një koncert të shkurtër vokal dhe Hymnin e Flamurit. Nën brohoritjet e spektatorëve të ekzaltuar ku nuk munguan parullat antiitaliane, nisi loja teatrore. Ngado kishte veç duartrokitje dhe shpesh batutat e aktorëve as që dëgjoheshin fare. Deri në fund të shfaqjes shikuesit e akomoduar në plate dhe në lozhat e sipërme qëndronin në këmbë duke manifestuar hapur urrejtjen për pushtuesin, ndërsa dashurinë për aktorët e tij ky publik e shprehte me entuziazëm të shfrenuar dhe devocion pothuajse patetik. Ndonëse kjo ishte një trupë amatore studentësh, suksesi ishte i garantuar në këtë mjedis tepër stimulues, dhe kërkesat për përsëritjen e lojës së tyre ishin të panumërta.

Në fund të shfaqjes nuk munguan edhe situatat komike, veçanërisht për aktorin që lozi rolin e spiunit i cili u anatemua dhe u ofendua, pasi e mendonin të tillë edhe jashtë skenës. Kurse aktorët e roleve pozitivë u bartën në krahë deri në Sheshin e Tabakëve aty pranë.

Në ditët që vijuan u dhanë edhe dy shfaqje të tjera, një për ushtarët shqiptarë në Krastë dhe një tjetër për publikun. Autoritetet pushtuese të alarmuara nga

nxitja e ndonjë revolte, ndaluan çdo shfaqje tjetër. Megjithatë, jehona dhe mesazhi që përcolli kjo trupë e thjeshtë teatrore ishin të padiskutueshëm.

Dhe kjo ka ndodhur në Elbasanin tonë. Më thoni një qytet tjetër në Shqipërinë e pushtuar të asaj kohe, ku djem dhe vajza shkollarë, bashkë me spektatorët atdhetarë të kenë kundërshtuar pushtimin e huaj në këtë mënyrë kaq të kulturuar?!

Drama "Triumfi i Lirisë", 31.12.1942, Arkivi Digjital Elbasan

Drama “Triumfi i Lirisë”, 31.12.1942

 

Kush ishte Kristo Floqi? (1876? – 1951)

Ja ç’na tregon e afërmja e tij zj. Frida Bozhori.

“Kristo Floqi ka lindur në Korçë më 1876. Mbaroi për jurist në Greqi dhe emigroi në Amerikë. Qe një nga katër themeluesit ”Vatra”, redaktor i gazetës ”Dielli” dhe drejtonte në New York gazetën ”Zeri i popullit”. Mori titullin Doktor në New York në jurisprudencë dhe u kthye në atdhe mbas Luftës -I- Botërore. Në 1919 drejtoi gazetën ”Agimi”. Në 1920 qe deputet i legjislaturës e ministër i arsimit. Qe studjues, jurist për të drejtat themelore, elementët e ekonomisë politike. Bëri predikim mbi nacionalizmin dhe patriotizmin.

E cilësonin si Molieri i Shqipërisë, mbas 23 komedive të shkruara. Shkroi dhe 6 drama e botime me karakter politik, juridik e ethnologjik. Drama e tij ”Fe dhe kombësi” u botua në1914 në Sofie nga shtëpia botuese ”Kristo Floqi”. Shkrojti edhe tekstin e himnit të mbretit Zog duke e paguar shumë shtrenjtë se e luftoi Fan Noli dhe më vonë sigurisht edhe diktatura komuniste. Qe dhe në muzikë i talentuar. Loste kitarën me sy mbyllur, qe pjestar i mandolinatës së Korçës, të cilën e themeloi njëri nga vëllezërit e tij, Thanas Floqi, bashkë me grupin e parë theatral të këtij qyteti. Ka jetuar në Tiranë dhe shtëpia e tij, e cila sigurisht iu mor nga diktatura, është sot vila Gold.

Dekorohet në 2014 nga presidenti Bujar Nishani me dekoratën ”Nderi i kombit” për veprimtari për Shpalljen e Pavarsisë, për ” Vatrën” dhe si homazh për përndjekjen nga diktatura komuniste. Dekoratën e mori mamaja ime si e vetmja mbesë e Kristos, që jeton. Dhe e donte shumë time ëmë, deri sa i kërkoi gjysh Thanasit ta adoptonte, gjë që e kundërshtoi vëllai i mamasë Vasili. E shoqja e Kristo Floqit, Urania, ishte e motra e Marigo Pozios që qëndisi flamurin e ngritur në Vlorë për Shpalljen e Pavarsisë. Kristo kishte një djalë Pirro që kishte studjuar mirë në Austri dhe qe daktilografisti më i mirë. Por keq e me keq, i persekutuar… E mbaj mend kur na vinte fshehurazi në shtëpi e i jepnim ndonjë rrobë ose pak pare”.

 
77