Një nga familjet e nderuara të Elbasanit është edhe familja Bungo, pinjoll i së cilës ishte edhe Makenseni, një nga fëmijët e Ali Bungos, që në kohën e diktaturës patën persekutim tërësor.

Makensen Bungo lindi më 14 prill të vitit 1926, në Elbasan. Kreu shkollën Normale të këtij qyteti dhe më pas studimet e larta në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin Gjuhë-Letërsi (pas burgut).
Në vitin 1946 për arsye politike u burgos dhe u lirua pas 5 vitesh. Këtë dënim, me akuzat: “krime kundër shtetit” dhe “agjitacion e propagandë”, e mori vetëm sepse kishte thënë në orën e gjeografisë, në vitin e 4 të Normales: “Kosova asht toka joneë e robnueme nga serbët!”

Kësaj familjeje iu konfiskua e gjithë pasuria që kishte. Pas shumë vitesh Makensen Bungo ka punuar si mësues në: Gjirokastër, Tepelenë dhe Fier. Ai ishte një shkrimtar intelektual, që kishte shumë dëshirë të shkruante, e drejtë e cila iu mophua nga diktatura. Po ashtu atij iu mohua edhe e drejta e votës.

Persekutimi i tij arriti deri në internim në Kënetën e Maliqit dhe kampin e Vloçishtit.

Makensen Bungo, pas rënies se komunizmit, emigroi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku edhe botoi disa libra, si: Monografia për Abaz Kupin në vitin 2001, Nëna Kosovare në 2003, Gruaja me të zeza në 2008,  Këneta e Vdekjes që u ribotua në anglisht në 2009,etj.
Ka dhënë kontribut në Gazetën”Dielli”, të Federatës “Vatra”, ku la studime, artikuj, poezi etj.

Ndërroi jetë në 15 shtator të vitit 2018, në New York.