Filip Kristoforidhi ishte njëri nga tetë fëmijët e Kostandin Kristoforidhit. Ai u largua nga atdheu i tij në moshë të re, për të shkuar fillimisht në Amerikë e më pas në Francë, ku edhe u martua me një shtetase franceze, martesë nga e cila nuk pati pasardhës.

Edhe pse i larguar nga vendlindja, Filip Kristoforidhi nuk e harroi asnjëherë Shqipërinë dhe Elbasanin. Ai ka pasur vazhdimisht letërkëmbime me familjarët e tij në Elbasan, por edhe me personalitete të kohës. Kjo ishte edhe një mënyrë e mirë për të mos harruar shqipen, të cilën përmes letërkëmbimeve duket se e shkruante mirë, madje kishte një kaligrafi të bukur, por nuk e fliste aq mirë sa e shkruante.

Letërkëmbim jo të rrallë i biri i Kristoforidhit ka pasur edhe me Aleksandër Xhuvanin, me të cilin ndër të tjera kishin njohje familjare. Në tre letrat që do tju paraqesim më poshtë, do të keni mundësi të mësoni më shumë për lidhjet që Aleksandër Xhuvani e Filip Kristoforidhi patën dhe për bisedat që ata bënin me njëri – tjetrin. Në bisedat e tyre të cilat vërtiteshin sa rreth çështjeve familjare, sa rreth shqetësimeve  për atdheun, aq edhe për dëshirën për t’u takuar nga afër. Në këto letra do të keni mundësinë të lexoni një mënyrë të të shprehuri shqip, sa me mirësjellje aq edhe të përmallëshme, të dy njerzve që u munduan t’i bënin mirë atdheut e qytetit të tyre.

Më poshtë do të keni mundësi të lexoni tre prej letrave që Aleksandër Xhuvani i dërgon si përgjigje të letrave të tij Filip Kristoforidhit.

 

Tiranë, 30/III/1950

I dashuni atdhetar z.Filip

Me gëzim i kam marrë dy kartolinat tueja më 12/12/1949. Ju falem nderës për sa shkrueni në njanën nga ato për artikullin tem të botuem te “Zëri i Popullit” mbi themelimin e Shkollës Normale. M’erdhi shumë mall, kur këndova emnin tuej n’ato kartolina. Më bie ndër mend fytyra juej, kur ishit i vogël atëherë dhe unë isha bashkënxanës me t’yt vlla  të ndyerin Cacin, me të cilin ishim shokë të pandamë dhe me atë kemi qenë bashkë nji mot në gjimnazin rumnisht të Beratit. U mallëngjeva tue kujtue ato kohët e vjetra.

Muejin që kaloi filluem përkujtimin e shkrimtarëvet të Rilindjes. E zumë fill me babën tuej Kostandin Kristoforidhin: më 24 shkurt, përvjetorin e vdekjes së tij, u nis prej këndej nji komision prej 5 vetësh për n’Elbasan, ku në fushë të Kishës së Kalasë, ku asht varri i tij dhe busti i tij, u ba nji përkujtim dhe mbajtën ligjërata përpara nxanësvet të shkollavet dhe të nji shumice njerëzish. Këtu në Tiranë fola unë në radio mbi jetën dhe veprat e Kristoforidhit; në cinema – theatër këtu foli Mark Ndoja, po mbi atë subjekt përpara nji njerëzie të madhe; gazetat shkruen gjithashtu dhe nëpër shkollat u mbajtën lekcione përpara nxanesvet. Mbi jetën dhe veprat e Kristoforidhit kam shkrue unë vjet gjan’ e gjatë në rivistën “Letërsia jonë”. Dhimitër Shuteriqi do të botojë në “Buletinin” e Institutit të Shkencavet nji monografi të gjatë mbi Kristoforidhin.

Në maj që vjen do të bahet përkujtimi i Naim Frashërit , e pastaj i shkrimtarëvet të tjerë të Rilindjes.

Unë gjindem këtu në Tiranë prej disa vjeç në Ministri t’arsimit. Tani jam Shef Sekcioni n’ Institutin e Shkencavet. Fjalorin i Kristoforidhit, që u botue n’Athinë më 1904, kur ishje unë atje student universiteti, po e përkthej ore ma mirë po e kopioj e po e rregulloj me alfabetin tonë, se, si e dini, ai asht shkrue me alfabetin greqisht. Por do kohë që të mbarohet, se kam shumë punë e nuk më del kohë shumë që të punoj mbi atë.

Vjet në muej të prillit qeshë në Paris bashkë me të tjerë si delegat nga Shqipnia për në Kongresin Botënor të Partizanëvet të Paqes që u mbajt atje. Ta kishjem ditë adresën tuej, do të vijshe me u pjekë me ju. Në qoftë se do të mundem të vij prapë në Paris ndonji herë për studime albanologjie në Bibliotekë të Parisit do të vij të piqemi bashkë.

                                                                                                           Ju falem me shëndet me mall

                                                                                                                       Aleksandër Xhuvani

Në këtë letër përveçse shpreh mall për të, Aleksandër Xhuvani edhe e informon Filipin për zhvillimet që ndodhnin sidomos në Elbasan, në atë periudhë, gjë të cilën e bën edhe në letrat e tjera që i dërgon. Ai ndër të tjera i shpreh edhe dëshirën për t’u takuar me të në Paris.

 

Në letrën tjetër Aleksandër Xhuvani flet pak edhe për vëllain e Filipit, Aleksandrin ose Cacin si e thërrisnin të gjithë, i cili u nda nga jeta në moshë të re. Po ashtu ai e falenderon për librin që ka dërguar Filipi në Shqipëri dhe e njeh me disa mugesa shumë të rëndësishme, për të cilat njëkohësisht i shpreh kërkesën për t’i sjellë në atdhe.

 

 

Tiranë 10/II/1951

                     I dashuni atdhetar z.Filip

Letrën tate më 13/II/’50 e kam marrë dhe e kam këndue me gëzim. Ju falem nderit për vjershat mbi Ali Pashë Tepelenën që më dërguet. Ja dorëzova këto bibliotekës sonë kombëtare, në të cilën gjinden mjaft vepra mbi Ali Pashë Tepelenën. Tani me dorëshkrimet tueja i u-shtue Bibliotekës edhe nji ekstrakt mbi Ali Pashën. Nga veprat që përmendni në letrët tuej, Fjalori i Frangut Bardhë (Dictionarium Latinoi-Epirotieum) dhe “L’Albanie” e Athanas Gegës gjinden në Bibliotekët Kombëtare. Nuk gjindet në Bibliotekët origjinali i vepreës së Danielit…, të kësaj vepre kemi në Bibliotekët nji edicion të profesorit rumun Tapahagi. Gjithashtu nuk e kemi në Biobliotekën veprën e Frangut Bardhë “Georgins Kastriotus….”. Kjo vepër asht e rrallë dhe ka randësi për ne se autori n’atë vepër mpron origjinën shqiptare të Skëndërbeut kundër mendimit të peshkopit serb të Bosnjës. Asnji nga ato vepra nuk gjinden privatisht në Shqipni.

Sikurse do ta keni marrë vesht ndoshta, vjet u kremtuem në Shqipni shkrimtarët e Rilindjes, tue fillue nga baba juej Kostandini. U mbajtën konferenca, u shkrue nëpër gazeta e rivista dhe u shtypën pulla komemorative. Shimitër Shutëriqi botoi nji studim të mirë mbi veprat e Kristoforidhit, dhe më tha që jua dërgoi juve atje. Këtu mbrenda po të shtie katër pulla komemorative të t’yt eti.

Si ju shkrova edhe herës tjetër, ju mba mend juve kur ishit n’Elbasan. Ishje i vogël. Unë kam qenë shok e bashkënxanës në shkollën rumunishte të Beratit me të ndjyerin t’yt vlla Cacin. Mbas kaqë peripetish e ndodhish në jetën teme: studimet n’Universitet t’ Athinës, udhëtimesh e arrati (në kohë të Turqisë) nëpër Itali i Misir, pastaj për kaqë kohë të gjatë drejtor i Normales s’Elbasnait, etj, tani, 71 vjeç, gjindem Shef Sekcioni n’Institut të Shkencavet.

Si ju shkrova, kam dëshir e nevojë të vij dhe nji herë në Paris për studime albanologjie nëpër Bibliotekat e atjeshme (se nuk gjinden të gjitha veprat e këtushme), por kjo varet nga kondita ekonomike, se duhen harxha për gjithë këtë punë.

Njerëzit e tu, motrën dhe nipnit Nikollaqin e kovin, i keni n’Elbasan shëndosh’ e mirë.

                                                                                                              Të fala me mall

                                                                                                              Aleksandër Xhuvani

 

Bashkë me letrën tuej kam marrë edhe dy kartë-postalet që kishit shtimë mbrenda.

Ju falem nderit.

                                                                                A.Xhuvani

 

 

Në letrën e ardhëshme Aleksandri flet sërish për dorëshkrime që ka marrë prej Filip Kristoforidhit, konkretisht atë të Frang Bardhit. Po ashtu jep edhe informacione për familjarët që janë akoma në Elbasan.

 

Tiranë, 26/X/1951

                                       I dashuni atdhetar z. Filip

Kam përpara meje dy letra tuejat, njanën më 14/5/’51 dhe tjetrën më 28/6/’51.

Po u përgjigjem sot, mbasi nuk kam qenë këtu, se s’kam shumë që erdha nga Moska, ku qeshë për pushim në nji sanatorium t’atjeshëm.

Gjeta këtu edhe librin e Frangut Bardhë, që e kishit fotokopinë dhe lidhë bukur. Ju lumtë! Ju falem nderit për këtë vepër me randësi, të cilën ja dorëzova Bibliotekës sonë kombëtare.

Fola me Vangjo Faberin për punë të pasunisë së t’ungjit tim. Ai më tha se për këtë punë do të kujdeset  prapë i ati, që asht në Korçë e që do të vinte këtu në Tiranë për atë çashtje.

Ti shqipen e shkruen mirë, nuk ban gabime, me gjithë që, si më shkruen, nuk këndon libra e gazeta shqip. Ndonji libër shqip, si ndonji antologji a libër gjuhe a, gjithsesi, shkolle, a ndonji tjetër, mund që të të dërgoj, po dëshirove, dhe ti më dërgon pastaj ndonji libër frangjisht prej andej.

Simon Shutëriqi, i ati i Dhimitrit, vdiq këto ditë në moshë 69 vjeç. M’u ka dhimurë shumë, se e kam pasë shok në Normale t’Elbasanit për kaqi vjet.

Unë këtu jam: Shef Sekcioni i Gjuhësisë e i Letërsisë n’Institut të Shkencavet dhe jo Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëvet. Këtë punë e kam qysh nga viti 1947. Jam edhe deputet i Elbasanit si dhe Nënpresident i Presidiumit të Kuvendit Popullor.

Ju falem me shëndet me mall shumë.

                                                                      Aleksandër Xhuvani