Manastri në fjalë ndodhet 3-4 km në perëndim të Elbasanit të sotëm (Bradashesh) dhe përgjatë Mesjetës së Vonë, ky objekt kulti i ritit bizantin ka shërbyer si vend pelegrinazhi, por edhe vendorganizim i panaireve tregtare e piknikut për banorët e krishterë të lagjes Kala në Elbasan dhe besimtarët orthodoksë të fshatrave përreth. Duhet theksuar se sipas specialistëve të objekteve mesjetare të kultit, aty më herët ndodhej një kishë e vogël paleokristiane, që u shërbente fshatarëve të zonës për të kryer ritet e tyre fetare kristiane. (Shumë më vonë Kisha mori emrin e Shën Joanit dhe fshati aty pranë u nativizua si Shijon). Legjenda që ia rriti famën dhe lavdinë këtij vendi që gjithashtu ka mbërritur deri te ne që nga Mesjeta, thotë se Vladimiri (lindur pas vitit 900 – 1015) ishte një fisnik sllav nga principata e Prevalitanës (Zeta) të Malit të Zi (ose Serbia). Ai ishte i fejuar me Kozarën, vajzën e mbretit bullgar Samuil i cili e kishte qendrën e mbretërisë së tij në Prespë (ose Ohër). Gjatë ecejakeve të tij për te nusja dhe ansjelltas, princi Vladimir e kishte bërë zakon të përshkonte udhën tokësore nga Shkodra në Elbasan për të vijuar në Ohër. Sapo mbërrintë në Elbasan, ai kthente për shërbesa fetare në kishën paleokristiane të këtij fshati në hyrje të malësisë së Krrabës e fare pranë rrjedhës së djathtë të përroit të Kushës. Vizita e tij e fundit te nusja në Prespë ishte shkatërrimtare për të. Vjehrri i tij dhe njëkohësisht mbreti bullgar Samuil, për shkaqe te pandricuara mirë e vret në pabesi më datë 4 qersor 1015 dhe i pret koken Vladimirit. (thuhet gjithashtu se ishte sundimtari i fundit bullgar Ivan Vladislavi i pashpirt ai që kreu aktin kriminal). Që nga kjo kohë prej mëse 1000 vjetësh, 4 qershori i përvitshëm festohet në manastrin e Shijonit pranë Elbasanit me nderime të veçanta dhe ceremoni përkujtimore nga besimtarët orthodoksë, vendas dhe të huaj. Trupi i tij u varros në Prespë, ndërsa me vonë eshtrat e tij u dërguan në Krajinë (sot në Malin e Zi), ku kanë qëndruar deri në vitin 1215. Më pas grekët (ose despoti i Epirit Mihal Engjëlli) i dërguan ato dhe i rivarrosën në Durrës. Në vitin 1381 fisniku shqiptar Karl Topia i merr nga Durrësi eshtrat e Vladimirit dhe i varros në kishën e tashmëquajtur Kisha e Shijonit. Jo vetëm kaq, por për të shtuar respektin dhe lavdinë personale Karl Topia e rindërtoi nga themelet kishën, e zmadhoi atë në trajtën e manastirit dhe më e rëndësishmja, për fat të keq, duke i dhënë asaj formën arkitektonike të ritit bizantin fshiu përfundimisht gjurmët paleokristiane. Që nga ajo kohë, emrit të princit malazes (apo serb) Vladimir iu shtua dhe Jovan (Joan) për ta barazuar me personazhin biblik Shën Jovan Pagëzori, me fat të njëjtë. Mirëpo, në fund të gjithë këtyre ndodhive të mveshura me një tis të errët paqartësish , mjegulle dhe rivarrosje eshtrash , lind një pyetja; çfarë vlere historike, kulturore, folklorike, gjuhësore ka për ne shqiptarët kjo legjendë ?

Përgatiti: Bukurosh Dylgjeri, Elbasan, qershor 2017.