Ka pak muaj që rrugët e qytetit tonë të Elbasanit u markuan me tabela metalike që mbajnë emra të ndryshëm njerëzish që thuhet se kanë merita të jashtzakonshme në dobi të atdheut dhe qytetit. Themi kështu sepse disa prej tyre është pranuar se kanë me të vërtetë merita të tilla, ndërsa shumë prej tyre janë krejt anonimë dhe të panjohur, ose emërtesa të politizuara apo klanore. Do të ishte mirë që çdo njësi bashkiake që administron këto rrugë të kishte edhe jetëshkrimin e secilit person-emër rruge, pasi nuk gjendet kund një informacion për ta dhe për çfarë shquhen midis të tjerëve. Por në këtë mori emrash të bie në sy edhe emri i një gruaje të quajtur Marie Buda. Pas interesimeve të shumta munda të mësoj se ajo është e bija e Iftimiut dhe Anës nga lagja KALA në Elbasan dhe kushurirë e parë e Aleks Budës. Në moshën 16 vjeçare Maria martohet me djaloshin Jorgji Santo, (nip i Lef Nossit që ishte një prej firmëtarëve të pavarësisë)  të cilin e kishte edhe fqinj. Pas disa viteve martesë, burri i vdes herët duke i lënë katër djem dhe një vajzë dhe Maria pleqëron me njërin nga djemtë, Santon.

Ka pasur një traditë të bukur në Elbasan që në prag të pavarësisë dhe më pas, shumë goca të qytetit qëndisnin nën hijen e portokallave flamuj kombëtarë për zbukurime të ambienteve të shtëpisë ose për pajën e martesës.  Një nga këto është edhe Marie Buda. Është simbolikë me vlerë edhe fakti që në Elbasan përpjekjet për pavarësi dhe dije kishin karakter gjithëpërfshirës dhe jo një aksion krejt maskilist. Flamuri  i qëndisur nga Maria, sot ndodhet në zyrën e Kryetarit të Bashkisë Elbasan z.Qazim Sejdini dhe ka përmasa afërsisht 40 x 50 cm, punuar me dorë me fije ari dhe gjymyshi ku në një pëlhurë me sfondin e kuq pothuaj në ngjyrë vishnje është qëndisur me fije të zezë shqipja dykrerëshe si simboli ynë totem. Sipër dy kokave të shqiponjës është fiksuar me qëndisje me fije ari  të verdha  data fatlume 25 NENTUER 1912, ndërsa poshtë-djathtas  janë  qëndisur po ashtu me fije ari germat kapitale: MARIJE BUDA, dhe poshtë emrit ka shënimin: KALA-ELBASAN. (alfabet latin.)

Për më se tetë dekada ky flamur shërbente si jastëk dekorativ në odën e miqve të shtëpisë së Santove dhe Maria gjithmonë kujdesej për të duke iu drejtuar nipit të shtëpisë, Jorgjit, që mbante edhe emrin e burrit të saj: “kët’ flamur ta ruash sepse ia kam qenis’ Jorgjit tem për shpalljen e pamvarsis’ dhe ty të kam në vend të tij, prandaj ta ruash me kujdes”. Dhjetë vjet më parë, poseduesi i këtij flamuri Jorgji Santo, ia dërgon atë koleksionistit të njohur elbasanas Vangjel Kapidani i cili e vendosi në një kornizë druri dhe fillimisht e ekspozoi  për pak kohë në një ambient të bashkisë Elbasan.  Ka një koinçidencë të habitëshme sepse, nëse në Vlorë u ngrit flamuri i qëndisur thuhet nga Marigo Posio,  ne në Elbasan kishim Marie Budën tonë dhe me xhelozi të themi se e ngritëm flamurin e pavarësisë tre ditë para tyre. Le të ndihemi krenarë që ne e shpallëm të parët pavarësinë dhe nderim për Marie Budën dhe familjen e saj.

Siç dihet, flamuri i pavarësisë në Elbasan u ngrit që nga ballkoni i bashkisë së qytetit më datë 25 nëntor 1912 nga i nderuari Alush Saraçi (kryetari i bashkisë së kohës). Por, ne nuk kemi informacion se cili flamur ishte ai, kush e qëndisi apo e pruri këtu, ku ndodhet ai flamur etj. Në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë ndodhet një flamur tjetër i qëndisur, për të cilin thuhet se është flamuri i Elbasanit, por nuk jepen detaje.

 Firmëtarët e pavarësisë së Elbasanit janë Aqif Pashë Elbasani (Biçaku), Shefqet bej Vërlaci, Abdullah bej Tirana, Venemin Deliana, Ali bej Agjahu, Refik Myftiu, qehajai i Esnafit sheih Mahmud Guma, sheih Hysen Sulova, Ruzhdi Alushi, Alush Saraçi, Venemin Nossi, Kolë Papajani, Emin Haxhiadem Shijaku, Ymer Peni, Hysen Dakli, Hysen Hostopalli, Serafin Jorgaqi, Dhimitër Paparisto, Hasan bej Biçakçiu, Fuat bej Kahremani, Servet bej Zylfi, Demir bej Sulçebeu, sheih Xhaferr Pasmaqi, Taqi Buda, Haxhi Nikolla Jorgaqi, Rrapush Demeti, Mahmud Hakani, Isuf bej Taushani, Hasan Çiftja, Demir Zenelhoxha, hafëz Sulejman Kungulli dhe zv/mitropoliti Dhimitër Dhimitruka. Ndërsa në Vlorë do të jenë delegatë elbasanas në firmosjen e aktit të pavarësisë së gjithë Shqipërisë  Qemal bej Karaosmani, Lef Nossi dhe Shefqet bej Daiu. Përfaqsues i Elbasanit ishte edhe Mid’hat bej Frashëri. (Dokumenta Historike, prill 1924, Nr.4, shtypshkronja “Elbasani”, boton Lef Nossi, fq.103).

Përgatitën: B.Dylgjeri & J.Santo, Gusht 2012.