Futja e makinave në Elbasan i ka fillimet e veta nga Lufta I Botërore pas Shpalljes së Pavarësisë. Nuk dihet se kush e ka sjellë i pari makinën në Elbasan, por mendohet dhe thuhet se një të tillë e ka sjellë një oficer apo ushtarak madhor serb ndoshta edhe ndonjë ushtarak austriak nga viti 1916-19 dhe e lanë këtu për shkak të rrugëve jo të mira që kishte Shqipëria.
Ka ekzistuar edhe një makinë me të cilën kanë udhëtuar delegatët vullnetarë për në Vlorë më 1920, ku ndër të tjerë në atë makinë është edhe Kasem Sejdini që në atë kohë ështe përfaqësues i Elbasanit dhe që u emërua Prefekt i Vlorës për një ditë pasi mori në dorëzim qytetin nga italianët dhe më pas kjo detyrë iu la vetë vlonjatëve, duke qenë se ai ishte ushtarak i lartë me grada dhe më pas komandant i i xhandarmërisë.

Komisioni shqiptar për marrjen ne dorezimin te Vlorës, 1920, Arkivi Digjital Elbasan

Komisioni shqiptar për marrjen në dorëzimin të Vlorës, 1920

Ndërkohë që nuk dihet gjithashtu se cili ka qenë edhe shoferi i parë në Elbasan, por ka hamendësi se mund të ketë qenë Halit Lamçja. Mund të ketë pasur edhe ndonjë tjetër më parë që nuk mbahet mend nga më të vjetrit.
Ndër ata që kanë pasur makinat e para kanë qenë edhe Xhavit Bej Biçaku, që ka pasur shofer Halit Lamçen por edhe familja Nosi që e përdornin bashkë me familjen Dodbiba si dhe vëllezërit Garunja, të cilët mendohet se këta kanë qenë që kanë futur makinën e parë në Elbasan.

Autovetura e parë në Elbasan e vëllezërve Garunja ne Kala, Arkivi Digjital Elbasan

Autovetura e parë në Elbasan e vëllezërve Garunja në Kala

Gjithashtu nga të dhënat e marra edhe familja Graceni ka pasur dy makina, njëra prej të cilave e llojit Shevrolet, të cilën pas çlirimit thuhet se e mori udhëheqësi komunist Enver Hoxha.
Në fund të viteve ’30 edhe Kleanthi Santo që ka pasur edhe makinë që e ngiste vetë, por ka pasur edhe një oficinë modeste që më pas e bëri moderne për kohën për riparimet e automjeteve siç njihen sot serviset e makinave.

1940, Elbasan, Kleanthi Santo dhe makina e tij Milecento, Arkivi Digjital Elbasan

1940, Elbasan, Kleanthi Santo dhe makina e tij Milecento

Nga të dhënat që jep Skënder Kosturi, familja Nosi ka pasur 3 makina. Të parën e ka pasur Grigori në kohën e Mbretërisë. Ai ishte edhe në moshë të madhe dhe që mbante shofer me emrin Ahmet se nuk mund ta ngiste dot vetë. Makina e tij ka qenë një Ford me të cilën shkonte edhe në Llixhë dhe ka një foto të kësaj makine.

1938, Elbasan, Llixhat Nosi, pamje ballore e saj pas inagurimit, Arkivi Digjital Elbasan

1938, Elbasan, Llixhat Nosi, pamje ballore e saj pas inagurimit

Me këtë makinë kanë udhëtuar edhe Harri Fulc, edhe angleska e quajtura Margaret Hazlluk si dhe oficerë të lartë të Mbretërisë që shkonin në Llixha.
Makinën tjetër e ka pasur i vëllai i tij, Vasili, rreth vitit 1939-40, një makinë topolino 500 kubikshe. Nga viti 1942 mendohet se edhe Doktor Nosi ka pasur një makinë të vetën Milecento 1100 kubikëshe që e ka mbajtur pak kohë derisa këta pjesëtarë të familjes Nosi i arrestuan në kuadrin e arrestimeve politike si ajo e Lef Nosit.
Këto të dhëna janë deri në mbarim të viteve ’40, se më pas këto makina u sekuestruan për arsyet e politikave të partisë komuniste.
Gjatë viteve të luftës në Elbasan, italianët kanë pasur një ofiçinë të madhe për rregullimin e automjeteve të tyre që kishin në përdorim. Me ikjen e italianëve, këtë ofiçinë e bleu Xhemali (Xhem) Salla që ishte punëtor specialist në këtë ofiçinë dhe një shofer i aftë për të cilin ka një histori më vete.