Pikërisht, përgjatë verës së nxehtë të 97 viteve më parë, u zhvillua Lufta e Vlorës. Siç dihet, pas përfundimit të Luftës së I Botërore, ushtria italiane mbante të pushtuar Vlorën dhe rrethinat. Kjo i detyroi krerët shqiptarë të zonës si, Osman Haxhiu, Qazim Koculi, Spiro J. Koleka, Rexhep Sulejmani, Gani Aliko etj. në përputhje dhe me mbështetjen e qeverisë së kryeministrit Sulejman Delvina, që të mblidhen në fshatin Dukat dhe t’i paraqesin një ultimatum largimi komandantit italian të pushtimit Settimo Piacentini. Pas kundërshtimit italian dhe skadimit të këtij afati, në mbrëmjen e 4 qershorit 1920 nisën veprimet luftarake midis pushtueve italianë dhe forcave vullnetare shqiptare nga Vlora dhe krahinat përreth. Shumë shpejt nga të gjitha zonat shqiptare rendën qindra vullnetarë si, nga Himara me drejtues Naqe Konomi, Çamëria me drejtues Muharrem Rushiti, Tirana me drejtues Seid Toptani, Peqini me drejtues Adem Gjinishi, Berati, Mallakastra, Devolli, Tepelena etj. Mirëpo, askund nuk përmenden vullnetarët elbasanas të drejtuar nga ushtaraku Kasem Sejdini, as dje nga historiografia komuniste që e paraqiti këtë ngjarje të lavdishme si një rebelim kaçakësh me Selam Musanë, dhe as nga historianët sotëm. Çudi, pasi shumë nga këta historianë po përpiqen të gjenjë lidhjet tona me pellazgët para 5.000 vjetësh(!) dhe nuk arrijnë dot të vërtetojnë pjesëmarrjen e vullnetarëve elbasanas në Luftën e Vlorës 97 vjet më parë!? Megjithatë, në mbështetje të luftëtarëve shqiptarë në këtë përballje me ushtrinë italiane në Vlorë, Kasem Sejdini ky ushtarak i talentuar elbasanas dha kushtrimin e që në fillim të korrikut të atij viti u mobilizuan qindra vullnetarë. Këta u stërvitën dhe u trajnuan ushtarakisht prej tij në ullishtat e qytetit, në përshtatje me kushtet e ngjashme të ullishtave të Vlorës. Pamje fotografike të këtyre vullnetarëve i ka postuar sëfundmi edhe Arkivi Digjital Elbasan (ADE), falë punës heroike të fotografit elbasanas Fot Papajani. Pra, përballë trupave të rregullta ushtarake italiane të armatorur mirë dhe të strehuara në llogore e bunkerë, u vendosën edhe luftëtarët elbasanas të drejtuar nga Kasem Sejdini. Më herët, atje në front kishte shkuar edhe infermierja elbasanase Zekije Krasta e cila nën breshërinë e plumbave e gjyleve italiane, si dhe nën tmerrin e asaj vere të nxehtë, u mjekonte plagët shqiptarëve të plagosur duke rendur si flutur nga një llogore në tjetrën. Më datë 2 gusht 1920, pas dy muajsh luftime të përgjakshme dhe me viktima të shumta nga të dy palët ndërluftuese, italianët e pranuan humbjen dhe njoftën kapitullimin. Kryetari i komisionit që mori në dorëzim qytetin e Vlorës nga italianët ishte Kasem Sejdini, i cili të nesërmen ia dorëzon qytetin autoriteteve civile vendore. Kulmi i festimeve për çlirimin e Vlorës arriti kur në qytet mbërritën djelmoshat e bandës muzikore ‘Afërdita” të Ebasanit, të cilët nën ritmin e marsheve luftarakë që loznin me instrumentat e tyre ia shtuan entuziazmin vlonjatëve, që nga hareja shtinin me batare pushkësh. Është detyrë e historianëve që të merren me ndriçimin e plotë dhe objektiv të kësaj ngjarje madhore kombëtare, në të cilën Elbasani ka hisen e tij plot lavdi. Është e pafalshme dhe e paturpshme që të heshtet apo të injorohet dje dhe sot kontributi i elbasansve në këtë luftë. Po ashtu, është në nderin e qytetit tonë që autoritetet vendore të nxisin dhe përkujtojnë me një përmendore të merituar këtë ngjarje heroike, ndryshe nga sa u veprua në emërtimin e rrugëve tona me emra të personave shpesh anonimë apo pa kontribute në dobi të qytetit. Ky është qyteti ynë, Elbasani, që gjithmonë na ofron në heshtje vlera, personalitete dhe përkushtim atdhetar. (Mendoj që kjo ngjarje përbën material interseant për dikë që synon të marrë një titull apo gradë shkencore në lëmin e historisë, krejt ndryshe nga sa po shohim deri më sot).

 

Përgatiti: B. Dylgjeri, Elbasan, gusht 2017.