Në vitin 1960 në Estradën e Elbasanit pranohet si aktor profesionist një djalë rreth të 20 –tave, me trup atleti, mjaft gazmor. Ai vinte nga Cerriku pas një jete artistike amatore mjaft të pasur, ku kishte spikatur me talentin e tij. Ata që e kishin rekomanduar nuk kishin gabuar. Që në premierën e tij të parë, ai i befasoi të gjithë me talentin e tij. Korri duartrokitjet e para të cilat nuk iu ndanë për 30 vjet rrjesht në skenën e Estradës. Pra, ky djalosh ishte Llambi Burgia, musketieri i tretë pas Ferit Gjevorit dhe Hysen Bizës, i katërti Agron Graceni do të vinte më pas.

Llambi ishte aktor i gjithanshëm, ishte i gatshëm të luante çdo rol, e merrte atë, e bluante brenda vehtes dhe e nxirrte me sukses. Llambi kishte zë mjaft të mirë. Në kohën kur vihej në skenë opereta “ Vajza e Portokalllave “, maestro Mihal Ciko kur e dëgjoi Llambin që këndonte, u shpreh : “ Po ti o djalë, qënke pyllë i paprerë – o “

Llambi këndoi me sukses parodi e kuplete, por ai këndoi edhe këngë, duke spikatur me këngën “ Mos më qorto “, mjaft e njohur në vitet 60.

Por kontributin e tij më të madh ai e dha në fushën e regjizurës. Që në hapat e para si aktor tek Llambi u pa se ai kishte stof rregjizori. Në vitet 1958 – 1959 ai kishte bërë dy kurse të njëpasnjëshme si regjizor amator. Duke parë regjizorin e ardhshëm të Estradës, dërgohet nga teatri “Skampa” në vitin akademik 1972-1973 në kursin njëvjeçar pasuniversitar pranë I.L.A. në Tiranë ( sot Akademia e Arteve).

Dipllomën e regjizorit e mbrojti me trupën e tij, me shokët e kolegët me të cilët pati luajtur vite të tëra.

Me libret të Sheri Mitës në premierën e vënë prej tij “ Ndalim Qarkullimi “ u dha 150 herë, në Elbasan dhe në qytete të ndryshme të Shqipërisë. Por ky nuk qe suksesi i parë, atë e ndoqën edhe të tjera, ku veçohet premiara      “ Gëzime Pranverore “ në vitin 1983, duke u shfaqur 30 herë vetëm në Elbasan. E mbyll karierën si regjizor me Estradën në premierën “ Meqenëse të dua “ me libret të Fahri Balliut. Edhe kjo premierë pati  mjaft sukses duke e kaluar numrin e 100 të shfaqjeve. Llambi  interpretoi edhe në teatër në dramën “Skëndërbeu” me libret të Lec Shllakut si dhe e paharruar do të mbetet figura e “Kinezit” në dramën e Bahri Myftarit “ Vera e vitit 1978 ” në takimin e teatrove kombëtar të vitit 1979 me të cilën u vlerësua nga kritika artistike.

Llambi e njeh shumë mirë edhe botën e fëmijëve, përveç vënies në skenë të disa premierave për fëmijë me trupën e Estradës në bashkëpunim me Radiotelevizionin Shqiptar realizon tre filma artistikë, në vitin 1979 filmin “Karkaleci dhe gjinkalla”, në vitin 1981 “Kecat dhe Ujku“, xhirimet e të cilës u bënë në Drilon të Pogradecit dhe në vitin 1992 filmin “ Maçoku dhe Dhelpra “. Gjithashtu edhe vetë si aktor Llambi ka luajtur në filmin artistik të Kinostudios “ Shqipëria e Re “, ku spikati në rolin e trajnerit  tek kinokomedia “ Duke kërkuar 5-orëshin” në vitin 1973.

Llambi si regjizor punonte gjithmonë në mënyrë profesionale që nga zbërthimi i materialit letrar në tavolinë, në mizaskenat e deri sa të dilte premiera. I pelqente shumë detajet artistikëdhe punonte me to. Nuk ti impononte, por e bënte aktorin ti zbulonte ato vetë në mënyrë mjaft të natyrshme. Me një fjalë Llambi e merrte aktorin prej dore e fuste në labirinthet e personazhit dhe e nxirrte prej andej me rolin në xhep.

Nuk e pranonte aktorin të përsëriste figurat artistike, gjithmonë kërkonte prej tij figura të reja. Të gjithë aktorët i trajtonte njësoj dhe punonte me to pa përtuar dhe me dashuri pavarësisht eksperiencës së tyre.

Një meritë e Llambit në vënien në skenë të premierave ishte ndarja e roleve. Kur të jepte rolin Llambi, dije se të ngjiste.

Ai ishte dhe “Kali i belave”, kur dështoi një premierë në vitin 1978, u dha urdhër i prerë nga lart se duam premierë tjetër brenda javës. Premiera doli me mjaft sukses brenda 7 ditëve dhe Estrada shpëtoi nga “Belaja”.

E thashë e dhe më lart botën e fëmijëve e pëlqente shumë. Këmbënguli shumë që të punonte shumë si regjizor në Teatrin e Kukllave dhe kjo dëshirë e tij u pranua. Nga viti 1988 e deri në vitin 1995, vit në të cilin doli në pension vuri në skenë shumë shfaqje për fëmijë në Teatrin e Kukllave duke bërë që ky teatër të ketë një hop të madh cilësor.

                                                                                                 Shkruar nga Dhimitër TOPUZI.