Çdo komunitet shoqëror gjatë jetës së tij krijon rregulla, zakone e rite sipas kushteve shoqërore dhe ekonomike në të cilat jeton. Të gjitha këto të marrura së bashku drejtojnë jetën që ecën përpara në mënyrën më të mirë të mundëshme. Përparimi i jetës shumë nga këto zakone e rite i ndryshon duke i përmirësuar e duke ua përshtatur kushteve të reja të kohës. Kështu ka ndodhur edhe në komunitetin ortodoks të lagjes Kala të Elbasanit.

Popullata e kësaj lagjeje ka qenë gjithnjë e vogël dhe thuajse e mbyllur brenda vetes dhe e rrethuar nga një shumicë muslimane . E ndodhur në kushte të tilla, martesat bëheshin kryesisht brenda lagjes ose midis familjeve të Kalasë e atyre të lagjes Shënkoll, një komunitet tjetër ortodoks, i vogël e kompakt.

Martesa në Kala ka qenë gjithmonë një festë familjare ku merrte pjesë gjërësisht thuajse çdo familje e saj. Kjo vinte për shkak të lidhjes së fortë fisnore, që ishte krijuar prej më se një shekulli. Lidhja martesore midis dy të rinjve bëhej pa njohjen të ndërsjellë të çiftit. Vajza e Kalasë, sapo arrinte moshën e adoleshencës, mbyllej në shtëpi. Lidhjet e saj me lagjen ishin shumë të kufizuara. Ajo shkonte vetëm te farefisi i afërm dhe gjithmonë në shoqërimin e rregullt të familjarëve. Në publik vajza kalajase shfaqej vetëm kur shkonte në Kishë në raste festash të rëndësishme fetare. Vetëm në këtë rast publiku i gjërë, sidomos ai rinor, mund ta shihte. Këto rregulla të zbatuara me përpikmëri “ruanin” nderin e familjes e të vetë vajzës. Ishte pikërisht kjo mbyllje që krijonte mundësinë e vetme për fejesa me atë të “shkuesit”. Sipas zakonit shkuesi ishte i familjes së djalit që kërkonte nuse. E kundërta nuk ndodhte. Shkuesi nisej nga shtëpia e vajzës për te burri vetëm kur kjo e fundit nuk gëzonte një emër të mirë në shoqëri.

Sipas zakonit, kur bisedimet përfundonin me sukses midis palëve vendosej të kryhej fejesa, por më parë duheshin përcaktuar kushtet e martesës. Marrëveshja përkatëse shpesh bëhej me shkrim në trajtën e një kontrate fetare dhe zyrtare. Aty përcaktoheshin kryesisht kushtet ekonomike që do të plotësonte secila palë para se të kryhej martesa.

Një “kontratë“ të tillë, të vitit 1920 e ruaj edhe sot. Ja teksti i plotë i origjinalit.

Shkresë fejese

Me anë të së cilës po dëftehet zyrtarisht, përpara dëshmimtarëvet qi po shënohen ma poshtë sikurse me u pasë bamun në notary, se Dhimitër Papa Venimini e Klopatra Bibaja lidhen së bashku kte kuvend:

1-Z. Dhimitër Papa Venemini fejohet me dashjen e vet e me vendimin të lirë të vetin me vajzën Urani, të bijën e Kleopatrës tyke qenë se këta të dy do të lidhen me martesë, mbassi u vërtetue e u vëzhgue mirë se asnji ndalim nuk vjen nga ana e nomevet të Kishës t’onë Orthodhokse.

2- Z. Kleopatra Bibaja fejon të bijën, Uranin me Dhimitër Papa Venemini, tyke u zotuemun se do t’i japi së bijës pajën e duhëshme pas zakonit të vendit.

Dëshmimtarët                                                                                                      Të interesuemit

…………………(greqisht)                                                                 ………………….. (greqisht)

Kol Andoni                                                                                            ………………… (greqisht)

Aleksandër Xhuvani                                                                                           Deliana (dhëndri)

Venemin Josifi                                                                                                 Urani Bibaja  (nusja)

                                                                                                                                     Kleopatra

 

Nga ky çift mbas 11 vitesh linda unë, si fëmija i gjashtë e i fundit i tij.

Siç duket kjo është një marrëveshje burrërore Shqiptare bazuar në nderin dhe bujarinë tonë tradicionale kombëtare. Duke e studiuar  me venendje del në pah përparimi që kishte pësuar zakoni  i fejesës.

Së pari aty bie në sy karakteri i saj kombëtar Shqiptar. Është hartuar shqip dhe në respektim shumë të mirë të rregullave gramatikore të saj. Janë përdorur me vend pikat, presjet, apostrofët e thekset, ndonëse  ende drejtshkrimi i gjuhës sonë nuk ishte krijuar. Po ashtu në marrëveshje respektohet feja duke zbatuar rregullat e saja sipas traditës sonë kombëtare.

Nga ana tjetër bie në sy emancipimi që kishte pësuar femra kalajase. Kështu aktin e nënshkruan  e ëma e vajzës, që njihet si përfaqësuese ligjore e të shoqit, i cili kishte vdekur në 1918. Kjo zonjë ishte e bija e Kristoforidhit, që ishte rritur në Stamboll dhe e emancipuar për kohën e vet.  Aktin gjithashtu e nënshkruan edhe vetë nusja, ç’ka vërteton se vajza kalajase kishte arritur të vetëvendoste për fatin e saj në jetë. Kështu në Kala gruaja nuk ishte më “flokëgjatë e mendjeshkurtër“.

Marrëveshja ishte sa fisnike, aq  edhe publike. Fisnike se nuk vendoste kushte të vështira ekonomike për t’u plotësuar. Publike sepse firmosej nga përfaqësues të shumë familjeve kalajase me emer e ndershmëri.

Së fundi palët marrëveshjen e quanin ligjore edhe nga ana zakonore por edhe nga ana juridike, ç’ka demonstron se palët kishin bërë përparime në kulturë. Gjithashtu del se brezi i vjetër i kohës nuk e kishte përvetësuar ende shkrimin shqip, prandaj në document ndodhet edhe shkrimi grek, që ishte ngulitur prej shkollës greke të Kalasë e cila funksionoi për më shumë se një shekull. Qe i vetmi institucion që shoi etjen e madhe për arsimim e kulturim të brezave të Kalasë.

E rëndësishme ështe se që të gjithë këta persona ishin me integritet në dy familjet si dhe në komunitetin e Kalasë. Dy prej tyre ishin kunetërit e dhëndërit, ndërsa i treti, A.Xhuvani, kushëriri i dhëndërit e personalitet i njohur shqiptar i kohës.

Mbas përfundimit të marrëveshjes, sipas zakonit të dyja palët shpallnin zyrtarisht fejesën. Me këtë rast nisnin vizitat uruese në secilën familje. Po ashtu nisnin edhe vizitat e ndërsjellta ku zakonisht përfshihej edhe dhëndri. Në këto vizita herë herë ishte e pranishme në pritje edhe nusja.

Mbas shpalljes së fejesës në të dyja shtëpitë nisnin përgatitjet për martesë. Te dhëndri përgatitej dhoma e fjetjes, ndërsa te nusja niste përgatitja e pajës. Çdo familje kalajase do ta bënte atë  sa më të plotë e sa më të bukur sipas mundësive të saja ekonomike.

Në përgjithësi paja përbehej nga mjetet e higjenës së familjes që do te krijohej, nga veshjet e stolitë e nuses, nga zbukurimet që do të pajisnin shtëpinë e re që po ngrihej dhe nga peshqeshet që do t’i dhuroheshin dhëndrit dhe të afërmeve të tij. Të gjitha këto gjithmonë do të kishin karakter të theksuar estetik e kombëtar.

Në grupin e parë përfshihej një kazan e një gjym prej bakri të kallajisur. Atij i shtohej edhe një koritë e madhe prej druri. Të gjitha së bashku do të shërbenin për higjenën dhe pastërtin e shtëpisë dhe të familjarëve. Këtu përfshiheshin edhe mjete të nevojshme të rastit si peshqirë, sapunë, etj.

Në grupin e dytë përfshiheshin orenditë e stolitë e dhomës së gjumit. Ato përbëheshin nga një dyshek prej leshi, një jorgan pambuku, çarçafe e këllëfe jastikësh, një velenxë leshi, etj. Të gjitha këto shoqëroheshin me një ose dy arka të bukura, që do të shërbenin si dollapët e kohës sonë. Në përgjithesi shumë pjesë të tyre ishin të qëndisura nga vetë nusja ose nga njerzit e rrethit të saj familjar.

Grupin e tretë e formonin peshqeshet e dhëndrit e të të afërmve të tij.  Ato ishin çorape, rrobe të gatshme, copa për t’u qepur në të ardhme ose edhe stoli të ndryshme.

Dy ose tri ditë para dasme kjo pajë dërgohej te dhëndri. Dërgimi paraprihej nga një ceremoni shumë e bukur që organizohej te nusja në prani të të gjitha femrave të lagjes Kala. Ceremonia quhej “Dita e faljes së pajës“. Organizimi i saj bëhej i tillë që të demonstronte vlerën ekonomike e kulturore të familjes, prandaj ajo i kushtonte një kujdes të veçantë.

Në shtëpi ekspozohej sa më mirë paja e nuses. Çdo objekt i saj vendosej në mënyrë që të binte sa më mirë në sy, sepse kështu familja demonstronte vlerat e veta kulturore dhe shoqërore. Në këtë ceremoni merte pjesë dhe një person i shkathët e i zoti që këto vlera i paraqiste sa më bukur e veprimtarisë i jepte një karakter sa më zbavitës e tërheqës. Në kohën për të cilën flas këtë  veti prej ciceroni e kryente me mjaft mjeshtëri  Dhimitër Kapedani, i njohur në publikun e Kalasë e më gjërë me emrin Miti Kiços, ose shkurt Dajë Dhimitri.

Mbasi mbidheshin të gjitha gratë e vajzat kureshtare, Dajë Dhimitri niste detyrën e tij. Merrte njërin nga objektet dhe ua paraqiste të pranishmëve duke venë në dukje me mjeshteri vlerat e saj monetare e artistike. Mbasi plotësohej dëshira e shikuesve, atëherë e mbyllte komentin e tij me shprehjen e njohur kalajase: “Kush e jep, Zoti e falte, kush e merr  u trashëgoftë!“.

Kështu vazhdonte me objektet e tjera duke i numëruar ato, duke u vënë në dukje bukuritë e tyre e duke uruar e bekuar gjithçka. Shprehjet e bukura të tij ngjallnin gëzim dhe hare midis të pranishmëve.

Fundi i ceremonisë mbyllej me paraqitjen e të dhënave që nuk perfaqësoheshin në këtë ekspozitë të bukur. Zakonisht ato ishin një shumë e madhe të hollash prej napolonash floriri, ullishtë apo drurë ulliri, tokë, ara, që vajzës i dhuroheshin nga prindëririt. Ky lajm i dhënë bukur nga ciceroni ngjallte habi dhe kureshtje të madhe që shoqërohej me komentet e rastit midis të pranishmëve.

Mbas kësaj deklatate të bujshme që shpesh i habiste të pranishmit niste dërgimi i pajës te dhendri. Çdo objekt i rëndësishëm i jipej në dorë një personi dhe vargu nisej për tek shtëpia e tij me ne krye Dajë Dhimitrin. Ky varg kalonte bujshëm nëpër rrugët e ngushta të Kalasë nga ku shihej nga të gjithë. Familja e dhëndrit e priste vargun me gëzim e me kureshtje. I gostiste që të gjithë me rradhë duke nisur nga “Falësi“ i cili me humorin e tij krijonte një festë të paharrueshme për familjen e dhëndrit, por edhe për të gjitha familjet e Kalasë.

Këtu mbyllej “falja e pajës”, por Dajë Dhimitrin e priste një detyrë tjetër, po aq e rëndësishme si e sipërmja që e organizonte dhëndri.

Të djelën bëhej dasma. Krushqit vinin te nusja. Mbasi qeraseshin e bisedonin, ngriheshin e drejtoheshin për në kishë. Pas këtyre nisej nusja që merej përkrahu nga dy meshkuj të familjes së saj dhe dërgohej në kishë. Atje vendosej përkrah dhëndrit dhe në prani të Nunit të tij, personi që i kishte vënë emrin kur ishte pagëzuar, prifti kryente ceremoninë fetare të rastit. Kur ajo përfundonte dhëndri merte përkrahu nusen dhe nisej për në shtëpi i shoqëruar nga krushqit e shumtë duke kaluar dalë nga dalë  në rrugët e lagjes. Sapo i afrohej shtëpisë, atje niste ahengu dhe brohoritjet që lajmëronin ardhjen e çastit të lumtur. Atëherë vjehrra dilte te dera dhe priste nusen. Në dorë mbante një gotë me mjaltë. Kapte gishtin tregues  të dorës së djathtë të nuses, e fuste në të  dhe me mjaltë “ëmbëlsonte”, derën që përfaqësonte shtëpinë e ardhshme te çiftit. Në këtë rast urimet vinin nga të gjithë të pranishmit. Në përgjithësi ato ishin shumë të bukura dhe të larmishme. Një prej tyre ishte edhe ky: “Nuse, ku të hynë këmbët, të rafshin dhëmbët!“, pra aty ku hynte si nuse, të kalonte bukur dhe qetë gjithë jetën e saj të ardhshme si nënë dhe gjyshe.

Në mbrëmjen e së djelës dhëndri shtronte darkën e martesës. Po në këtë mbrëmje një grup i vogël nga njerëzit e afërt të tij nisej për te shtëpia e nuses, i udhëhequr nga Dajë Dhimitri e i pajisur me mjaft  ushqime nga të darkës. Aty shtrohej një darkë e vogël e rastit me qëllim që prindërit të mos e ndjenin largimin përgjithmonë të vajzës së tyre. Në këtë darkë “delegacioni “ i dhëndrit i drejtuar nga Dajë Dhimitri, duhet të demonstronte  aftesitë e veta duke“ vjedhur“ pa u zbuluar orenditë e vogla që ndodheshin në tavolinë. Këtë “vjedhje“ të këndshme e gazmore e nxiste ciceroni i dy-tri ditëve të kaluara. Kur vjedhja pikasej nga të pranishmit, shpërthente hareja dhe ciceroni vlerësonte “vigjilencën“ e njerëzve të nuses. Kishte dhe raste që vjedhjen nuk e kapte syri i të pranishmëve. Në mbarim të darkës që nuk zgjaste shumë, bëhej vlerësimi. Fitimtarët nxirnin nga xhepi “trofetë” e tyre dhe në këtë rast ciceroni vlerësonte aftësitë e miqve. Triumfi i paleve mbyllte kendeshem kete vizite te grupit. Ai kthehej ne darken e dhenderit ku perseri Dajë Dhimitri tregonte bukur marifetet dhe aftesite e grupit te tij.Kështu edhe darka e dhëndrit dilte më e bukur dhe më e hareshme. Mbarimi i saj shënonte edhe përfundimin e marteses së çiftit.

Në mbasditën e së hënës në shtëpinë e dhëndërrit  bënte visitën e parë vjerra e tij. Ajo shoqërohej me femra të tjera të afërta me nusen e re. Krushka pritej nga vjerra e nuses e persona të tjerë. Në pritje ajo trajtohej si pjesëtare e ardhëshme e familjes dhe shtëpisë. Krushka “çmallej” me të bijën tashmë grua e martuar dhe i uronte jetë të gjatë e trashëgim. Kjo vizitë çilte seritë e vizitave të ndërsjellta që do të zhvilloheshin midis dy palëve në të ardhme.  Të tilla vizita do të bënin edhe fëmijët e ardhshëm të familjes së porsakrijuar.

Martesat e sipërme të shoqëruara me hyrje – dalje midis palëve e bënin më të fortë jo vetëm lidhjen e dy familjeve por edhe kompaktësinë e vetë komunitetit e të harmonisë së jëtës së tij.

Harmonia midis familjeve të lagjes ka qenë një nga karakteristikat e Kalasë. Atë e shohim edhe sot në këtë lagje “muze” për Elbasanin.

Rudolf Deliana   

Mësues i Merituar