Hasan Ali Çiftja, patriot dhe bamirës elbasanas. Firmëtar i deklaratës së pavarësisë, dhe Kryetar i Bashkisë Elbasan në vitet 1920.

Shkruar nga Riza Çiftja ashtu siç e ka ndëgjue në ambientet familjare nga brezi i mëparshëm. 

Shkruar ne vitin 2000 (dy mijë)

 

Mbi prejardhjen e pasunisë të familjeve Çiftja

Kam dëgjue dy versione: 

Versionin e parë nga babai i im Qamil Çiftja:

Afërsisht përpara dy shekujsh Çiftja i parë që bleu shumë pasuni (toka, dyqane, etj) ishte një djalë i vobekët që e punësuen tregëtarët e Shkodrës për të blemë të gjithë mëndafshin dhe ata vijshin dhe e merrnin gati nji herë në vit. N’atë kohë çdo familje Elbasanase rriste krymbin e mëndafshit për tu veshun vetë dhe për ta shitë.

Ky djalë punoi vetëm 2-3 vjetë për Shkodranët dhe pastaj me paret që fitoi, e blinte vetë mëndafshin e Elbasanit, e shiste në Shkodër dhe mallrat e bleme i shiste në Raguzë, Venedik dhe qytete bregdetare të Mesdheut, gjithnji bli e shit mallra, vente edhe në Stambol, sigurisht për tregëti, vazhdonte në Selanik, Manastir e kthehej n’Elbasan mbas 2-3 vjetësh me 30.000 lira turke fitim. Bante 3 ditë rresht gosti farefisin dhe niqtë e vet. Ky bleu shumë toka dhe nga trashëgimia e tij në vitin 1920 kishin përfitue 7 familje që konsideroheshin të pasuna si Hasan Çiftja, Qemal Çiftja (kishte Gjyralen), Sul Çiftja që e shiti pasurinë e vet prej bixhozit.

Disa familje të tjera përfitonin nga kjo trashigimi tue u martue me gocat e Çiftes si psh Bungot që në këtë mënyrë morën katundin Cikallesh, etj.

Versioni i dytë:

Nga burri i hallës Hafyz Musa Basha kam ndëgjue sa ma poshtë:

“Për pasuninë e Çifteve kam ndëgjue se i pari i tyne ka pasë gjetë nji thesar të madh dhe me ato pare kanë ble shumë toka dhe prona të tjera.”

Ngjarja e kapeleve në Stamboll 

Çiftja i parë kur bënte udhëtime tregëtare merrte me vehte edhe nji fuçi me ullinj të regjun dhe nji fuçi me pastërma për të pasun nji autonomi ushqimore dhe për tu ruejtun nga mishnat e dyshimtë të gjellëtoreve si mish derri, mish dhije etj.

Gjatë nji udhëtimi në Stamboll vuni re se ishin në modë kapele të reja për bejlerët të ndryshme nga ato që përdoreshin në Elbasan. Atëherë ai bleu atje shumë kapele të tilla dhe i pruni në Elbasan, për ti shitë shpejt lajmëroi me tellall popullin se bejlerët, agallarët dhe efendilerët duhet të blijshin dhe të përdornin kapelet e reja të Stambollit përndryshe i u rrezikohesh titulli. Në këtë mënyrë ai nxorri nji fitim të madh nga këto kapele sepse shumë vetë që nuk e kishin trashigue titullin bej, e blijshin nga Sulltani dhe për ta ruejtun këtë titull duhet ti përmbaheshin rregullave të reja si psh modeli i ri i kapeles, për të ruejtun prestigjin e titullit të blerë shtrenjtë.

Ndërtimi i urës së Zaranikës

Nji nga trashigimtarët e Çiftes së parë filloi të ndërtojë urën e Zaranikës, por kur punimet vazhdonin erdhën ujrat e Zaranikës me rrëmbim dhe i prishën fare muret e ndërtueme. Mbasi kaloi nji kohë që ky nuk po rifillonte punimet, disa Elbasanas filluen ta tallnin si njeri që nuk mban fjalën.

Kur ky u bë gati dmth kur siguroi paret e nevojshme për rindërtimin e urës, ky u hakmorr ndaj këtyne njerëzve. Lajmëroi me tellall se kush nxjerrnë nji ditë të caktueme nji gur nga uji i përroit që do të përdorej për ndërtimin e urës do të shpërblehej me nji mexhite të bardhë. Meqënëse kjo ishte nji pagesë e madhe për kohën, u mblodhën shumë njerëz për të nxjerrë gurët nga uji. Ky i la që të nxjerrin vetëm nga 2 gurë sejcili dhe mbasi ju dha paret i tha atyne:” se ju që më tallët mue ma parë për urën sot u bëtë shërbërtorët e mi.”

Punimet për urën përfunduen dhe në nji kambë të saj u vendos një gurë me shkrim të gdhendun me emrin e investitorit dhe datën e ndërtimit.

Kjo urë u shemb nga shteti rreth viteve 1960 mbasi paralel me të u ndërtue nji urë e re. Ajo shumë mund  të ruhej si monument historik se ishte edhe e fortë, mjafton të kujtojmë se mbi të kaluen shumë tanke italiane gjatë luftës Italo-Greke

Ndërtimi i xhamisë lagjes Gurabardhë

Nji nga Çiftet bleu truellin dhe ndërtoi të re xhaminë e lagjes së vet dmth xhaminë e Gurabardhës. Te dera e faltores u vendos edhe guri i gdhendun me shkrimin e emnit të bamirësit dhe të datës së ndërtimit.

Kjo vepër i shpëtoi jetën dhe shtëpinë nga djegia trashigimtarit të tij Hasan Çiftja kur erdhi Haxhi Qamili në Elbasan.

Haxhiu ishte shumë fetar dhe u kërkoi llogari me radhë të gjithë pasanikëve se çfarë kishin bërë për të ndihmuar fenë, mbasi ka qenë traditë që çdo pronar kur bante testamentin i falte nji pronë vakufit.

Ato pronarë që nuk kishin ndihmue fenë u dogji shtëpitë dhe u shiti placket e shtëpisë psh Aqif Pashës (bektashi) etj.

I erdhi radha Hasan Çiftes. Haxhi Qamili i kërkoi llogari, gati për ta pushkatue, se çfarë ke ba për fenë? Hasan Çiftja përgjigjet se familja ime ka ndërtue dhe dhurue fesë xhamisë e Gurabardhës dhe kjo vërtetohet me gurin në portën e saj që ka të gdhendur shkrimin me datën e ndërtimit dhe emnin e dhuruesit.

Atëherë Haxhi Qamili i kërkoi nji çun ushtar mbasi Hasani kishte 5 çuna. Ai i përgjigjet që do ta jap nji çun që të shërbejë si kafexhi në zyrat e Komandës tate, për ty dhe oficerat tuej dhe kafen dhe sheqerin që do të shpenzohet do ta paguej unë.

Ky propozim që kishte si qëllim të shpëtonte djalin e tij, nga fronti i luftimeve u pranue dhe si kafexhi pranë Haxhi Qamilit për sa kohë që ai qëndroi në Elbasan, shërbeu Qamil Çiftja.

Hasan Çiftja kryetar bashkije i Elbasanit

Rreth viteve 1919-1920 posti I kryetarit të bashkisë mbeti vakant dhe si kandidaturë e pranueshme si për Verlacin ashtu edhe për Aqif Pashën u emnue me presionin e këtyne të dyve Hasan Çiftja që e kishte mirë me të dy dhe i kishte edhe fqinjë. Hasan Çiftja nuk konkuronte për poste zyrtare se nuk donte të merrej me politikë por mbasi nuk mund ti kundërshtonte dy bejlerve të mëdhenj pranoi detyrën që i caktuen.

Hasan Çiftja ul çmimet e bukës dhe të ushqimeve të tjera në Elbasan

Në vitin 1919 sapo kishte mbarue lufta e parë botnore dhe Elbasani ishte në gjendje zije për bukë dhe për ushqime të tjera.

Populli i kërkoi Hasanit që si kryetar bashkije të ndikonte te furrxhijtë për të ulur çmimet e bukës.

Ai i mblodhi furrxhijtë në bashki dhe llogariti që ata po fitonin 400% dhe u kërkoi që të ulin çmimet dhe të fitonin deri në 100%. Ata nxorrën shumë pretekste dhe e kundërshtuen. Meqenëse shteti gati nuk ekzistonte ai i kërcënoi se do ti konkuronte. Ata nuk e besuen edhe për faktin se buxheti i bashkisë ishte i dobët. Atëherë Hasani me shpenzimet e veta çeli dy furra buke që shisnin më lirë se furrat e tjera. Mbas kësaj konkurence furrtarët u banë të dëgjueshëm dhe e lutën Hasanin që të mbyllte furrat e veta se “bukën do ta shisnin sa të thoshte ai.” Dhe ai e mbylli furrat e veta dhe çmimet e bukës u ulën në saj të ndërhyrjes energjitike të tij. Po këte punë bani edhe me kasapët dhe tregëtarët e sendeve ushqimore.

Partija e fukarejve

Rreth viti 1906 si pasojë e revolucionit rus të vitit 1905 filloi të përhapej ideja e formimit të nji partije të fukarajve që në fillim mblidheshin në nji kafe si qendër e kesaj partije. Ngjarjet e botës Elbasani i merrte vesht nga gazetat dhe revistat e pakta që vijshin në qytet. Psh në shtëpnë tonë unë kam pa disa numra të revistës Albania të Faik Konicës.

Hasan Çiftja zhvillimin e ngjarjeve e ndiqte me kujdes që në fillim dhe me të marrë vesh se po formohej në nji kafe nji parti e fukarejve shkoi në ate kafene. Por frekuentuesit e kësaj kafeneje deshën ta përzajnë tue i thanë se “ti nuk je fukara prandaj shko në nji lokal tjetër”. Por ai iu lut atyne se “do të rri vetëm për nji kafe dhe pastaj nuk do të ju mërzis ma”. Atëherë e lejuen të rrijë. Ky kërkojë të bisedojë me drejtuesit e partisë të cilëve ju tha: ” E kuptoj se populli po vuen në fukaralluk dhe gëzohem që juve keni marrë përsipër të përmirësoni jetën e tij. Po punuet me drejtësi dhe me rezultate të mira unë do te ju ndihmoj. Po e fali ndonjeni pasuninë për të mirën e popullit i pari, unë do ta fal i dyti. Si ndihmë të parë po ju mbush filxhanin bosh të kafes me flori. Ata ju përgjigjën që hec sa herë të duesh që të bashkëpunojmë.

Kur u kthye në shtëpi çunat e kishin marrë vesht ngjarjen dhe e kritikuen: “Pse o babë ke shkue ke ata horra? Pse ju kishje falë gjithë ato para?” Ai iu përgjigjet: “Paret janë të mijat dhe ju nuk keni të drejtë të më kërkoni llogari se si i shpenzoj ato, por ta dini se po e morën pushtetin fukarejtë do t’ju punojnë qindin (do të vueni shumë). Kjo do të thotë se Hasan Çiftja qysh atëherë kishte nji kuptim të drejtë për luftën e klasave.

Këte ngjarje e kam ndëgjue nga i ndjeri Hysen Kopili.

Duhet të shtoj se Hasan Çiftja megjithëse i shmangesh posteve zyrtare, por kur e caktonin në punë për ti shërbyem populit ai nuk tërhiqesh dhe punonte me përkushtim. Psh Kongresi Arsimor i Elbasanit e zgjodhi në Komisionin themelues të normales, ai pranoi dhe sipas nji gazete të kohës kur ishte ba nji festë për përfundimin e vitit shkollor nxënësve të dalluar nga Elbasanllit e pranishëm vetëm Vërlaci kishte dhurue dy sahat florin dhe Hasan Çiftja nji sahat florin.

Ali Çiftja (i dyti dajthtas, rreshti i parë), Arkivi Digjital Elbasan

Ali Çiftja (i dyti dajthtas, rreshti i parë)

Ali Çiftja atdhetar dhe bamirës.

Djali i madh i Hasanit, Aliu, gëzonte nji simpati ma të madhe se vëllezërit e tij, mbasi ishte shumë bamirës. Qysh kur ishte i vogël, kur e çojshin në furrë për të marrë tavat me gjellë (të pjekuna) ai nji pjesë ja u falte fukarejve që takonte atje. Nji herë nga dy gjela deti të pjekur, njenin ja fali nji të vobegti, kurse në shtëpi e justifikonte këtë veprim tue thënë se gjeli iu rrëxue nga tepsi dhe mbasi u ba pis e fala.

Kur njerëzit që kishin marrë para borxh të jatit, troktinin në derë për ti kthye, po të ndodhte që të dilte Aliu ke dera, ky po të ishin të vorfën këto pare ja u falte prurësve dhe u thonte se kur t’ja u kërkoj baba thoni se ja keni dhënë Aliut.

Aliu ishte ndër të rinjtë e pakët që mësonte gjuhën shqipe. Për këtë e përmend edhe Aleksandër Xhuvani në kujtimet e tij dhanë Petraq Pepos pak ditë para se të vdiste.

Aliu përmendet edhe si nga organizatorët kryesor të nji mitingu të madh në Elbasan për të kërkue nga Turqia alfabetin e gjuhës shqipe me gërma latine.

Ali Çiftja çfrytëzon fodullëkun e bejlerëve 

Aliu së bashku me shokët e tij ishin lidhun me orkestrën e qytetit dhe kur kjo orkestër thërritesh nëpër dasma ajo vinte kusht që bashkë me të duhet të thërriteshin edhe Aliu me disa nga shokët e tij, përndryshe orchestra nuk merrte pjesë. Meqënëse orchestra të mira ishin të pakta i zoti i dasmës detyrohej të pranonte.

Kur fillonte ahengu ishte zakon që njeni nga orkestrantët dilte me dajre dhe të ftuarit hudhnin pare! Aliu me shokët e tij vendoseshin sejcili pranë nji beu dhe hudhnin pare në dajre më shumë se ai se këto pare ata i merrnin prapë dhe ndanin edhe fitimin me orkestrën. Radhën tjetër bejlerët hudhnin ma shumë pare që të ruenin prestigjin e tyne.

Në këtë mënyrë Aliu me shokët e tij tue shfrytëzue fodullukun e bejlerëve nxirrnin pare për dëfrimet e tyne.

Kujtime të tjera për Aliun 

Kur e thirrën ushtar i ati dha 55 lira turke që të paguente bedelin dhe shpëtonte nga shërbimin ushtarak. Me ato pare Turqia përballonte shpenzimet që duheshin për ushtarin që do ta zëvendësonte. Aliu nuk i pagoi ato pare dhe iku fshehtas ushtar dhe njoftoi vetëm nanën e tij që i tha se due të vetë ushtar dhe që të shoh dynja dhe jo të qelbem në Elbasan.

Kur e pyetëshin njerzit e shtëpisë se pse shpenzon aq shumë për dëfrim si përgjigjesh se pasuninë duhet ta shpenzojmë për vete dhe jo ta ruejmë që të na e marrin të tjerët.

Aliu ushtar e çuen ne qendrën e madhe te grumbullimit në Manastir. Komanda turke kishte nevojë për sekretarë dhe i mori në provim ushtarët e rinj nga të cilët fituen vetëm 4 vetë midis të cilëve ishte dhe Aliu. Pastaj i ngjiti shpejt shkallët e karrierës ushtarake dhe mbas disa vjetësh u kthye nga ushtria major i shërbimit rezerv.

Kur plasi lufta midis Turqisë dhe Malit të Zi Aliu emërohet shef i rekrutimit dhe ju caktue nji plan për mobilizimin e nji numri ushtarësh për nevojat e luftës.

Aliu me shokët e tij që i emnoi nëpunës të degës ushtarake shpërndau ma shum fletë-thirrje se numri i ushtarëve që kërkoheshin me qëllim që të fitonte me shume bedelë. Flet-thirrjet e tepërta i shpërndante ke kantundarët e pasun që këto të paguenin bedelin dhe disave ju caktonte nivel bedeli më të ulët dhe këto pare i merrte për vete së bashku me shokët.

Në atë kohë, babai im Qamili, ka thën se ka pa shume flori te dhoma e Aliut kur hynte aty për shërbime të ndryshme që bënte për te. Me atë rast i tha të jatit se a të marr disa florinj e ti bi ty? Hasani u përgjigj: mos prek gja aty se ato janë pare haram dhe ashtu si janë fitue ashtu do të shpenzohen, pa ja pa hajrin.

Alinë e kanë martue me zor se nuk donte te martohesh. I gjetën nji nuse të mirë e të bukur por ky donte nji grue tjetër qysh përpara martesës. Me që i vinte keq për të shoqen, nji her i prue nji shami koke të dashnores dhe i tha: ven këtë shami në kokë që të më dukesh si ajo.

Aliu dinte ti binte violinës dhe ka pasë nji violinë të mirë. Mbas vdekjes Aliut dhe të vëllait të tij Kadriut, kjo violinë ju dhurue shokut të klasës Kadriut, Adem Jahës mbasi mbajti nji fjalim të bukur në varrimin e shokut te tij (Kadriut).

Këtë violinë A. Jahja e përdori për nji kohë të gjatë. Sipas fjalës së të bijës A. Jahës që e kam pyetun vetë para nji viti, kjo violinë ka përfundue në Bashkimin Sovjetik në këto rrethana:

Në nji vizitë që ban edhe në Elbasan shkrimtari sovietik Ilia Ehrenburg, shtëpia e kulturës e qytetit me drejtor Mit’hat Stringën jep nji koncert për nder të mikut. Në këtë koncert përveç veglave të tjera morën pjesë edhe disa violina. Në fund te koncertit Ehrenburgu i kërkon Mit’hatit violinën e A. Jahes dhe ky ja merr Ademit dhe ja dhuron mysafirit dhe Ademit i premton se ty do të blejmë një tjetër.

Në Bashkimin Sovjetik ka përfundue edhe nji xhybe shumë luksoze e qepun me fije ari e Bushatllive te Shkodrës që e pat bleme Hasan Çiftja. Kjo xhybe i qe dhurue nga e shoqja, nanë Tuja Esmasë për shërbimet që kishte kryer. Esmaja ja dha për ruatje njenës nga gocat e nanë Tujes dhe fëmijët e saj ja shitën Komitetit Ekzekutiv të qytetit (thuhet për 70 mijë lek) dhe ky ja dhuroi Hrushovit kur qe për vizitë në Elbasan. Esmasë nuk i dhanë asnji lek kur ajo kishte shumë nevojë.

Aliu ka vdekë rreth 40 vjeç dhe nji nga arsyet për këte vdekje në moshë të re ka qenë se ka pi shumë raki në dëfrimet e veta.

Pak ditë përpara se të vdesë i jati i thotë: mor bir, ti po vuan se nuk e ke ruejtun shëndetit tat. Aliu i përgjigjet: babë, ti don të thuash se unë po vdes i ri se nuk kam zbatue këshillat e tueja për ruejtjen e shëndetit. Por unë kam jetue si kam dashtë vetë, kusurin e viteve që do të jetoja sipasa këshillave të tueja, ti kam falë ty.

Qamil Çiftja mbron studentët shqiptar në gjimnazin e Manastirit.  

Në dhjetvjeçarin e parë të shekullit të 20 Qamili ndiqte mësimet në këte gjimnaz ku nëndrejtor ishte Bajo Topulli që kishte në mvarësi edhe konviktin. Nxanësit ishin prej shumë kombësishë: maqedonas, serbe, bullgare, greke, turq etj. Këta, nxanësit shqiptarë i shajshin shpesh: “Pis arnaut”. Atëherë të ofenduarit kërkuen për mbrojtje ndihmën e Bajos i cili pasi përdori pa rezultat disa metoda këshilluese etj, u detyrue të caktoi Qamilin per të rrafë në mënyrë të fshehtë ofenduesit. Bajua mbasi e vishte Qamili me rrobe të tjera dhe e maskonte e porosiste çdo natë që në shëtitjen e mbas-darkës që bajshin studentët nëpër qytet të rrifte nxanësin ma mistrec (pa e ba sakat). U zgjodh Qamili për këte punë se fizikisht ishte nxanësi ma i fortë i shkollës.

Nxanësi i rrahur ankohesh të nesërmen te Bajo. Ai e pyeste këte nxanës në se ky mos kishte bëre faje vetë si ngacmime ose sharje shokësh dhe kur ai pranonte Bajo përgjigjesh: “Të ka dënue Zoti për sharjet që ke ba. Po respektove të gjithë shokët Zoti nuk të dënon ma.”

Kjo metodë dha përfundime të mira. Mbasi u rrafën 6-7 nxanës, shqiptarët nuk i shante kush ma mbasi e kuptuen se kush shan shqiptarët atë natë do të rrifej nga nji njeri i maskuem. 

Hasan Çiftja dhe gjerizi 

Afër shtëpisë Hasanit ishte gjerizi që ishte nji vijë uji i pijshëm me kanalizin të veshun me pllaka guri dhe të mbuluar. Në këtë gjeriz mbushnin uje disa lagje të qytetit.

Por kur po vinte vera mblidheshinshumë kopukë dhe dhe vendosnin në ujë shalqinj gjoja për ti ftohun, por qëllimi I vërtetë ishte për të pa dhe provokue gratë e bukura. Në ate kohë të fanatizmit të madh kur gratë ishin të veshuna me ferexhe dhe kokën e fytyrën e mbulonin me napë, atyne vetëm sytë mund t’ju shikoje. Por kur mbushnin ujë në veprimet e ngarkimit dhe të shkarkimit të kafshë që mbante enët e ujit, ato për të pa ma mirë e zbulonin ma shumë fytyrën. Këtë rast prisnin burrat për ti ngacmue me fjalë si: “Sa e bukur qenke” etj.

Në këtë gjeriz kishin ndodhun edhe rrahje se disa gra vinin të shqërueme nga burrat e tyne.

Kur u ba kryetar bashkije Hasanin e thërrisnin shpesh për të frenue provokatorët. Meqënëse shteti ishte shumë I dobët për të marrë masa dënimi, Hasani, për të lehtësue vehten ndërtoi me shpenzimet e veta nji pellg tjetër ku mund të ftoheshin shalqinjët larg gravet.

Hasan Çiftja në grupin nismëtar në ngritje e flamurit në Elbasan më 25 nandor 1912

Në nji program të televizionit local, me rastin e festës së 28 nandor 2000 historianët e Elbasanit floën edhe për ngritjen e flamurit në Elbasan në 25 nandor 1912. Ata përmendën edhe grupin nismëtar që për këtë ngjarje kishte njoftue me telegram Ismail Qemalin. Ndër ta ishte edhe Hasan Çiftja.

Kujtime për Xhaferr Çiften 

Xhaferr Çiftja (1878-1938) mbahet mend për njeri i zgjuar, i urtë dhe gjakftohtë. Ishte gjuetar i pasionuem. Kishte nji çifte moderne për kohën, me tri gryka, dy gryka çifte dhe nji grykë mauzer me plumb për derrat e egër. Kur vriste ndonji derr të egër, e mçifte në gardh dhe lajmëronte shokët kristianë që të venin ta merrnin. Mbante zagar rrace të zgjedhun. Këlyshët e tyne i falte nëpër familje që mund ti mbajshin mirë.

Në vitin 1952 në nji katund të Lushnjës dëgjova nji katundar që po ndillte zagarin me fjalët: “ Na Çifte na …”. E pyes pse e thërret zagarin çifte. Ai përgjigjet se gjyshen e këti qeni e kam marrë te familja Çiftja në Elbasan.

Xhaferri ka importue nji kumbull shumë të mirë që e pat mbjellë në oborr. Ajo kishte kokërr të madhe, të ambël dhe që bërthama nuk ishte e ngjitun me tulin. Kjo kumbull u pëlqye dhe u përhap në qytet.

Pas viti 1945 ferma mbolli nji plantacion me këto kumbulla që edhe sot quhen kumbullat e Çiftes.

 

Këto kujtime i shkroi Riza Çiftja ashtu si i ka ndëgjue nga njerëzit e sipërpërmendun dhe si i ka mbajtur mend. Nxitja për ti shkrue asht meritë e Hamdi Bashës se pa këte nxitje ndoshta nuk do të ishin shkrue. Kush ti lexojë të na fali për gabimet e mundshme mbasi vetëm të vdekunit nuk gabojnë.