Shkruar nga Bardhul Graceni (artikull në shtypine kohës)

Kongresi i Elbasanit është një ngjarje e shënuar në historinë e luftës së popullit tonë për çlirim kombëtar dhe përparim shoqëror, jo thjesht se ai është i pari Kongres arsimor, por se në të u shtruan dhe u zgjidhën drejt problemet e shumta që dilnin në fushën e zhvillimit të Lëvizjes sonë Kombëtare, sidomos në fushën e arsimit e kulturës kombëtare në kushtet e reja historike, që u krijuan me fitoren e revolucionit xhon turk dhe shpalljen e lirive kushtetuese.

Në kushtet e shpalljes së hyrietit (lirive kushtetuese), kur në të gjitha qytetet dhe krahinat e vendit tonë nisën të krijohen klube dhe shoqëri  patriotike, të botohen gazeta, të hapen shkolla në gjuhën amëtare, para Lëvizjes Kombëtare dolën probleme të reja që kërkonin zgjidhje. Mbi të gjithha, duhej ruajtur uniteti dhe drejtimi i përqendruar i Lëvizjes Kombëtare. Kështu, për shembull, në kushtet kur po shkruhej e po botohej shhumë në gjuhë shqipe, nuk duhej lejuar që ajo të shkruhej, sipas traditës, me alfabete të veçantë, por duhej përcaktuar një alfabet i vetëm, i pranueshëm nga të gjithë.  Për zgjidhjen e këtij problemi do të mblidheshin në Manastir, në nëntor 1908, përfaqësues të të gjitha klubeve dhe shoqërive patriotike të vendit.

Të mprehta ishin edhe problemet që delinin në fushë të zhvillimit të arsimit. Në kushtet kur, si shprehje e dëshirave të zjarrta të masave për t’u shkolluar në gjuhën kombëtare, në qytete dhe në fshatra u hapën shumë shkolla, ndër të tjera, shtrohej urgjente zgjidhja e problemit të përgatitjes së mësuesve, i sigurimit të mjeteve financiare të nevojshme për mbajtjen e shkollave, i botimit të teksteve mësimore, sidomos i përcaktimit të qëndrimit që do të mbahej ndaj shkollave të huaja, të përhapura në Shqipëri.

Për zgjidhjen e këtyre çështjeve të rëndësishme u vendos që, në qytetin e Elbasanit, të mblidheshin  përfaqësues të klubeve dhe shoqërive patriotike. Midis tyre ishin edhe personalitete të njohur në fushë të arsimit kombëtar si Gjergj Qiriazi, Sevasti Qiriazi, Thoma Papapano, Orhan Pojani etj.

Kongresi i vazhdoi punimet nga 2 deri më 9 shtator të vitit 1909, duke debatuar për të gjetur zgjidhje sa më të sakta për të gjithë problemet që i dilnin zhvillimit të arsimit kombëtar. Problemet e shkollës u panë në lidhje dhe varësi të ndërsjelltë me faktorët politikë e socialë të kohës.

Në Kongres delegatët u shprehën për rëndësinë e madhe që kishte në këto momente ruajtja e unitetit të forcave në lëvizjen patriotike të kohës. U përcaktua një qëndrim i përbashkët ndaj shkollave të huaja. Duke pranuar ekzistencën e tyre, u kërkua që në to të futej gjuha shqipe. Po kështu u vendos që edhe për dy vitet e ardhshëm si klub qendror do të mbetej Klubi “Bashkimi” i Manastirit, ndërsa të gjitha shkollat, që ishin hapur dhe do të hapeshin në të ardhmen, do të drejtoheshin nga një qendër e vetme, e cila do të financonte shkollat dhe përgatiste tekstet e nevojshme.

Ndër vendimet më të rëndësishme të Kongresit të Elbasanit mund të përmendim: ” Të niset këtë vjeshtë në Elbasan një mësonjëtore  për mësonjës me gjashtë rreshta…”, “Të  fillohet fillohet një shoqëri qendrore në Korçë me emrin “Përparimi” e cila do të njihet prej mbledhjes së kombit (parlamentit – BG) si personë morale dhe juridikë”, “Shqiptarët do të përpiqen me sa munden të kllasin (të fusin – BG) gjuhën shqipe në çdo shkollë të huaj që gjendet në Shqipëri”, “Të tërë klubet dhe shoqëritë shqiptare të bashkohen me qëllimin e përbashkët të punojnë të bashkuar për mirësinë e kombit shqiptar për të përparuar në dituri dhe në mjeshtëri…”,  “Kongresi vendosi që tërë shoqëritë dhe klubet shqiptare të njohin si klub qendror…ppër këto dy vjet që po hyjnë, klubin e Manastirit…”, etj.

Duke vështruar vendimet e këtij Kongresi, të tërheq vëmendjen shpërndarja gjeografike e qendrave të drejtimit, të Lëvizjes Kombëtare. Praktika e historisë provoi se kjo ndarje krahinore e detyrave nuk ishte shfaqje e ndonjë kompromisi, por bazohej mbi njohjen e thellë të veçorive sociale e politike, që na paraqiste lëvizja patriotike në krahina të veçanta.  Kështu, për shembull, pranimi i klubit të Manastirit si klub qendror, nuk nisej thjesht nga autoriteti që kishte krijuar ky klub , për zellin dhe qëndrimet që kishte mbajtur në zgjidhjen e çështjeve kombëtare, por, parasëgjithash, mbështetej në traditën e veprimtarisë së forcave atdhetare të këtij qyteti, që kishin kryer funksionin e qendrës së ndërlidhjes midis klubeve dhe shoqërive që vepronin jashtë atdheut.

I drejtë dhe i argumentuar ishte, gjithashtu, vendimi për të qenë në Korçë qendra e drejtimit të arsimit kombëtar. Qyteti i Korçës dhe krahinat e tij ishhin shquar në përpjekjet për përhapjen e arsimit në gjuhën amëtare. Nga ana tjetër, Korça dhe trevat e saj kishin një masë të madhe emigrantësh, që jetonin jashtë atdheut, dhe që ishin organizuar në shoqëri patriotike. Kështu, në mënyrë të natyrshme,  qyteti i Korçës ruante lidhjet me këto shoqëri, nga ku pritej një mbështetje e fuqishme materiale për zhvillimin e arsimit kombëtar.

Vendosja e qendrës së përgatitjes së mësuesve në qytetin e Elbasanit, gjithashtu, ishte një zgjidhje e menduar mirë, që mbështetej në disa faktorë, siç ishte mungesa e çda shfaqje të dasive fetare në traditën e lëvizjes atdhetare të këtij qyteti. E folmja e Elbasanit e formuar historikisht në kontakt me dialektet veriore e jugore, do të kultivonte në breznitë e mësuesve koncepte të drejta për gjuhën shqipe, ata do të kryenin më mirë misionin e përshpejtimit të zhvillimit konvergjent të gjuhës shqipe që, siç u vendos në këtë Kongres, do të kishte në fokus të folmen e Elbasanit. Njëkohësisht, ky qytet ishte një qendër e njohur e lëvizjes kombëtare. Mjedisi i favorshëm social – politik përjashtonte mundësinë e ndikimeve të huaja në fushë të shkollës, do të ndihmonte në përpjekjet për ta bërë shkollën Normale një shkollë “gjithshqiptare”, siç thuhej në atë kohë, ç’ka nënkuptonte që gjithë puna mësimore edukative, që do të bëhej për përgatitjen e brezave të mësuesve, do të hidhte më vonë themelet e arsimit tonë kombëtar.