Nga Migena Kapllani

Sikur t’i hidhnim një sy sot nën dritën e re të fakteve, jetës së Lef Nosit (me një ftohtësi që na e dikton dhe largesa në kohë me ngjarjet), mbase do kuptonim me dhimbje se historia jonë i ngjan gjithnjë e më shumë pëlhurës së Penelopës.
Lef Nosi përmendet si intelektual, atdhetar, politikan, e studiues. Menjëherë sapo të hysh në lagjen “Kala” të qytetit të Elbasanit, shpejt këmbët do të çojnë në një ndërtesë, që edhe pas kaq vitesh, mundohet ta tregojë madhëshinë e saj. Pikërisht në këtë shtëpi, sot Qendër Kulturore e Fëmijëve të qytetit, ka lindur, më 1876, Lef Nosi. Mësimet e para i mori në vendlindje, ndërsa të mesmet, në gjimnazin grek të Athinës. Më vonë nis po në Athinë, studimet e larta në degën e farmacisë, të cilat nuk i përfundoi, sepse, pas dy vjetëve kthehet në Elbasan, por nuk resht së studiuari gjatë gjithë jetës për të fituar kulturë të gjerë.
Veprimtaria atdhetare e politike e Lef Nosit nis në fillim të shek XX. Në vitin 1908, menjëherë pas shpalljes së Hyrriyet-it (Kushtetutës) nga Turqia, vendimi i Xhonturqve për shkrimin e gjuhës shqipe me shkronja arabe u prit me protesta të ashpra në Elbasan. Në atë kohë ngrihen dy klube patriotike dhe kulturore, “Bashkimi” dhe “Vllaznia”, të cilat u bënë vatra të zgjimit të ndërgjegjes kombëtare dhe të përhapjes së shkollave dhe arsimit shqip. Më 1909, L. Nosi zgjidhet nënkryetar i klubit “Vllaznia” dhe po këtë vit themelon dhe drejton shoqërinë “Afërdita”. Më 5 shkurt 1910, klubet patriotike “Bashkimi” dhe “Vllaznia” organizuan një miting madhështor në Namazgja; patriotët dhe djelmuria u grumbulluan për të kundërshtuar shkronjat arabe. Merrnin pjesë 7000 veta, jo vetëm qytetarë, por edhe nga rrethinat e Elbasanit. Ideatorë të mitingut ishin: Lef Nosi, Muç Shqiptari, Beqir Plangarica, Ali Çiftja, Nexhip Haxhiademi etj.
Harmonia dhe bashkëpunimi i klubeve kombëtare të Elbasanit në çastet e acarimit të marrëdhënieve të shqiptarëve me xhonturqit për çështjen e alfabetit dhe për probleme të tjera politike, bëri që në pranverë të vitit 1910, klubet të bashkohen në një të vetëm nën emrin “Bashkimi i Ri”. Nga të dy kryesitë u zgjodh një kryesi e re e përbërë nga: Hasan bej, Emin Haxhiademi, Demir bej, Hysen Hostopalli, Lef Nosi, Ahmet Dakli, Shefik Daiu dhe Qamil Peza.
Menjëherë pas kësaj lëvizjeje, boton dhe drejton gazetën e parë të qytetit të tij “Tomorri”, me drejtim të qartë politik e atdhetar. Boton numrin e saj të parë në 10 mars 1910, një gazetë e cila nxirrte tre numra në muaj. Do ishte kjo gazetë që do njoftonte dhe “Bashkimin e Ri”, klub që siç shprehet “… u prit me gëzim të madh prej gjithë qytetit edhe shprehet se pas kësaj një jetë e re e plot veprim nis për propagandën kombëtare këtu në qytetin t’onë”. Në rrjedhën e ngjarjeve, pas dy artikujve të botuar në gazetën e tij, arrestohet nga “turqit e rinj” dhe i japin dënimin kapital, drejtorit të gazetës. Ndërhyrjet e patriotëve, bënë që ky dënim të kthehej në internim, në Bursë të Turqisë. E liruan nga presionet e personaliteteve shqiptare.
Ndërkohë, L. Nosin e gjejmë tepër të angazhuar gjatë kësaj periudhe, edhe me çeshtjen e arsimit dhe gjuhës shqipe. Në Elbasan në vitin 1908, ishin çelur dy shkolla nate. Krahas shkollës shqipe të ditës dhe mësimit të shqipes në shkollat e huaja, shkollat e natës, u çelën për t’u mësuar shkrim e këndim të rriturve, shegertëve, zanatçinjve, nëpunësve etj. Njëra nga dy shkollat e natës, gjendej në lagjen “Kala”, e hapur dhe e drejtuar nga Lef Nosi, ku edhe jepte mësim pa asnjë lloj shpërblimi.
Në lidhje me Kongresin e Manastirit, në faqet e Enciklopedisë së Elbasanit, thuhet se morën pjesë disa atdhetarë e patriotë nga Elbasani si: Taq Buda, Josif Haxhimima, Simon Shuteriqi, Petër Dodbiba, ndërsa Lef Nosi, nuk ka marrë pjesë në Kongres edhe pse H. Myzyri pranon: “sipas burimeve austriake, rezulton se, përveç këtyre në kongres ka marrë pjesë dhe Lef Nosi”. (shih “Shkolla Normale e Elbasanit” (2004), H. Myzyri, f. 175 ). Gjithashtu dha një ndihmesë të madhe në punimet e Kongresit të Elbasanit dhe në hapjen e shkollës Normale.
Në vitet 1910-1912, u krijuan Çetat antiosmane, formacione të vogla luftarake, të formuara në Elbasan, numri i të cilave filloi të rritej. Ato vepronin në disa krahina e zona dhe njiheshin si Çeta e Martaneshit, e Çermenikës, Funarit, që më vonë mori emrin Çeta e Byshekut. Në fshatrat Seltë, Nezhan, çeta me 23 luftëtarë drejtohej nga Lef Nosi. Në kuadrin e kryengritjes së përgjithshme të vitit 1912, në korrik, në fshatin Kryezjarrth u organizua mbledhja me përfaqësues të gjerë të çetave. Takimi u zhvillua në shtëpinë e Ali Agjahut, nën kryesinë e Aqif Pashë Biçakçiut me pjesëmarrjen e Lef Nosit, Ahmet Daklit, Hysen Sulovës, Ali Çeliramës, Ali Çaushit, Ahmet Isait, Irhan Ohrit. Ky i fundit, Irfan Ohri, nip i Aqif Pashë Biçakçiut, u zgjodh kryetar i komitetit organizator të kryengritjes së Elbasanit. Pjesëmarrësit, u shpërndanë në krahina të ndryshme të Elbasanit për mobilizimin e ushtarëve. Lef Nosi organizonte Shpatin; Ahmet Dakli dhe Ali Çaushi, Martaneshin; Asllan Shahini, Gramshin etj. Kjo kryengritje në prag të Shpalljes së Pavarësisë, pati një shtrirje të gjerë që përfshiu Elbasanin e trevat e tij.
Në qeverinë e Vlorës zgjidhet ministër i Postë – Telegrafit. Deri më 5 mars 1913, zyra postare e qytetit të Elbasanit punonte në kuadrin e rrjetit postar të Perandorisë Turke. Pas Shpalljes së Pavarësisë, ministër i parë për organizimin e administratës postare shqiptare u emërua Lef Nosi. Gjashtë seritë e para të emetuara gjatë viti 1913, të konceptuara nga vetë Lef Nosi, përbëjnë fillesën e filatelisë shqiptare.
Më 1916, në Elbasan Aqif Pashë Biçakçiu, me atdhetarë e patriotë të tjerë vendosën thirrjen e një kongresi kombëtar, i njohur si Kongresi i Dytë i Elbasanit. Komisioni i ngritur përbëhej nga: Ahmet Zogu, Qemal Karaosmani, Simon Shuteriqi, Ymer Stringa, Sava Papajani, Ahmet Sinani, Shefqet Daiu, Lef Nosi dhe Thanas Floqi dhe u drejtua nga Ahmet Zogu. Edhe pse komisioni vendosi datën kur do të zhvillohej kongresi, më 18 mars 1916, për arsye politike, ai u ndalua nga ushtria austro-hungareze.
Në vitet 1918-1919, ndihmon në botimin dhe është një nga drejtuesit e së përkohshmes së Elbasanit “Kopështu letrar”. Shkrimet e tij ishin me tepër të rrafshit etnologjik dhe etnografik. Ai grumbulloi një material të pasur burimor, duke lënë shkrime e studime trashëgimi me interes etnologjik. Edhe në lidhje me muzetë e qytetit, përpjekjet e para lidhen me emrin e Lef Nosit, në fillim të shek XX, i njohur për aktivitete të tilla. Përmes revistës “Kopështi letar”, u drejtohet qytetarëve për ruajtjen, grumbullimin e objekteve me vlerë muzeale, në një qendër të caktuar.
Në vitin 1942, Lef nosi zgjidhet kryetar i Komitetit Qarkor Dega Elbasan dhe anëtarë Sotir Paparisto, Skënder Sejdini, Qamil Xhaja, Et’hem Haxhiademi, Zija Luniku. Ndërsa në tetor të vitit 1943 bëhet anëtër i regjencës.
Gjatë gjithë këtyre viteve, ai krijoi kontakte me mjaft personalitete të shquara brenda dhe jashtë vendit, veçanërisht me Norbert Joklin dhe Margaret Hasllëk (Margaret Hasluck 1885-1948), etnografe dhe sociologe angleze. Kjo e fundit në rrethet intelektuale të qytetit, u mirëprit dhe zgjoi tek ata interesin për arkivimin e dokumentacionit historik të esnafëve, “Psalltirit” të Anonimit, fragmenteve të Dhaskal Todhrit, dorëshkrimeve të Shën Gjonit, regjistrave të Mitropolisë. U largua nga Elbasani në shkurt të vitit 1939. Në vitin 1946, me cilësinë e te diplomuarës së një ushtrie aleate, ajo i kërkoi E. Hoxhës anullimin e dënimit me vdekje të Lef Nosit. Mesazhin e vet e përligj me dokumente e fakte që dëshmonin atdhetarinë e kulluar të tij. Një javë më pas Lef Nosi u pushkatua, në moshën 70 vjeçare bashkë me At Anton Harapin dhe Maliq Bushatin, pa mundur dhe sot dot të gjenden varret e tyre.
Në librin e tij, At Zef Pllumi do ta kujtonte mikun e mirë të At Anton Harapit si: “nji zotni i mbajtun që nuk e kishte shokun ndër shqiptarë”
Lef Nosi jetoi si njeriu që e donte vendin e tij, por mbi të gjitha donte ta ruante e ta përcillte tek brezat historinë e këtij vendi, një histori e brishtë jo në ndodhi, por në dokumente. Dhe pse sot nuk ka një varr, ai ka lënë një fond të pasur prej 12000 faqesh me vlerë dokumentare. Dokumente me natyrë biografike, poltike-shoqërore, letërkëmbime me personalitete të kohës dhe veprimtari studimore me interes shkencor të vetë autorit. Këtu përfshihen aktiviteti i tij si drejtues i gazetës, si studiues në fusha të ndryshme, si sistemues i mjaft dokumentave historike, si mbledhës i antikave, duke i sjellë një shërbim të çmuar kombit me punën e tij. Biblioteka e tij numëronte më se 10.000 vëllime me vlerë albanologjike dhe ballkanologjike. Mblodhi një material të pasur gjuhësor, duke e ruajtur në skeda të veçanta, por nuk mundi ta botonte vetë.
Se çfarë ka bërë gjatë gjithë jetës së tij Lef Nosi, gjendet, dhe pse në gjendje jo të mirë, në AQSH.
1. Shpëtoi dorëshkrimin e Anonimit të Elbasanit, Dh. Todhrit, K. Kristoforidhit
2. Realizoi disa studime për pashallëqet e Bushatlinjve, Ali Pashë Tepelenës
3. Mblodhi Ciklin e Kreshnikëve, këngët legjendare, bashkëpunoi në fushën e folklorit e të etnografisë me studiuesen e njohur angleze Margaret Hasllëk
4. Botoi më 1924 “Dokumente historike për t’i shërbyer çështjes kombëtare, ku përfshihen të gjithë dokumentet e Qeverisë së Vlorës dhe Shpalljes së Pavarësisë në vitin 1912
5. Figuron si editor në një abetare të hartuar nga një autor anonim elbasanas, me alfabetin e Stambolit: “Abetare Shqipe për djelmoshat gegë”, Editor Lef Nosi Elbasan, Manastir, shtypshkronja “Tregetare Nerkombetare” 1912 .
6. Botoi në shtyp përkthime të tij, kryesisht artikuj për probleme të ndryshme të shoqërisë së asaj kohe.
7. Ka meritën e veçantë për ruajtjen, e Sixhilatit të Elbasanit (1580-1933), nëpërmjet transkriptimit të origjinaleve. Kishte caktuar një shkrues që merrej me përkthimin e tyre. Origjinalet e tij kanë qenë të ruajtura deri në vitin 1946. Me prishjen e godinës, me sa duket ato janë varrosur nën gërmadhat e saj. Mithat Frashëri ka shkruar se “[…] në Elbasan të tillë sixhilatekanë qenë kompakte, të pacënuar nga zjarri ose katastrofë tjetër dhe mbajtur në 64 defterë të mëdhenj, të lidhur me lëkurë. Ky sixhil është më i hershmi se ai i Beratit[…]
8. Njihet si filatelist dhe numismat me emër. Vlerat arkeologjike të trevës së Elbasanit janë bërë të njohura nga përkushtimi intelektual, patriotik e shkencor i Lef Nosit dhe studiueve të tjerë elbasanas.
Veprimtaria politike si përfaqësues në kuvende kombëtare, kongrese e delegacione :
1. Përfaqësues në Kuvendin e Vlorës (28 Nëntor 1912), si dhe një nga nënshkruesit e Dokumentit të Pavarësisë.
2. Përfaqësues në delegacionin që i dorëzoi kurorën e fronit shqiptar Mbretit Vilhelm Vid në Gjermani më 21 shkurt 1914
3. Përfaqësues në Kongresin e Durrësit (25 dhjetor 1918)
4. Anëtar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris (1919 – 1920)
5. Përfaqësues i Komitetit Kombëtar (14 shtator 1943)
Përfaqësues të legjislativit, e gjejmë, vetëm në Kuvendin Kombëtar të zgjedhjeve të 1 tetor 1943, zgjedhje të kryera veç me votime në këshillat bashkiakë dhe komunalë për shkak të pamundësisë për të zhvilluar zgjedhje të shpejta apo të standardeve të dëshiruara.
Përfaqësues në qeveri:
1. Ministër i Postë – Telegrafës, 4 dhjetor 1912 – 2 janar 1914
2. Ministër pa portofol, 25 dhjetor 1918 – 29 janar 1920
3. Kryetar Parlamenti, 16 tetor – 25 Tetor 1943

Letërkëmbimi:

ORTHODOX CHURCH ALBANIA

“ST. GEORGE” Boston, Mass. 30/6/1908
28 Park Square,

I dashur vëlla.

É mora létrën tuaj me kohë dhe kam ndérë t’ju perghighém për ato cë me pyesni.
Arcipéshkevi me tha ce t’a shtyp libren dhé te dergoj gne kopjé ner shoceritë shcipëtaré të këtushme dhé te jashtmé, shocerite të kéne nga gne gnéri ce di Gercishtén dhé Shcipén mirë ce t’a shekoe dhé te dergojne nga gne shkrim né Arcipéshkevi ce eshte kthyer korékterisht dhé pastaj do t’ape auktorixatsijé te shkruar ce te perdoret me ch’do kishe Orthodoxé.
Kio u mbarua dome thene. Tani shekoni aty te na mblithni notsa ndihma si per kishen si per libren sé ndryshé s’é shtypim dot, dhé shkruaji mé ane miku Omér Dérvishit te Shpatës, à dô t’i vété nogne here atjé t’a bejme bashke atê te shkréten “Kristostani”, sé m’u merxit shpirti ketu n’ Amériken é cytéteruar.
Kur i thashe Arcipéshkevitch’do te bejme kur te méshoje nogne prift Shcip në Shcipërie é t’a xére cévéria, mu perghéc: “Lé te méshoje é lé t’a xére cévéria dhé pastaj te vish te me thuash!! Po ne cofte sé méshojne shume dhé i xê, atehéré eshte tsa mê mire”.
Dhé ka aresyé; sé bota mê pare nisin dhé pastaj kerkojne ndihme. Perandaj them te véte une véte ne Shciperie t’a bej ketê prove te shekojme ku do ta dale. Arrin te me prégatitni gne fshat a gne mal ku te ghéj pése gnéres te me deghojne dhé do nisém, passi t’i shtyp librat é névojshimé.
Ju dërgoj békimét é Kishes Shcipé dhé mbétém
Shërbëtor i saj i përugnet dhé ati juaj me Krishtin
+ Fan S. Noli
P.S. U bêni te fala te ghithe micvé t’atjéshme si te krishtérevé dhé musulmanevé. Kaléndare dhé Israelitet ju’a dergova. I muarte?
F. N.

—————————————————————————————————————————————————-

3. Oakley Cresceht, city Rd., E. C.
27. X. 1908
I shtregnte mik,
Ne gne létre ce me dergoj tsa dite më parë, A. Xhuvani me thote ce po te mérrémi vésh mé te dy (ju dhe une), “cheshtja é alfabetit do te xghidhét mé gne here”. Une nuk bésoj te kémi ate fucie c’i pelcén mikut t’one te na —–. Si do ce ne cofte, sa per t’u mare vésh, kujtoj c’u-muarne ace sa me mire nuke behét. Po mjerisht fati I Shqiperise cenka te mos perparoje kurre ky vent. Te ghitha sa folme, dukét ce do te véne me kot: Armict’ é cytéterise, mé vrap é mé djerse, u-hothme t’I mbyllim déren aresyes, ghykimit dhé bisédimit.
Cirjasi mé tsa te tjére botuan té gaxétat ce kane per te mbajtur gne “kongres” ne Manastir. Thone: Kush te doje té doje té vije. Do mé thene ne cofshin 20 véta si ju, te tsilet te kéne méjtuar per ketê cheshtjé, fjala é tyré nuk do te kéte nogne rendesie fare ne u-ndothchim atjé 21 hamaj dhé bujc mé mendjé tjater!.. Ku u-deghua ce gne Kongres létrar te jete si kursetote: Kush te doje lé te vije! Dhé ne qoft, bré fjala, ce dy-cint ushtare, te kthyér nga Bagdati, hyjne ne Cérhané te Cirjasit dhé votojne per gne alfhabet do te thémélohét si alfabeti Kombetar. Besoj ce asht é para hére ce gne probleme létra tyré do te xgidhet pas punimit te shumices. E mjéra Shciperia, ku gne Cirjas, gne Shahin, gne Pékmex shkojne per gnéres te mbedhégn!
Une, im mik, bésoj ce nuk do t’a pakesoni émerin tuaj duke u-perxjére mé keta gnéres. Shpéjtimi i tyré, méthudhat é tyré, pa lënë kohe mjaft sa te mblidhén te jashtmet dhé pa u derguar as thirrjen ce te mesojne ce do te behét gne i tille “kongres, te gjitha keto” cfaqin shéshit ce keta gnéres paskan frike nga bisedimi dhé dashkan te mundin me lehtaxi mé ane te dinakerise. Ju shiguroj ce vépra é tyre do te mbétét si gne nga mé te ndyrat dhé mé te xexat face te histories Shcipe!
Po duhet te mejtoni dhé gne tjater ghé. Ne doni t’a bejme Elbasanin centrin é Shciperise, sich é folme gne cint here, kuptoni, or mik, ce duhét cheshtja é alfabetit te xgidhét n’Elbasan. Gne problem kombetaré bisédohet dhé xgidhét ne gne center Kombetare. Dhé nuke duhét kurre t’a gnohim Manastirin si centrin t’one.
Kam shprése ce arrijtit shendosh é mire dhé i ghétte ghith’ashtu ne shtepie tuaj. Kam shume te ju thom: po per gne tjeter here.
Juaji mé bése Faik Konitza

—————————————————————————————————————————————————-

GRAND HOTEL MICHEL – ROME
18.5.13
I dashur mik
Z. Lef Nosi
Vlone,
Nukë kam mundun gjer më sot të Ju shkruaj gjatë, pse koha na mungon krejt: ditë për ditë duhet të pjekim shumë njerës e të siellemi mirë me të gjithë. Besova se duke ardhun këtu do të ngopesha me bukë e me gjumë, po, të thom të vërtetën, nukë më del koha as për njënën punë as për tjetrën. – Puna e Esadit duket që po merr funt pakë nga pakë, nga lajme, që erdhën këtu nga konshulli, Durrsit, merret vesh se ka mbetun pa anëtarë. Që t’ia pres kâmbët edhe mâ mirë unë po mundohem për punën për të cilën i shkrova Myfid Beut herën tjetrë, me anën e Italiës e t’Austriës po pregatis vajtjen t’onë në Shkodrë; si të marrim edhe sundimin e Shkodrës atëhere Esadit nukë i mbetet mâ fuqië. Këtë punë, përveç shokëvet të Ministerit e miqve t’afërmë e besnikë, mos ia tregoni askujt tjetër. Kam lidhun edhe Prenk Bibdodën e e kam këtu me vehte, presim në këto ditë Ismail Benë pastaj do të nisemi për në Shkodrë, ku kemi dërguar njerës të mirren vesh me krenët e vendit e të bâjnë pregatitjet e nevojshme.
Për kufinin e poshtëm të Shqipërisë po mundohem si në Londrë si ketu me gjithë fuqië, po na shigurojnë se Korça e Konitza do të jenë t’onat e nga ana e detit nukë do t’i japin Greqiës mâ tepër se gjer në gji të Italies. D. Beratin e dërgova në Bukuresht të bâjnë edhe një meeting për Korçë, Grammenon e kemi të sëmurë me reumatisma në —–.
Të gjitha si më ke lypun po i bâjmë gati edhe sa mâ shpejt t’i nisim, po mos besò se nuk bâhet puna me erë!
Po marr vesht se shkolla greke e Vlonës âsht hapunë zyrtarisht; më shkruej gjânë e gjatë mbi këtë punë pse duhet t’a mbyllim me ndonjë shkak. Mundohuni të hapni një shkollë shqipe të ditës për çunat e nji për çupat. Për mbi këtë punë Ju shkruej prapë, po Ju bisedonie këtë çâshtje.
Më jepni lajme ditë për ditë me telegramme se më duhen; herë për herë më dërgoni 20 a 30 fjalë përgjigje të paguarë (reponse payée) se ju nukë jepni të holla e mua po më mbarohen.
Shumë shëndete të gjithë shokëvet, Shefqeti e Ahmeti të mos më harrojnë.
Të fala me mall
I juaji L. Gurakuqi

—————————————————————————————————————————————————-

Durrës, 29. 3. 921
Fort i dashuni Lef,
Me këtë letër jam tue dashun me folë mi një çâshtje kreit jashta politikës. Vetëm se përpara se me hijmë në qëllim nuk po më rrihet pa e thânë edhe nji fjalë mi një argument politike qi na bashkon.
Kur kisha këndue “brochurën” e Mufid Beut u kishe thânë do shokve t’afër këtu se Mufidi n’atë botim ishte sjellë i thjeshtë aqë sa ndoshta as dorë s’kish me i dhânë një njeriu të politikës. Por në këtë thjeshtësië të plotë e burrnore vetëm në një pikë e kishte lânë rrugën e së vërtetës: në pikën e akordit të Romës, të cilin mbas kontekstit e dëftente si të mbarumë. Edhe këtë tërthuer ia shtina në ves edhe atij vetë. Kur qe Mehdiu në shesh të shtypit me telegrafën e tij zyrtare (!) për me dlirun veten. Përgjegjen e Mufitit atij përgënjeshtrimi besoj se do t’a keshë këndue: jo në gazeta por me një fletëz të posatshme. Aty Mufidi duket se i kishte marrë para sŷësh mirë verejtjet e mia. Se nuk hante mâ fjalë për një akord të mbarumë por për një projekt akordi të pavertetumë as prej njênës anë e të pavûmë në veprim plotësisht e zyrtarisht. Këjo më pëlqeu shumë për vete e besoj të ketë pëlqye edhe tye.
Tashti, lum vëllai, po hŷ e të shplikoj qëllimin kryesor të letrës.
Un mbas si dola në doçet në zgjedhjet parlamentare u mendova me gjetun një mënyrë tjetër për me i shërbye atdheut edhe kështu n’u duk tepër e dobiëshme në qoftë se mundem me i dalë në krye një reviste të përmuejshme politike – shoqnore – letrare jo mâ pak se 64 faqesh në formë të librit të Berattit “la question de Konitza”. Këtë do t’a nis në qoftë se më mbushet mêndja qi mundet me u numrue në radhë të rivistavet t’ Europës, qi të mos ketë pasë as mos të mundet me pasë për shumë kohë shoqe në Shqipërië.
U jam sjellë e do t’u sillem për këtë qëllim pêndavet mâ të fortave në njênën prej trië lândvet të caktume për me më sigurue secili një artikull në muej. E këtê e due para të gjithve prej teje. Mbas si të mar fjalën prej gjith’ atyne pêndatorve a shkrimtarve qi kam shënue do të filloj me bâmë pajtimet. E botimi do të nisë vetëm mbas si të jenë mbledhun aqë pajtime sa t’i sigurohet jeta e një vjete rivistës.
Emnin kam mêndue me ia vûë “Përtardhmja e Shqipniës”. Përgjegjen t’ande e pres pa durim. Ke me më këshillue se kui mundem me i u sjellë mâ n’Elbasan për ndihmën e pendës së tij qi të jetë pak së paku nga e dyta kategorië e shkrimtarvet t’onë. Po pate se si, ti edhe pa më pyetun mue mundesh me bisedue me kê të të marrë mêndja aty.
Të rrok në qafë me mallë. Vëllaznet e shokvet të fala zêmre.
Mustafa Kruja
P. Sh
Besoj se, po t’a hangër mêndja edhe tuë, Sifi I Haxhi Mimës nuk m’a kursen pêndën e vet.
M. K.

—————————————————————————————————————————————————-

Shkodër 8 të prillit 1922

I Ndritëshmi por edhè i paharrueshmi Atdhetar
z. LEF NOSI
n’ ELBASAN
I Ndritëshmi Zotni!
Me kënaqë të zemrës mora vesht se paski fillue botimin e nji Përkohshmes qi ka nji randësi të madhe për histori kombëtare t’onën. Na tuj kênë gjithmonë t’ûnshëm per libra e aso perkohshmes qi na sjellin fatlumsín e fatbardhësín kombit e atëdheut, e qi kan rrjedhen prej atyne pendave, si âsht ajo e Jueja e njoftun çë kah mot, posë qi po gëzohem me Ju, me urim qi fillesa e sajë të két nji vijim të pakëputun e të palodhun, na kënaqena edhè, se ajo Perkohshme ka për të kênë si nji dritar qi ka për të qitë në treg punë t’ona, e ka per të na zbardhë ftyrën faqe botet të gjytetnueme.
Kënaqem e gëzohem edhè, se kam nderen me porosi të Përkohshmen qi boton nji nder mâ të parë dashamirë, qi unë pata xânë çë me kohë, kur ishte sundimi i Tyranit Hamid, e qi pata pasë fatin me pasë të përpjekun në gjytet të Durrësit në vjetë 1900!
Pra Zotni e dashamir, Ju lutem të keni mirësi me njefë nder pajtimtarë të Përkohshmes s’Uej tuj na dërgoue edhè numrat e kaluem me ket adresë:
Fort i Nderti Atë
A. PÁL DODAJ
Provincjal i Franciskajve të Shqypnís
në SHKODER – ARRA E MADHE

Me kaq , tuj Ju urue të mirat e hire të posatshme prej Perëndijet, e tuj Ju ngjatëjetue me zemër po Ju falem me shëndet me ndiesi të fjeshta e dashamirsijet e po dishmohem

I paharrueshmi i Juej

Atë Shtjefën Gjeçov
Franciskan
Sekretari i Provincjes Franciskane Shqypëtare
Shkodër – Arra e Madhe

—————————————————————————————————————————————————-

Piana dei Greci (Palermo) 6 t’ tetorit 1926
E ndêrshme Zotëni,
Mora libret “Dokumenta historike” ngâ Papa Luzi Matranga. I falem nderies e me gëzim ndigjoj shërbëtyrën e zotënis qi do me vûm gati brezës t’ardhmé për historîn shqipe. Po mendoj se i duhet puna për së bashku edhè. Ѐ kështu thash zotit Petrot sà t’I dregonjë Zotënis s’ate dokumente për të ndihunë punën e vëjefshme.
I dregoj Zotënis s’ate Fialan e t’in Zoti, qi më kërkoi me anën t’ P. Luzit. I lipsen numerë që nuk ndodhen mâ.
Botimi I librit Buzukut prêt fatin e mirë. Ministri i Guvernit Shqipënis t’ Arësimit, tri viet prapa, më lipte me ditunë sa të holla duheshin për të botuar Buzukun. U përgjegja me vrap, por s’dijta mâ gjâ që të banej. U hesht pra Guverni. Pres vetin si të mbaronet puna. Dot kêm shpëresë se kam me gjetun viersh te viti qi vjen…
I uroj Zotënis sate shëndetë e ditë t’gjata.
Me ndêr vëllazënsht te Zoti Perëndi
I përvujtëm Mons Paolo Schiro
Vescovo di rito Greco in Sicilia

—————————————————————————————————————————————————-

Tiranë – Kisha Katolike 27. XI. 928
Fort i nd. Zotni Lefë Nosi
Kam ndië se do t’ vijoni n’botimin e Dokumentave t’ Shqypniës s’re. Kishe me j’a u dijt fort për nderë ne ni bâshi me dijt se kuer keni me e nisë at botim. Ato numrat mâ t’parat a i keni mâ? Jam tuj i kërkue fort se deshta me bëgatë Bibliotekën Shqype qi kam. A keni ju, ndoshta, ndo’i duplikat t’vepravet qi ka botue Balkan, Kommissioni i Serakevit, nën drejtim t’ Patschit? Jam t’ mendimit se ju kishi me i bâ nji shërbim fort t’madh atdheut në i botoshi ato t’mbledhuna kangësh qi keni ene landën historike.
M’ bâni me dijt edhe sa kushtoi në ato numrat e para qi kemi botue (12 kuitoi) mbi Dokumentat e Shqypniës. Qyshë tash po u falenderoi me gjith zemën.
Pranoni nderimet e mija mâ t’sinqerta.
I juaj
Atë Fulvio Cordignano

—————————————————————————————————————————————————-

Shum i nderti e i dashtuni Z. Lef.
Të kemi pritë, jo ndryshe-por si drita diellin. Se po vonohesh ti kaq n’ Elbasan nuk e kemi kujtue kurr. Po t’a kishim kujtue, nuk do të kishim lanë me shkue. Prà hiq e eja me nji herë, po me ketë auto qi po të çojmë. – Tanë jeta e administrata janë paralizue, dosje i aktevet për t’u dekretue asht bâ tepër i madh, ngjarjet po ndodhin për ditë ma të rrebta e duen zhvillim, për mos m’u bâ katastrofë. Mungesa e jote asht shum e damshme, ças më ças. Un edhe Mehdija kemi ndejë me duer n’i, pse tue mos bâ shumicën, nuk mund të veprojmë asgjâ. Po nuk erdhe, edhe un po nisem për Shkodër.
Nuk kam shka të tham, pse je i urtë vetë. Mbrenda ditës të presim. Shum të fala edhe porosi ké prej Mehdis.
Me nderime të veçanta perherë i yti
P Anton Harapi
Antar i Kësh. të Naltë
Tiranë 4/II/944