Emision pullash për Lef Nosin, viti 1993.

Asnjë jetëshkrim për Lef Nosin, pavarësisht autorit, nuk do të ishte i plotë pa ravijëzuar edhe një dimension krejtësisht të veçantë të tij, rolin dhe ndihmesën e jashtëzakonshme si themelues e protagonist në filatelinë shqiptare, por edhe si koleksionist i klasit të parë. Pikërisht ky dimension, i pa trajtuar deri më sot, është objekti i kumtesës sime.

Prirjet për koleksionim te Lef Nosi u shfaqën qysh në moshë të njomë. Ishte  pa mbushur dhjetë vjeç kur filloi të merrej me grumbullimin e objekteve të ndryshme – arkeologjike, të trashëgimisë shpirtërore, materiale dhe etno-kulturore të popullit tonë, veçanërisht të qytetit të lindjes, Elbasanit dhe rrethinave të tij. Në moshën e shkollës së mesme, kur ai shkoi për studime në Athinë, njohu jo pak përvoja të vyera koleksionimi, sidomos të bashkëmoshatarëve, në fushen e filatelisë. Filatelia, ‘‘ky mbret i hobeve dhe hob i mbretërve’’,  me magjinë e saj, iu fut shumë shpejt në gjak, për ta shoqëruar gjatë gjithë jetës. Duke punuar për një kohë si punonjës poste në kohën e Perandorisë Osmane, ai filloi t’i përjetojë në mënyrë të pandërmjeme bukurinë dhe forcën mahnitëse të pullave postare të vendeve të tjera, të cilat i koleksiononte.  Madje shpesh i vinin në kokë jo pak mendime të guximshme për kohën, se një ditë edhe vendi i tij, Shqipëria, do të ishte e pavarur dhe do të kishte ‘‘nishanet’’ e veta: flamurin, stemën, monedhat dhe pullat. Megjithatë një gjë nuk e kishte çuar kurrë nëpër mend – që mund të ishte pikërisht ai vetë themeluesi dhe një ndër protagonistët më në zë të filatelisë shqiptare.

Pak vite më vonë ndjesitë e moshës rinore nisën t’i realizoheshin. Më 28 Nëntor 1912, me Aktin historik të Vlorës, ngritjen e Flamurit me shqiponjën dykrenare, Shqipëria u bë ‘‘më vete dhe e mosvarme’’. Tash e tutje shqiptarët do t’i drejtonin punët vetë, duke qënë në një shtet të lirë dhe duke  i pasur të gjitha mundësitë për një jetë më të mirë e dinjitoze, përkrah popujve të tjerë të Europës. Ky ishte edhe mesazhi që përcolli qeveria e Ismaili Qemalit, që doli nga Kuvendi i Vlorës, pjesë e së cilës u zgjodh edhe Lef Nosi, në detyrën e ministrit të parë të Postave dhe Telegrafëve të Shqipërisë (4 dhjetor 1912).

Gjendja e Shqipërisë së asaj kohe, pas pesë shekuj në suazën e Perandorisë Osmane, sigurisht që ishte e amullt dhe tejet e rëndë, sidomos në fushën postare dhe të telegrafëve. Duke i kuptuar mirëfilli detyrat e shtruara para tij si intelektual e anëtar i kabinetit qeveritar dhe rolin që duhej të luante në rrethana të tilla, Lef Nosi iu fut seriozisht punës. Shumë shpejt ai u bë i vetëdijshëm për ndikimin e madh që do kishte institucioni në krye të të cilit qe zgjedhur për forcimin e identitetit dhe ndërgjegjësimit kombëtar dhe përparimin aq të domosdoshëm të botës shqiptare.

Fryti më i qenësishëm i këtij fakti ishte strategjia e qartë e hartuar nga Lef Nosi për emetimet e pullave postare. Kjo strategji, nga njera anë, mbante në konsideratë plotësimin real të nevojave të korrespondencës postare dhe, nga ana tjetër, synonte t’i shërbente njohjes më të mirë të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.

Nën drejtimin e Lefit, brenda një periudhe kohore relativisht të shkurtër, vetëm në 7 muaj, maj-dhjetor 1913, u emetuan gjashtë emisione pullash postare. Ministri Lef Nosi “ishte ideatori kryesor i këtyre emisioneve, sidomos në formulimin grafik të tyre”. 1 Një emetim kaq intensiv pullash (rreth 41 pamje brenda 7 muajve) tregon, veç të tjerave, për nevojat e mëdha financiare të qeverisë së Ismail Qemalit, e cila, jo rastësisht, si një ndër rrugët e sigurimit të të ardhurave zgjodhi çeljen e “dritës së gjelbër” për një fluks emisionesh të pullave postare. Në këtë mënyrë ministri Nosi mëtonte të fuste në arkën e shtetit një shumë prej afro 3 milion groshësh (shumë e konsiderueshme për kohën), që do t’i lejonte qeverisë të realizonte objektivat më të ngutshme të programit të saj.

Duke iu referuar dokumentacionit të kohës, veçanërisht numrit 21 të gazetës Përlindja e Shqipëniës, datë 15/28 mars 1914, nëpërmjet një artikulli të shkruar prej tij, të titulluar “Sa lloje pulla nxori Ministeri i Postave në kohën e Qeverriës së Partashme të Shqipëniës”, mësojmë se pulla e parë u emetua afro pesë muaj pas shpalljes së pavarësisë. Prodhimi i saj ishte meritë e Lef Nosit, i cili propozoi dhe zbatoi një rrugë praktike e të përshtatshme, të përligjur për kohën. Me anë të një vule dore metalike, të porositur dhe të ardhur nga Korfuzi, 2 nëpunësit e postës vulosën një sasi zarfash të ngjyrave të ndryshme, që varionin “nga e bardha në gri dhe nga gria në jeshile.” 3

Pulla vulë kishte formë rrethore. Diametri i saj ishte 38 mm. Brenda vulës, midis dy rrathëve koncentrikë, u vu mbishkrimi: “MINISTERIA E POST.  TELEG. E TELEFONEVET”. Në mes gjendej shqiponja dykrenare e vendosur në një shqytë. Pulla e parë vulë dallonte shumë pak nga vula zyrtare e Ministrisë së Postë Telegrafë Telefonëvet, dallim që mund të bëhet lehtësisht me një krahasim të thjeshtë të tyre. Në pullën vulë, si shkrimi dhe shqiponja ishin me ngjyrë të zezë. Secili zarf kushtonte 1 piastër ose 1 grosh (monedhë osmane), ndonëse  në të nuk shkruhej gjë.

Gjithsej “pliko me vulën e Ministerit”, siç i quan Përlindja e Shqipëniës, ishin 2.232 copë. 4 Ato “u vunë në përdorim më 5 të Majit 1913 e u hoqën nga përdorimi më 30 të qershorit 1913”. 5

Pra, pulla e parë kombëtare shqiptare doli plot 73 vjet më vonë nga lindja e pullës postare në Angli (1840), duke mbetur kështu Shqipëria e fundit ndër vendet europiane në nxjerrjen e pullës së vet. Për emisionin e parë Ministri Lef Nosi urdhëroi të vihej në shitje në 14 zyra postare të qyteteve ku qeveria e Ismail Qemalit kishte shtrirë juridiksionin e saj. 6 Dhe konkretisht në:

Vlorë                        Peqin

Fier                          Kavajë

Lushnjë                    Durrës

Berat                        Shijak

Skrapar                    Tiranë

Elbasan                    Krujë

Qukës                       Lezhë

Siç theksuam më lart, pulla e parë vulë u përgatit mbi zarf dhe shitej së bashku me të. Por atë e gjejmë edhe ndryshe: të prerë në formë të rrumbullakët ose katrore nga zarfat me të cilët shitej dhe të ngjitur mbi zarfa të tjerë. Autorësia për këtë variant nuk i përket administratës postare; ai lindi thjesht për nevoja pragmatiste përdorimi, prandaj dhe gjeti miratimin zyrtar të ministrit Lef Nosi.

Përsa u përket tarifave të qarkullimit postar, Lef Nosi vendosi të zbatoheshin po ato që kishte pasur administrata osmane. Kështu, p.sh., për një letër të thjeshtë brenda vendit, tarifa ishte 1 piastër ose 1 grosh, ndërsa për jashtë vendit 2 piastra; për një letër të porositur për jashtë vendit paguheshin 3-5 piastra, në përputhje me peshën; për një kartolinë duheshin 20 para për brenda vendit dhe 1 piastër për jashtë; për dërgimin e gazetave tarifat postare varionin nga 5-10 para për brenda vendit në 20 para deri në 1 piastër për jashtë vendit. Për paketat postare deri në 2 okë (oka ishte njësi matjeje që përdorej në Perandorinë Osmane; 1 okë ishte afërsisht baraz me 1,250 kg) paguhej një tarifë nga 5-10 piastra, në funksion të largësisë ku do të dërgohej objekti. 7

Ende pa u hequr nga qarkullimi pulla e parë, ministri Nosi firmosi emetimin e emisionit të  dytë, më 1 qershor 1913. Teknikisht edhe ky emision, njësoj si i pari, përbëhej nga një pullë, që gjithashtu kishte formën e një vule rrethore, por me diametër pak më të vogël.

Midis dy rrathëve bashkëqendrorë të kësaj vule spikat mbishkrimi: “Postat e Qeverriës së Përkohëshme të Shqipëniës.” Në këto zarfa me “një gamë ngjyrash që shkojnë nga e bardha në gri dhe në gri jeshile”, 8 mungonin shqiponja dhe vlera e pullës, që në fakt ishte 1 grosh, pra e barabartë me vlerën e pullës së emisionit të parë.

Përlindja e Shqipëniës shkruhet: “pliko me vulën e postës ishin 2.443 copë”. 9 Kjo sasi përfshinte brenda saj 1643 zarfa me pulla vulë dhe 800 pulla vulë në formë katërkëndshe, të shtypura në letër të bardhë dhe të dhëmbëzuara në të gjithë krahët me anë të një makine qepëse.

Në përdorimin e pullës së dytë nuk mungoi as praktika që u vu re me pullën e parë. Njerëzit e interesuar e prisnin atë në formë rrethore ose katërkëndshe nga zarfi i shtypur dhe e ngjisnin tek tjetri.

Edhe ky emision, me urdhër të ministrit Nosi, u shit në po ato zyra postare si emisioni i parë, duke përfshirë edhe Shkodrën. 10 Pra, në qoftë se emisioni i parë u vu në përdorim në 14 zyra postare, për emisionin e dytë u shtua edhe zyra postare e Shkodrës dhe u bënë 15.

Me urdhër të ministrit Nosi, administrata postare e vuri në qarkullim emisionin e dytë më 1 qershor 1913. Këtë e pohojnë Përlindja e Shqipëniës dhe thujase të gjithë autorët që kanë shkruar për këtë emision. Mendimet e tyre ndahen kur është fjala për datën e heqjes nga qarkullimi. Zyrtarisht është folur për datën 30 qershor 1913. 11  Por disa autorë, duke iu referuar praktikës filatelike, sjellin shembuj që e tejkalojnë shumë këtë datë. Këtu del në pah një praktikë e njohur e shërbimit postar si “afrankim (vulosje e) i favorizuar”,  që, me miratimin e Ministrit Nosi, përdorej nga zyrat postare në atë kohë.

Kultura filatelike e Lef Nosit spikati veçanërisht në emisionin e tretë ose, si njihet ndryshe, seria e mbishtypur mbi pullat osmane me shqiponjë dykrenare dhe, poshtë saj, me fjalën “Shqipënia”, që është edhe emisioni më interesant dhe më i shtrenjtë i krejt koleksionit shqiptar të pullave.

Meqenëse në mes të vitit 1913 nevojat për pulla ishin shumë të mëdha, Lef Nosi kërkoi dhe gjeti një zgjidhje realiste e praktike. Në zyrat postare  kishte mbetur një sasi e konsiderueshme pullash osmane të viteve 1908, 1909, 1910, 1911, gjithsej 39.803 pulla, me një vleftë rreth 38.000 piastra, të cilat u mbishtypën “me një mblatë prej metali të katërçiptë që kish shqiponjën dykrenare dhe nën të fjalën: “Shqipënia”… dhe u përdorën që më 16 qershor 1913 e gjer më 24 tetor 1913”. 12

Emisioni i pullave me mbishtypje me shqiponjë dykrenare është i pari në koleksionin shqiptar me pulla të gomuara. Ai përbëhet nga 22 vlera, plus 2 pulla taksë dhe 1 kartëpostare. 13 Dhe konkretisht: 2 para, 2 mbi 5, 5 para, 10 para, 20 para (3 lloje), 1 piatër, 2 piastra, 2,5 piastra, 5 piastra (2 lloje), 10 piastra, 25 piastra dhe 50 piastra. Tirazhi më i vogël (2 ekzemplarë gjithsej) i përket pullës taksë me vlerë 2 piastër, kurse më i larti, 11.607 copë i takon  vlerës 20 para. Pullat e tjera kishin këto sasi: 2 para – 1.909 copë; 5 para – 1.983 copë; 10 para – 4.252 copë; 1 piastër – 11.375 copë; 1 piastër taksë – 345 copë; 2 piastër – 3.758; 2 ½ piastër – 1.137; 5 piastër – 650 copë; 10 piastër – 241 copë; 25 piastër – 35 copë; 50 piastër – 16 copë dhe kartëpostare osmane me vlerë 20 para, të mbishtypura me shqiponjë dykrenare – 2493 copë. 14 Tri vlerat e mëdha, veçanërisht ato 25 dhe 50 piastra, nuk u përdorën për nevoja të afrankimit. Ato ose u ruajtën të paanuluara, ose morën ndonjë “anulim favori”.

Pullat e emisionit të tretë u vunë në shitje më 16 qershor 1913 dhe vazhduan deri më 24 tetor të po këtij viti. Këto pulla qarkulluan saktësisht 130 ditë.  Megjithatë është pranuar dhe dokumentuar se, me miratimin e ministrit Nosi, pulla të këtij emisioni janë anuluar nga zyrat postare shqiptare edhe pas kësaj date.

Pullat e emisionit të tretë me mbishtypje me shqiponjën dykrenare dhe, nën të, fjalën “Shqipënia”, menjëherë sa u vunë në qarkullim, ngjallën kërshëri të jashtëzakonshme, por edhe një pështjellim të madh, prandaj dhe u vlerësuan së tepërmi nga tregtarët e koleksionistët. Shumë nga ata mbërritën në Vlorë që në ditët e para të daljes në qarkullim të kësaj serie.

Për të kuptuar vlerat e jashtëzakonshme filatelike të emisionit të tretë dhe rolin parësor të Lef Nosit në të, ne sot kemi një “këshilltar” shumë të mirë, një “xhevahir të rrallë” –koleksionin brilant që etnografja Margaret Hazllëk [Margaret Hasluck] e kishte dhuratë nga Lef Nosi dhe që, pas vdekjes së saj, u depozitua në sektorin filatelik të “The British Library” në Londër. Mjaft interes për koleksionistët paraqet edhe një koleksion tjetër objektesh të kulturës popullore shqiptare, që është i ekspozuar në Universitetin e Aberdinit, në Skoci, fryt i bashkëpunimit me Lef Nosin, por edhe i pasionit të jashtëzakonshëm të etnografes Margaret Hasllëk, e cila jetoi  rreth 14 vjet në Shqipëri.

Këtu e ndiej per detyrë t’i bëj një saktësim një informacioni jo të saktë, botuar para ca kohësh në një gazetë, sikur “Lef Nosi i ka dhuruar Muzeut  Britanik 65 pulla të kësaj serie që ruhen si etalon në muze”. Jo, e vërteta nuk është kështu. Për interesa të përgatitjes për botim të historisë së filatelisë shqiptare, kam korresponduar disa herë me drejtorin e institucionit londinez, z. Dejvid R. Biç, të cilit i kërkova edhe një kopje të skanuar të pullave që formonin koleksionin në fjalë. Falë ndihmesës dhe korrektesës shembullore të tij, unë kam tani pamjet dixhitale të 82 pullave të koleksionit “Hazllëk”. Biç më informoi se “ky koleksion është përgatitur nga Lef Nosi, ministër i parë i Postës Shqiptare. Ai ia dhuroi atë znj. Hazllëk. Tani ky koleksion është pjesë e fondit të përgjithshëm të “The British Library”, nga dhuratat e vogla pas vitit 1923. Ai është dorëzuar në vitin 1949 nga njëri prej zbatuesve të testamentit të znj. Hazllëk, Ian Grant.”

Koleksioni “Hazllëk” ka shtatë fletë. Në krye të fletës së parë është shënuar me një shkrim dore shumë të lexueshëm, në gjuhën angleze, (këtu po e citoj të përkthyer në shqip): “Qershor 1913. Pullat e emetimeve të Turqisë të viteve 1909, 1910, 1911, me mbishtypje me shqiponjë dykrenare dhe “Shqipënia”. Mbishtypja në emetimin normal të pullave është në ngjyrë të zezë, por, para emetimit, janë bërë edhe prova me ngjyra të tjera. Ky koleksion u bë nga Lef Nosi nga Elbasani, Shqipëri”. Pasi e lexon shënimin, natyrshëm krijon bindjen se atë e ka përgatitur  Lef Nosi dhe askush tjetër. Vetëm ai, si njohës shumë i mirë i historikut të krijimit të këtij emisioni, mund të bënte edhe shënimet e tjera, që ndodhen në fletët që pasojnë, për vitet e emetimit të pullave osmane mbi të cilat u realizuan mbishtypjet me shqiponjën dykrenare dhe fjalën “Shqipënia”

Pullat e emisionit të tretë nuk e humbën asnjëherë vlerën dhe rëndësinë e tyre. Shumë më tepër vlerësohen ato sot. Madje janë ndër më të kushtueshmet e njëherësh ndër më të kërkuarat nga filatelistët, brenda e jashtë vendit.

Shumë kuptimplotë është në këtë drejtim shembulli i zarfit me nr. 1438, i paraqitur në ankandin “Corinphila 133” (6-9 qershor 2002), i paadresuar gjëkundi, por me katër vlerat më të mëdha të pullave të këtij emisioni, të anuluara me vulë të Vlorës më 17 tetor 1913. Ajo që e bëri veçanërisht interesant këtë zarf në ankand ishte një dokument me katër pjesë që e shoqëronte atë. Ai mbante firmat e Lef Nosit, ish–ministër i Postave në qeverinë e Vlorës në kohën kur u emetuan këto pulla, të Dhimitër Beratit, ish–anëtar i Senatit në vitin 1913 dhe ministër i Ekonomisë Kombëtare të Mbretërisë Shqiptare, në vitin 1936, kur është hartuar ky dokument, të të autorizuarit të kryetarit të Bashkisë së Elbasanit, në vitin 1935, Peter Ndria, dhe atasheut tregtar në ambasadën gjermane në Tiranë, në vitin 1936, Franc fon Shajger [Franz von Scheiger]. Këto firma mëtonin të garantonin legjitimitetin e deklaratës së Lef Nosit se pullat e ngjitura në zarf janë autentike, janë blerë në Vlorë nga Grigor Cilka, në shkurt 1914, dhe i janë shitur më vonë nga bashkëshortja e tij, një diplomati gjerman. 15

Në mbyllje të kësaj pjese për emisionin e tretë më duhet të shpreh ndonjë konsideratë rreth hamendësimeve të disa autorëve të ndryshëm:

– Për mua, tymnaja rreth përdorimit  jozyrtar të vulës së dorës me te cilën u realizuan mbishtypjet me shqiponjë të pullave të emisionit të tretë nuk është e rastësishme. Thashethemnaja për fatin e kësaj vule (njëri thotë se kjo vulë u asgjësua pas përdorimit zyrtar; një tjetër deklaron se ajo u bë e papërdorshme dhe se përdorimi i rregullt i saj ishte i pamundur; një i tretë shton se ajo ra në dorë të adjutantit të Esat Pashë Toptanit, i cili, gjatë kohës së qëndrimit në Turqi si refugjat politik, e përdori në mënyrë spekulative për përfitime të mëdha personale etj.) 16 e ka burimin tek interesat e biznesit me këto pulla të disa tregtarëve të kësaj fushe. Nga qerthulli i kësaj thashethemnaje është shumë e vështirë të dilet pa siguruar dokumentacionin e vërtetë të kohës, gjë që deri tani nuk ka qenë e mundur.

Besimi im është administrimi me kompetencë i vulës së dorës për mbishtypje pas përdorimit, sa kohë institucionin e postës e drejtonte  si ministër Lef Nosi.

Emisioni i tretë u zëvendësua nga i katërti, i cili, me urdhër të ministrit Lef Nosi, u vu në qarkullim më 25 tetor 1913. Për këtë emision u prodhua një sasi e përgjithshme prej 124.062 copë pulla, kurse seri të plota 13.818. 17

Veçanërisht interesante ishte mënyra e shtypjes së këtij emisioni, duke i kaluar pullat tri herë nëpër duar. Fillimisht, me vulën rrethore të përdorur edhe në emisionin e dytë, u shkruajt: “Postat e Qeverriës së Përkohëshme të Shqipëniës”; më pas, në pjesën e sipërme, brenda rrethit të vogël, u vendos një shqiponjë dykrenare dhe, më në fund, me një makinë shtypi të sistemit “Empire”, u vendos vlera në para dhe në grosh. 18

Kujdes të posaçëm i kushtoi Lefi letrës me të cilën u shtypën pullat e emisionit të katërt. Ajo ishte dy llojesh: e bardhë dhe ngjyrë kashte, me të cilën u përgatit vlera 20 para. Të dy llojet ishin mat, me filigran, prodhim i firmës “Globus” në Vjenë. Filigrani përbëhej nga vija drejtvizore të baraslarguara afërsisht 3 mm.

Ky emision pullash përbëhej nga gjashtë vlera me ngjyra të ndryshme. Me urdhër të ministrit Nosi, seri të plota të këtij emisioni pullash u shitën vetëm në zyrën postare të Vlorës, ndërsa vlerat për afrankim 20 para dhe 1 grosh u shitën edhe në zyrat postare të Fierit, Lushnjës, Beratit, Skraparit dhe Elbasanit. Këtë e konfirmon edhe Përlindja e Shqipëniës, kur shkruan se “asnjë tjatër zyrë, veç asaj të Vlonës nuk kishte e nuk shiste seri të plota të këtyre pullave, domethanë gjithë vleftat që më 10 para gjer më 10 grosh. Edhe jo të gjitha, por vetëm zyrat e Lushnjës, Fierit, Skraparit, Beratit e Elbasanit shisnin pulla 1 groshare e 20 parashe. Nuk shiste ndonjë tjatër zyrë.” 19

Ky emision nuk u hoq nga qarkullimi më 28 nëntor 1913, pasi ka zarfa që mbajnë data anulimi të pullave të emisionit të katërt deri në mesin e dhjetorit 1913.

Vetë mënyra e shtypjes së emisionit i ka bërë pullat e tij postare “më të çuditshme në botë”, siç i kanë cilësuar disa autorë, për të mos iu referuar ndonjë autori tjetër që e konsideron atë si më interesantin në gjithë botën.

Me gjithë joshjen që pati nga fondet e grumbulluara nga shitja e pullave, veçanërisht të emisionit të tretë, ministri Nosi ishte i vetëdijshëm se duhej rritur niveli cilësor i pullave për t’iu përshtatur më mirë standardeve të kohës për prodhimin e tyre. Nisur nga ky qëllim, ai kishte porositur në Torino të Italisë një emision me gjashtë vlera me portretin e Heroit Kombëtar, Skënderbeut. Por shtypja e tij u vonua jashtë çdo parashikimi. I ndodhur përballë këtij realiteti dhe mungesës së pullave në sportelet e postave, Lef Nosi vuri në qarkullim me urgjencë një emision të ri, të pestin, që iu kushtua një ngjarjeje të rëndësishme, përvjetorit të parë të shpalljes së pavarësisë. Nga ky emision Lefi kishte llogaritur të fuste në arkën e shtetit 176.000 grosh.

Emisioni u vu në përdorim pikërisht më 28 nëntor 1913. Gazeta Përlindja e Shqipëniës shkruan se  ky emision doli “për festimin e ditës kur u shpall liria e Shqipëniës… Pullat kanë formë të drejtçiptë, me shqiponjë në mes e vleftën nën të. Shqiponja e vlefta kanë ngjyrë të zezë e mblata ngjyra të ndryshme… Në mblatë shkruhet përqark: Postat e Qeveriës së Përkohëshme të Shqipëniës.” 20

Edhe ky emision, si të mëparshmit, dallon për nivelin e ulët teknik të prodhimit të tij; megjithatë, në krahasim me emisionin e katërt, ishte disi më i përparuar.

Seria e këtij emisioni përbëhet nga pesë pulla katërkëndshe të pagomuara. Ato u shtypën në tabakë letre pa filigran (3661 copë tabakë me 56 pulla secili), të birosur paraprakisht në Vjenë. U prodhuan 199.310 pulla gjithsej, kurse seri të plota ishin 36.129.

Ky emision, ndryshe nga i katërti, u shit i plotë jo vetëm në zyrën postare të Vlorës. Ai u hoq nga qarkullimi “më 30 dhetuar 1913”. 21  Po kështu, meqenëse vlera 2 grosh u mbarua shpejt, me urdhër të Ministrit Nosi, u bë një rishtypje e saj mbi vlerën 1 grosh, që dallohet lehtësisht nga e para. Madje disa zyra postare u autorizuan nga ministri Nosi të shkruanin me dorë vlerën 2 grosh mbi atë 1 grosh.

Në pullat e emisionit të pestë gjenden variacione të shumta, ka mjaft gabime: ndryshime në ngjyrat e kornizës dhe të elipsit; ndryshime në pozicionet e shqiponjës, defekte të theksuara në dhëmbëzim; mungesa të vlerave; mbishtypje kokëposhtë etj. Ka aq shumë gabime, sa është tejet e vështirë t’i gruposh e t’i inventarizosh plotësisht ato.

Emisioni i pestë do t’ia linte vendin emisionit të gjashtë dhe të fundit të qeverisë së Ismail Qemalit, serisë së pullave me portretin e Skënderbeut. Me mbishtypje të këtyre pullave do të emetoheshin më vonë disa emisione të tjera të koleksionit filatelik shqiptar.

Emisioni i gjashtë, si emetim, daton më 1 dhjetor 1913. Ky është i pari emision i koleksionit filatelik shqiptar i prodhuar sipas standardeve ndërkombëtare për pullat, i gomuar dhe me dhëmbëzim të rregullt 14½ x14. Me porosi të ministrit Nosi, ai u shtyp në Torino të Italisë.

Nga emisioni i gjashtë qeveria e Ismail Qemalit kishte llogaritur të fuste në arkën e shtetit afërsisht 600.000 franga, shifër kjo e barabartë me 22.000 lira turke. 22

Vlen të përmendet këtu kujdesi i veçantë i Lef Nosit për paraqitjen grafike të këtij emisioni. Ai, përpos porosive të përgjithshme, u interesua personalisht deri edhe për kompozimin, duke vënë në qendër të pullave, brenda një medalioni, portretin e Heroit Kombëtar, Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Si bocet u miratua punimi i piktorit nga Praga Hainc Kauç [Heinz Kautsch]. 23 Në pjesën e sipërme, mbi portret, futur në një drejtkëndësh, shkruhet: “SHQIPËNIA E LIRË”. Portreti rrethohet nga teksti “SKANDERBERGU MBRETI I SHQIPTARËVET”, kurse poshtë tij, në një katërkëndësh tjetër të harkuar, shkruhet: “GJERGJ KASTRIOTI”. Pjesa fundore e pullave mbyllet gjithashtu me një drejtkëndësh, ku janë vendosur vlerat për secilën.

Ky emision i ri përbëhej nga gjashtë pulla me vlerat: 2 qint, 5 qint, 10 qint, 25 qint, 50 qint dhe 1 frank. Sipas këtyre vlerave dallohen edhe ngjyrat përkatëse, për të cilat Ministri Nosi bëri kujdes që t’u përmbaheshin rekomandimeve të Bashkimit Botëror të Postave: tullë në të verdhë; e blertë; e kuqe; blu; vjollcë dhe kafe në gri.

Ndryshe nga emisionet e mëparshme, ku llojet e monedhave të përdorura për vlerat e pullave turke – para, grosh dhe piastër, në të gjashtin jepen në qindarka dhe franka. (1 frank ishte e barabartë me 100 qindarka). Ky ndryshim ishte rrjedhojë e një reforme monetare që inicoi qeveria e përkohshme e Vlorës në këtë periudhë, për të kapërcyer sistemin monetar osman dhe për ta zëvendësuar atë me një tjetër, më modern, siç e kërkonte koha.

Përsa i përket përdorimit, pullat e emisionit të gjashtë Ministri Nosi i klasifikoi në këtë mënyrë:

2 qint      për afrankim për gazeta

5 qint      për afrankim për kartolina

10 qint      për afrankim për letra brenda vendit

25 qint      për afrankim për letra jashtë vendit

50 qint      për afrankim për letra rekomande jashtë vendit

1 frank      për afrankim për letra e pako me peshë,

rekomande për jashtë vendit

 

Sasia e përgjithshme e këtyre pullave kapte shifrën 2.878.500 copë. Këtë e konfirmon edhe Përlindja e Shqipëniës: “Gjithë pullat me fytyrën e Skënderbeut janë 2.875.000…” 24 Tirazhi i këtij emisioni ishte padyshim më i madhi i përdorur deri në atë kohë dhe një nga më të mëdhenjtë në tërë koleksionin filatelik shqiptar. Seri komplete të emisionit të gjashtë   u prodhuan gjithsej 41.500 copë.

Veç këtyre pullave, u vunë në qarkullim edhe një sasi kartëpostaresh të dy llojshme:

  1. të thjeshta,

5 qint        150.000 copë

10 qint        100.000 copë

  1. me përgjigje,

5+5 qint          50.000 copë

10+10 qint          50.000 copë

Duke i kushtuar vëmendje të madhe emetimit të gjashtë emisioneve të pullave, Lef Nosi nuk la pas dore për asnjë çast ecurinë normale të administratës postare dhe, në këtë kuadër, u kujdes posaçërisht për prodhimin dhe përdorimin e vulave postare datare të standardeve të kohës. Ai hoqi nga qarkullimi vulat e huaja, që ishin të shkruara në frëngjisht dhe turqisht, dhe i zëvendësoi ato me vula të shkruara në gjuhën shqipe. Për t’u theksuar është edhe fakti se ministri Nosi, përveç zyrave postare që vepronin në juridiksionin e qeverisë së Ismail Qemalit, pajisi me to edhe 7 zyra të tjera, si p.sh., ato të Korçës, Tepelenës, Starovës etj.

Për të qënë plotësisht realist në vlerësimin e veprimtarisë emetuese të pullave postare të kohës kur ministër i parë i Postave ishte Lef Nosi, më duhet të ve në dukje  edhe këtë fakt: pati edhe jo pak spekulime, rrjedhojë e shpërdorimit të pozitës zyrtare nga disa nëpunës që merreshin drejtpërdrejt me pullat. Për këtë kanë folur jo pak tregtarë të pullave, të cilët u dyndën në ato vite në Shqipëri dhe nuk ngurronin të korruptonin  punonjësit e postave.

Këtë realitet do ta pranonte vetëm pak vite më vonë, në vitin 1920, edhe ish-drejtori i Përgjithshëm i Postë Telegrafë- Telefonëve në atë periudhë, Idhomen J. Kosturi. Ja çfarë ka shkruar ai në një letër dërguar Pandeli Evangjelit, në Paris, më 1 prill 1920: “Tashti, si drejtor i Përgjithshëm i Postëtelegrafëve  që jam, ju them se gjer më sot, që në kohën e Ismail Qemalit, me pullat e postës të Shqipërisë janë bërë spekulime dhe shumë batakçillëke. Unë dëshiroj që në kohën time të mos përsëriten të bëhen të këtilla gjëra.” 25

Pas emetimit të emisionit të gjashtë, u duk qartë se situata për qeverinë e Ismail Qemalit sa vinte e vështirësohej. Ajo po mbërthehej gjithnjë e më fort në darën e Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit. I gjendur përballë këtij realiteti, Ismail Qemali, më 22 janar 1914, bëri aktin formal të dorëheqjes, i cili përligjte njëkohësisht kalimin e pushtetit në duart e Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit. Kështu u mbyll veprimtaria e emetimeve postare të qeverisë së Vlorës, që është njëherësh edhe njëra prej fazave më të rëndësishme e më interesante të historisë së pullave dhe filatelisë shqiptare dhe për të cilën meritë të padiskutueshme ka ministri i parë i Postave, Lef Nosi.

Në historinë e filatelisë shqiptare emri i Lef Nosit si protagonist rishfaqet pak vite më vonë, pas Luftës së Parë Botërore. Siç dihet, më 25 dhjetor 1918, Kongresi i Durrësit formoi një qeveri të përkohshme të përbërë nga 14 anëtarë, me në krye Turhan Pashë Përmetin. Kjo qeveri nuk e kishte të lehtë që, pas një ndërprerjeje katërvjeçare të viteve të luftës, të riorganizonte shërbimin postar. Zgjidhja e problemit të pullave ishte emergjente, por qeverisë së Durrësit i mungonin financat. Lef Nosi, aso kohe këshilltar i qeverisë për postat, hodhi idenë e “emisioneve lokale”. Kjo ide u miratua, madje u konkretizua dhe në një vendim përkatës të qeverisë. Për zbatimin e tij, ministri  Mustafa Kruja nxori një qarkore për zyrat postare.

***

Nga sa parashtrova në këtë kumtesë, kuptohet qartë se, për arsye tanimë të njohura, në periudhën e shtetit monist, emri dhe vepra e Lef Nosit u lakuan vetëm për keq, duke i përmendur thjesht pranimin dhe ushtrimin e detyrës si regjent në vitet e pushtimit gjerman. Personaliteti i tij shumëplanësh, edhe si themelues e protagonist në filatelinë shqiptare, filloi të vlerësohej pas vitit 1991. Rrjedhojë e këtij fakti është edhe fiksimi në pullë, në vitin 1993, i portretit të Lef Nosit si dhe nderimi i tij me Diplomën e Mirënjohjes nga Federata e Koleksionistëve të Shqipërisë.

 

                                                                   Thimi Nika

                                                              Doktor i Shkencave

     

 

Referenca

1  “Lef Nosi 1873-1945”, Koleksionisti, nr. 2/1998, f. 39

2 Robert Ballauri, “Filatelia shqiptare e parë në prizmin historik”, Koleksionisti, nr. 3/1999,    f. 5

3  Pashko Prendushi, ”Studio sulle prime emissioni di Albania” [Studim për emisionet e para të Shqipërisë], Filatelia, nr. 63, datë 15.03.1969, f. 12-13

4 Përlindja e Shqipëniës, nr. 21, datë 15-28 mars 1914, f. 4

5  Përlindja e Shqipëniës, nr. 21, datë 15-28 mars 1914, f. 5

6  Përlindja e Shqipëniës, nr. 21, datë 15-28 mars 1914, f. 5

7 Robert Ballauri, “Filatelia shqiptare e parë në prizmin historik”, Koleksionisti, nr. 3/1999,    f. 5-6

8  Pashko Prendushi, “Studio sulle prime emissioni di Albania”, “Studim për emisionet e para të Shqipërisë”, Revista italiane Filatelia, nr. 63, datë 15.03.1969, f. 13

9  Përlindja e Shqipëniës, nr. 21, datë 15-28 mars 1914, f. 4

10  Revista Opinga, nr. 4, mars 1920, f. 64

11  Përlindja e Shqipëniës, nr. 21, datë 15/28 mars 1914, f. 5

12  Përlindja e Shqipëniës, nr. 21, datë 15-28 mars 1914, f. 5

13  Michel- Europa-Katalog, Band 3, Südeuropa 2008, f. 21–22

14  Përlindja e Shqipëniës, nr. 21, 15-28 mars 1914, f. 4

15 Për më gjatë shih “Sursharzhi me shqiponjë i vitit 1913 – vleftat e mëdha të rralla”, Koleksionisti, nr. 12/2003, f. 27–31

16  Shih John S. Phipps, Pullat dhe postat e Shqipërisë dhe Epirit 1878-1945, f. 113

17  Pashko Prendushi, “Studio sulle prime emissioni di Albania”, Filatelia, nr. 64, datë 25 prill 1969, f. 17

18  Quatrieme emision (Emisioni i katërt), Opinga, nr. 5, prill 1920, f. 92

19  Përlindja e Shqipëniës, nr. 21, datë 15/28 mars 1914, f. 6

20  Përlindja e Shqipëniës, nr. 21, datë 15-28 mars 1914, f. 6

21  Përlindja e Shqipëniës, nr.21, datë 15-28 mars 1914, f. 6

22   Robert Ballauri, “Filatelia shqiptare e parë në prizmin historik” Koleksionisti, nr. 3/1999,     f. 8

23   Shih Helmut Schappach, Geheimnisvolles Briefmarkenland Albanien, [Shqipëria, vendi i pullave të mistershme], f. 27

24   Përlindja e Shqipëniës, nr. 21, datë 15-28 mars 1914, f. 6

25  AQSh, Fondi 1070, D. 8, procesverbali 10-11