Kostandin Kristoforidhi, Arkivi Digjital Elbasan

Kostandin Kristoforidhi

ME RASTIN E 111 VJETORIT TË VDEKJES

 JETA PRIVATE E KRISTOFORIDHIT  DHE E FAMILJES SË TIJ

Shkrim nga Rudolf Deliana

Mësues i Merituar

Jeta e veprimtaria e Kristoforidhit që u zhvillua në periudhën e Rilindjes sonë Kombëtare, është tashmë e njohur nga të gjithë , ndërsa jeta e tij private dhe ajo e familjes janë pak ose aspak të njohura . Kështu nuk dihen fëmijët që pati, jeta e tyre dhe ato që ata lanë apo bënë ,veprime këto që në një farë mënyre kanë lidhje me prindërit e tyre. Nëpër  arkivat e sotme në Elbasan dhe Tiranë ka mjaft të dhëna për çka përmenda më lart. Kristoforidhi qe një burrë i rrallë, i njohur e i lidhur me të gjithë ,prandaj shumë prej bashkëkohësve të tij kanë lënë me shkrim kujtimet e veta që ndodhen në institucionet e sipërme.Njohja e tyre është me vlera sepse bën që atë Burrë të madh të Kombit tonë  ta njohësh ashtu siç  ishte ,sidomos gjatë kohës që jetoi në Elbasan.

Më poshtë po paraqis emrat e personave që kanë lënë këto të dhëna: Simon Shuteriqi, bashkëkohësi i Kristoforidhit, veprimtar i periudhës së Pavarësisë , gjuhëtar e profesor i Normales së Elbasanit; Dhimitër Bibaja, i njohur me emrin Mimë Bibaja, bashkëkohës e dhëndër i Kristoforidhit, i martuar me Kleopatrën pak kohë mbas vdekjes së të vjehrrit të vet; Losh Papamihali, bojaxhi dhe shok e mik i ngushtë i Kristoforidhit; vellezërit Grigor e Lef Nosi, i dyti ndër patriotët më në zë shqipëtarë; Josif e Kostë Shuteriqi, banorë të lagjës Kala e fqinjë me shtëpinë ku banoi Kristoforidhi vitet e fundit të jetës së tij,ndërsa të dhëna mbi  origjinën e familjes Nelko ka në Kodikun e Kishës së Shen Mërisë të Elbasanit dhe në kodikët e kujunxhinjve (punonjës të sermit, argjendit) të Elbasanit.

Në Kodikun e Kishës së sipërme përmendet Deka si babai i Ndelkos (fq.5207) ndërsa nga Kodiku i Gëzofçinjve flitet për Ndelkon si hyzmeqar (shërbyes në dyqan) i Nikolla Martinit (në 5177 fq. 21 datë 20.07.1739). Nga  Kodiku i kujunxhinjve del qartë se Nelkoja ka patur tre djem : Anastasin (i ati i Kristoforidhit), Mihalin dhe Konstandinin (5164 fq.144-155) . Nga këto të dhëna kuptohet që emri  “Nelko” për pasardhësit e tij u kthye në llagap (mbiemër) .

Si biograf i mirëfilltë i Kristoforidhit mund të merret Simon Shuteriqi. Ai më 1911 botoi në Manastir librin me titull “Jetëshkrimi i Konstandin Kristoforidhit”, shkruar me shkronjat e Alfabetit të Stambollit. Në përgjithësi libri ka karakter vlerësues e lavdërues por pak të dhëna konkrete mbi jetën e familjes së Kristoforidhit. Sidoqoftë ato që shkruhen janë të sakta sepse i dëshmojnë edhe të tjerë në kujtimet e tyre.

Nga autori mësojmë se Anastas Nelkoja u martua me Vasilije Josifin , që të dy pjesëtarë  të familjeve të njohura të Kalasë. Më 1830 atyre u lindi një djalë ,të cilin e pagëzuan me emrin Konstandin, të marrë nga xhaxhai i tij .Siç duket data e lindjes nuk përkon me atë zyrtare që është viti 1827.

Me shumë superlativa flitet për fëmijërinë , rininë , shkollimin , studimet  dhe aftësitë  e rralla gjuhësore të Kristofridhit. Autori tregon se punoi si përkthyes në Ushtrinë Angleze në Krime ku fitoi mjaft të holla me të cilat vazhdoi studimet. Mbasi flet për lëvizjet e tij, tregon se kur shkoi në Tunizi punoi si mësues i greqishtes dhe i italishtes. Aty u martua me vajzën greke ,Eleni Panajoti, e cila i solli një pajë të madhe.

Me shumë hollësi flitet për periudhën e fundit të jetës së Kristoforidhit, që e kaloi në Elbasan. Në këtë peridhë, sipas autorit, punoi si mësues i matematikës dhe i latinishtes në shkollën greke të Kalasë. Po në këtë peridhë punoi edhe në gjykatën e Elbasanit. Dallohej si burrë i pjekur, shoqërues e komunikues me të gjithë. Jepet mbas gjuetisë, së cilës ia njihte mirë zhargonin, prandaj, siç shprehet autori, hartoi bukur nga ana artistike veprën e njohur “Gjahu i  Malësorëve”. Po ashtu në këtë kohë shquhet si orator në fjalimet e bukura që mbante në provimet e nxënesve, në Kishë apo në mbledhje me karakter shoqëror. Për familjen e tij autori thotë se kishte dy motra. Njëra prej tyre u martua në Kala  e s’pati fëmijë, ndërsa tjetra u martua në Berat në familjen  e njohur Haxhistasa. Në libër si datë vdekjeje e Kristoforidhit jepet 23 shkurti i vitit 1895. Si karakteristikë e  veçantë e ceremonisë madhështore të varrimit jepet fjala e lamtumirës që i drejtoi Atij, ish-nxënësi i tij, Tushi i Pinës . Për këtë autori thotë: “ U bë i famshëm me fjalët : “Qani ju , o malet e Shqipërisë ,se sot vdiq Konstandin Kristoforidhi,babai i gjuhës shqipe.”

Siç duket epitetin “Babai i Gjuhës Shqipe”, që është përdorur e vazhdon të përdoret rëndom, e paskemi nga Tush Pina, “….mësues, veprimtar i arsimit në gjuhën shqipe, mësues në shkollën greqishte të Elbasanit ku bënte propogandë kombëtare” (Enciklopedia Elbasan).

Në mbyllje të librit duke folur për materialet e përdorura në të, S.Shuteriqi, midis të tjerave vë në dukje se:

          “Tue mbarumun e shoh për detyrë të t’i falem nderit botësisht bashkëqytetarit tem dhe dhandërit të të pavdekunit atdhetar, z. Dhimitër Bibaja, i cili pati mirësien të më japë shënimet e nevojshme mbi këtë jetëshkrim sikurse i pati marrë prej gojës së vetë të të paharruemit  Kristoforid

Për Kristoforidhin dhe familjen e tij na kanë lënë kujtime edhe mjaft persona të tjerë bashkëkohës, miq e shokë të tij. Sipas tyre Kristoforidhi ka pasur katër djem: Anastasin, ndoshta më i madhi i djemve, nga që mban emrin e gjyshit të vet. Ai vdiq më 19.03.1890; Aleksandrin, Stefanin dhe Filipin, më i vogli i fëmijëve. Pati dhe tri vajza: Poliksenin e vdekur më 23.09.1899; Anastasinë që, sipas të vëllait, Filipit, u martua me Apostol Margaritin , nuk pati fëmijë dhe  vdiq më 01.04.1893, pra para prindërve, si dhe Kleopatrën që vdiq më 1963. E ëma e tyre, Eleni, vdiq më 19.01.1896.

Mbahet mend nga të gjithë që kur Kristoforidhi u kthye për herë të parë në Elbasan, aty nga vitet 1872-1873, solli dhe shpërndau ungjijtë e tij të përkthyer shqip. Librat u shpërndanë shpejt dhe nisën të lexoheshin nga të gjithë. Sipas kujtimeve të lëna me shkrim nga Grigor Nosi, prifti grek i kohës u shqetësua, prandaj i mallkoi, i dogji dhe urdhëroi besimtarët që të mos i lexonin. Kuptohet që asnjëri s’ia vuri veshin. Me këtë rast Kristoforidhi shkroi një bejte të bukur thumbuese për priftin me titull “Zbriti ndërtestari”  e me gjashtë vargje. Me anë të kësaj i jep të kuptojë priftit se njeriu para se të flasë duhet të mendojë,  përndryshe do ta pësojë. Dy vargjet e fundit nxjerrin pikerisht këtë përfundim:

shef, pra sa budallallek/ban ai qi ka fodullek”.

Sic thuhet në dokumente këtë vjershë e ruajti dhe e dorëzoi Sif Shuteriqi. Po sipas atyre dokumenteve poemën e vogël të Kristoforidhit e të njohur nga të gjithë, “Ylli i vogël”e ka ruajtur Kostë Shuteriqi. Duket se të dy këta persona duhet të kenë qenë bashkëkohës të tij e ta kenë njohur nga afër.

Ato ungjij u pritën shumë mirë kudo midis shqipëtarëve të kohës. Nga arkivi Qendror i Shtetit mësojmë që Arqipeshkvi i Shkodrës, Pasquale Gerasin me 08.04.1909 shkruan : “I nënshkruari, mbështetur në vullnetin apostolic që më lejohet, I jap të drejtë të riut Zef Melkushi nga Shkodra të mbajë dhe të lexojë “Biblën e Shenjtë” përkthyer shqip prej Kristoforidhit”.(fondi 132; Dosja 22).

Nga ana e tij, Losh Papamihali ka lënë me shkrim mjaft kujtime të vetat. Ne njerin prej tyre saktëson  sasinë e të hollave që Kristoforidhi fitoi nga ushtria Angleze kur qe si perkthyes në Krime. Ai thotë se shuma qe 1200 lira angleze, të cilat i përdori për studime të mëtejshme.

Nga Dh.Bibaja mësojmë se prindërit e Kristoforidhit vdiqën herët e në krye të gjashtë muajve të njëri-tjetrit. Me këtë rast Kristoforidhi në mirëkuptim me motrat shiti gjithçka mbeti nga i ati dhe shkoi në Durrës. Atje me ndihmën e nunit të tij, Mimë Xhufkës, u mor për pak kohë me tregti por pa ndonjë sukses.

Kujtime mbi Kristoforidhin ka lënë edhe patrioti Lef Nosi.Ato ndodhen në Arkivin e Shtetit dhe në ate të Muzeut Etnografik të Elbasanit.Lefi ka grumbulluar tregime e anekdota që kanë lidhje me jetën dhe veprën e Kristoforidhit.Ato janë të shumta. Në njerën prej tyre shkruhet:
Kristoforidhi nji ditë tyke ndejt me disa shokë të tij ka thanë:”Kur të vdes më shtini(varrosni)në Shijon”. Kjo dëshirë e tij, e njohur nga të gjithë nuk u plotësua, sepse ditën e varrimit qe një mot tejmase i keq që muk lejoi të zbatohej amaneti i tij. Po nga shënimet e L.Nosit mësojmë se ai ka vizituar shtëpine e së bijës së Kristoforidhit për t’u njohur me librat që kishte lënë i ati. Për këtë Nosi shkruan:”Gjeta në shpi (shtëpi)te zonjës Bibaja, bijës së Kristoforidhit , këto libra të përdorura prej tij”.Po aty ndodhet edhe shënimi që shoqërohet me listën e librave që janë anglisht, shqip e greqisht.Ato libra Nosi i mori dhe ia dorëzoi shtetit me rastin e festimeve të 25vjetorit të Pavarësisë më 1937.Nga librat e të atit e bija ruajti edhe librin “Çeta e Profetëve”, vepër e njohur e Budit, të cilën ia fali shtetit më 1950.

Mjaft kujtime u ka lënë me gojë pasardhësve të saj Kleopatra , e shoqja e Dh.Bibasë që mbylli sytë në Elbasan më 1963, në moshën 93 vjeçare. I shoqi vdiq herët, më 1918 nga epidemia e gripit spanjoll të kohës që shkaktoi vdekje të shumta kudo në Europë.Ata duhet të jenë martuar rreth vitit 1897, ndoshta mbash vdekjes së Elenit mamasë së Kleopatrës. Siç tregonte ajo vetë të gjitha orenditë e shtëpisë dhe librat që mbetën në të përfunduan në shtëpinë e saj. Midis tyre qe edhe dorëshkrimi i Fjalorit dhe fotografia e vetme e Kristoforidhit, ajo ku ka dalë ulur ne karrige me dorë mbi libër,të cilën djali i saj Nikollaqi ia dhuroi shtetit më 1954.Sipas saj i vëllai, Stefani, donte ta shiste doreshkrimin e Fjalorit,sepse kishte nevoje per të holla , ndërsa Mima e ruante me fanatizëm me qëllim që ai te mos humbëte e të botohej.Ai kishte frikë se po të shitej, do të binte në dorë të qeverisë greke, e cila do ta zhdukte.Sidoqoftë vëllai ia mbushi mendjen motrës, e mori dorëshkrimin, ia shiti një tregtari elbasanas, i cili nga ana e tij ia shiti konsullit grek të Durrësit.Mima mobilizoi Stefanin,Lef Nosin e të tjerë për ta rimarrë, por përpjekjet e tyre nuk dhane asnjë përfundim.Qeveria greke nuk e ktheu ,por e botoi më 1904.
Mbas vdekjes së prindërve Kleopatra mbajti lidhje me tre vëllezërit që i mbetën:Stefanin, Aleksandrin dhe Filipin.Ky i fundit më 1903 mërgoi në SHBA e pas pak vitesh Stefani vdiq pa lënë fëmijë.Kështu në Shqipëri mbeti vetëm Aleksandri, që gjithe jetën punoi si mësues i gjuhes rumune.Ky u martua me një vajzë nga Voskopoja e quajtur Aleksandra dhe patën 4 fëmijë: djalin Kostaq dhe vajzat Athina, Jorgji e Sevasti. Kostaqi u martua rreth vitit 1926 me një vajzë shqipëtare dhe bashkë me motrat e të ëmën emigruan në SHBA. Aleksandri mbeti në Rumani si pensionist.Nuk mundi të merrte vizë për në Amerikë që të bashkohej me familjen dhe vdiq po atje në vitet 50 te shek.20. Kështu sot meshkuj  pasardhës të Kristoforidhit mund të ketë vetëm në Amerikë.

Filipi, djali i vogël i Kristoforidhit, më 1903 mërgoi në Amerikë dhe më 1910 u zhvendos në Francë ku u martua me një vajzë franceze e nuk pati fëmijë. Më 1914 u nis për të ardhur në Shqipëri por rrugës e anulloi udhëtimin sepse në Shqipëri kishte nisur lëvizja e Haxhi Qamilit që mund ta burgoste si patriot. Ç’prej asaj kohe nuk mundi më të kthehet në atdhe, por me vendlindjen  u lidh ngushtë nëpërmjet letërkëmbimeve me të afërmit e vet si edhe me personalitete te kohës.

Në verën e vitit 1935, e viziton në Francë Kleopatra bashkë me djalin e dytë Kovin. I priti me shumë dashuri dhe mbeti shumë i kënaqur. Si ai, ashtu edhe e shoqja i mbajtën si miq për një kohë të gjatë. Pasi u kthyen, dhe pikërisht më 19.12.1935 Filipi  i drejtohet me letër nipit të mësipërm. Letra nis me fjalët :

Sot për hërën e parë, që prej motit 1910, po përdor ghuhnën shqipe më nji letër”.

Mbasi lyp ndjesë për gabimet që mund të ketë bërë, vazhdon : “…..në kohët t’ime, kur ishja në Shqipni, shkuajim fort çefës (fshehurazi) dhe vetëm pas mënyrës gramatikale ghithësecilit….”

E falenderon nipin për gazetat që i ka dërguar dhe ankohet sepse sheh që : “…..në ghithë  fletëtë shqipe që më ke dërgumën, pash për fat të keq se ghuhna shqipe po shkatërrohet tyke përdor kot shumë fjalë të pa-këthjellta dhe të huja..”. Me këtë rast I kujton nipit se ç’i thoshte i Ati për gjuhën tonë të cilën e vlerësonte kështu: “ghuhna shqip asht e pasme me fjalë dhe po të përdoren e të fërkohen me re dhe me mjeshtëri, mund të bahet aq e pasme posi ghermanishtja..”

Në fund I kujon nipit një vjershë që ia kishte mësuar I ati kur ishte fëmi e shkonte në pazar me të. Gëzohej kur ai ua recitonte shokëve të tij. Ja vjersha :

Kush asht ky burrë që po vjen / posi hana plot që shkëlqen / vesh e ngjesh n’arghend / armatosëm kamb mbi kamb  / Skënder Beg shqipëtari / trim’i madh luftëtari. “

Mallin dhe dashurinë, për Atdhenë e gjuhen shqipe që e paraqit në letrën e tij të parë të shkruar shqip, e gjejmë thuajse në çdo letër tjetër të tij që u drejton nipave e mbesës si edhe autoriteteve të vendit të asj kohe. Në këtë drejtim shquhet edhe letra e dt.19.03.1963 , drejtuar Thanas Konomit , ku , duke folur për vlerat e Atdheut, citon shkrimtarin francez Lacordaise që thotë : “Atdheu është i  vetmi vend në botë ku mendja të  shplodhet”

Pra letërkëmbimi  me motrën e fëmijët e saj nis më 1935 dhe vazhdon deri nga fundi i viteve 70 të shekullit 20. Mjaft prej tyne ruhen në familjen e mbesës, vajzës së motrës  Kleopatër.

Po kjo familje ruan tri letra të Aleksandër Xhuvanit që në vitet 50 i drejtohen Filipit, si përgjigje të letrave të tija.

E para mban datën 30.3.1950. Dërguesi mbasi i shpiegon se c’detyrë ka kryer dhe kryen aktualisht, i kujton se ia mbante mend mire fytyrën kur ishte i vogël e kur kishte shumë shoqëri me të vëllanë, Cacin (Anastasin) me të cilin kishte qenë shok e bashkënxënës në gjimnazin rumanisht të Beratit. Pastaj i tregon se kishte nisur punën për transkriptimin e Fjalorit të Kristoforidhit, duke e shkruar shqip dhe me alfabetin e sotëm. Në fund i premton se, po t’i bjerë rasti të shkojë në Francë, patjetër që do ta takojë.

Letra e dytë është e datës 10.2.1951. Në fillim i shpreh falenderimin “ për vjershat mbi Ali Pashë Tepelenën që më dërguet”. Më poshtë i tregon Filipit se Bibliotekës sonë kombëtare i mungojnë vepra të Frangut Bardhë, sidomos vepra “Georgius Castriotus”. Pastaj I rikujton përsëri shoqërinë me Cacin dhe I tregon peripecitë e jetës së tij si student, si mësues etj etj.

Nga letra pasuese e datës 26.10.1951, pra mbas tetë muajsh , i tregon :

Gjeta këtu edhe librin e Frangut Bardhë, që e kishit fotokopjue dhe lidhë bukur. Ju lumtë! Ju falem nderit për këtë vepër me randësi, të cilën ja dërgova Bibliotekës sonë Kombëtare”.

Kjo tregon se F. Kristoforidhi e kreu detyrën e tij duke i dërguar Atdheut një document me vlera të Frang Bardhit “leksikografi i parë shqiptar, historian, folklorist e etnograf, klerik i latrë katolik nga Zadrima 1606-1643” (Fjalori Enciklopedik Shqiptar, 2008). Fotokopjet e letrave të sipërme ruhen edhe sot. Bashkë me to ruhet edhe një letër  falenderuese që I drejtohet F. Kristoforidhit dhe e nënëshkruar nga 18 intelektualë elbasanas, mjekë, arsimtarë, pushtetarë etj, me anën e sëcilës e falenderojnë për faktin që në qytetin e tyre,Elbasan kishte mbërritur dorëshkrimi I veprës “Gjaja e Malësorëve, Hieja e Tomorrit”. Letra, sic ishte “zakoni” i kohës, shoqërohet me vlerësime të mëdha për faktin se “ tek ne, ku asht në fuqi vetë populli, cmohen e vlerësohen ma së miri traditat kulturore”. Letra mban datën 29.12.1958.

Letra e sipërme i është dërguar nga ana e Thanas Konomit edhe Kostaqit, djalit të vetëm të Aleksandrit, që e ruajti atë dorëshkrim në SHBA. Më 12.4.1959 ky I fundit I përgjigjet Konomit se i mori falenderimet. Pastaj shton se ka marrë falenderime nga ana e “Zotit Tahir Demi. Mund të më jepet rasti që një ditë të vinj aty dhe t’I përshëndosh personalisht”, vazhdon ai.

Letërkëmbimi i Filipit me Th. Konomin ka qenë më i shpeshtë. Kjo për arsye se ky I fundit në vitet 60 u ngarkua për të ngritur Shtëpinë Muze të Kristoforidhit në Elbasan. Për ta kryer sa më mirë këtë punë ai i dërgon letra të njëpasnjëshme Filipit për të marrë mendime dhe sende me vlerë për Muzenë. Sipas letrës së datës 19.9.1963, Filipi tregon se I ati ka lindur në shtëpinë e Dhimitër Bibasë më 1830, prandaj e aprovon mendimin e tij që aty të vendoset Muzeu në fjalë. Duke menduar se shtëpia mund të jetë shembur ose mund të shembet, këshillon që në muret e saj të vendoset një pllakë ku të shkruhet :

Këtu ndë kët shtëpi lindi Konstandin Ndelko, mbë 1830 ose Kristoforidhi, pseudonym që përdori për veprat e tij”.

Sic shihet, ai përdor për të Atin mbiemrin “Ndelko”, të cilin e merr nga stërgjyshi I tij. Po nga letra mësojmë se Konomi ka ndryshuar mendim dhe Muzenë mendon ta vendosë te Shkolla e Kishës. Edhe këtë mendim Filipi e përkrah duke thënë :

“ Kjo më ngjan fare mirë, se aty ai ka qenë nxanës e mësojës. Aty ai mbolli farat e para për ndjejat kombëtare dhe aty ai përhapi dashuninë për shkrimin dhe këndimin e gjuhës shqipe”

Në letrën e sipërme tregon edhe se po dërgon disa kujtime vogëlie, të cilat sic thotë vetë, po s’u pëlqyen, le të grisen. Në të vërtetë ato u ruajtën sepse janë anekdotat, vjershat, fjalët e urta e të tjera, për të cilat folëm më sipër. Në letër vazhdon duke thënë se kur u nis për SHBA nuk mori asgjë me vete. Madje tregon se edhe fytyrën e së ëmës nuk e mban mend mirë. Në lidhje me të, në letër shkruan :

“Nga kjo s’më ka ngel asnji kujtim, përvec  se një herë që humba paratë që më kishte dhënë për me blem vojguri ndë trek”

Letrat dërguar Konomit janë të shumta e në të gjitha, sic thamë, flitet kryesisht për Muzeun. Nga ajo e datës 26.5.1965 mësojmë se ka dërguar fotokopjet e dy librave të të atit të vitit 1867. Në të tjera jep kujtime të veta nga lagjja Kala, nga Elbasani e nga persona që mban mend. Po ashtu tregon shtëpinë ku jetoi gjatë kohës që qe në Elbasan dhe fqinjët që kishte.

Edhe Shteti Shqiptar për disa kohë mbajti lidhje me Filipin. Ruhet një letër e cila I niset atij nga Tirana më 05.09.1959 dhe e shkruar nga Dhimitër Lamani, ministër i R.P. së  Shqipërisë. Me anë të saj Ministri e njofton se Komiteti Shqiptar i Lidhjes Kulturore me botën e jashtme e fton të vijë në Shqipëri me shpenzimet e Shtetit me rastin e festimeve të 15 vjetorit të Clirimit me 29.11.1959. Aty i premtohet që mund t’i jepet nënshtetësia shqiptare në rast se nuk e ka. Më 14.09.1959 Filipi kthen përgjigje. Mbasi e falenderon ministrin tregon se mosha dhe shëndeti nuk e lejojnë të bëjë një udhëtim të gjatë. Për këtë ftesë të marrë nga Ministri njofton edhe motrën në Elbasan, duke i treguar që s’po vinte për shkak të moshës, ndonëse, sic shkruan vetë, para pak kohësh kishte qenë si turist në Hollandë. Pra shkaku nuk ishte mosha, por dicka tjetër. Madje as nuk kërkoi që të merrte pashaportë shqiptare. Sic ka shkruar më vonë, ai mbante lidhje edhe me shqiptarë të kohës të larguar nga Atdheu mbas vendosjes së Komunizmit dhe, sic duket e kuptonte se cila ishte gjendja politike në Shqipëri. Një i tillë ishte edhe djali I mbesës së tij, bijës së të motrës, me të cilën ruajti lidhje thuajse edhe  mbas vdekjes, nëpërmjet së shoqes, Gabrielës.

Vitet e fundit të jetës duke nisur aty nga mesi i viteve 70, bashkë me të shoqen e kaluan jetën në një shtëpi pushimi pleqsh.Edhe aty vazhdonte të shkruante,por rrallë.Një ditë mbesa merr një kartolinë nga e shoqja,Gabriela.Në te ajo njoftonte me shumë pikëllim vdekjen e papritur të të shoqit.  Nuk kaloi shumë kohë dhe vjen kartolina e dytë dhe e fundit. E dërgonte një shoqe e Gabrielës, një zonjë franceze,  e cila me keqardhje përmbushte dëshirën e saj, për të njoftuar se edhe ajo, Gabriela Kristoforidhi, kishte mbyllur sytë përgjithmonë. Kjo kartolinë  mbylli përfundimisht lidhjet e Filipit e të familjes së tij me Atdhenë dhe pasardhësit e vet,  të cilët i deshi me gjithë zemër.