Një vend të rëndësishëm në shumëllojshmërinë e zejeve të ushtruara në Elbasan ishte edhe përpunimi i leshit.

Zhvillimi i kësaj zeje lidhet me tregun e madh që bëhej në qytet. Fshatarët sillnin leshin e bagëtive dhe pronarët e punishteve, hynin në marrëveshje me ta për të siguruar lëndën e parë.

Qeleshet prodhohen nga përpunimi i i leshit të dhenve e zakonisht në Elbasan prodhoheshin dy lloje qeleshesh:

-Qeleshe tiranase (pak të gjata e të sheshta), që përdoreshin më shumë nga qytetarët.

-Qeleshe sheshe e shkurtër, që përdorej nga fshatarët me përjashtim të Vërçës dhe Sulovës që mbanin takie ose qeleposhe maseje.

Mjeshtri si rrihte leshin në çark e shtrinte në banak dhe me ujë të ngrohtë e sapun pasi e shkumbonte mirë e mire, e sheshonte në formë stofi me një vegël druri ose tunxhi, pastaj këtë material të zbutur e fuste në kallëpe balte dhe i jepte formën që dëshironte. Pasi e linte pak të thahej e hiqte dhe e bënte për së dyti me ujë të ngrohtë e sapun, deri sa të zbardhej dhe e fuste përsëri në kallëp. Që aty me anën e një brisku i hiqte pjesët e parregullta dhe e linte të thahej.

Ishte zakon që qeleshet të mbaheshin nga të gjithë meshkujt, qofshin femijë, të rijë, burra, pleq. Në Elbasan ka pasur shumë qeleshexhinj, por më të njohurit kanë dalë nga familja Myzyri, familja Turku e të tjerë.

Postoi: E. Dylgjeri, Elbasan, prill 2016.