Në fondin e Kodikëve të Shqipërisë në Arkivin Qendror të Shtetit, në fondin 488,  Elbasani përfaqësohet me tre kodikë: Kodiku i 82-të i Elbasanit, Kodiku i 86-të dhe Kodiku i 87-të.

Kodiku i 82-të i Elbasanit është një dorëshkrim , i cili mendohet se i përket shek.XVI ose XVII-të. Ky kodik prej 633 fletësh letër, me përmasa 160mm x 110mm dhe vetëm me njërin prej kapëkëve të ruajtur deri sot, ka qenë pronë e familjes Deliana, në lagjen Kala. Sipas studiuesit Theofan Popa, ky kodik në brendësi përmban vizatime, miniatura dhe zbukurime të tjera, të vogla e pa ngjyra, por me interes të veçantë për gjininë e miniaturave mesjetare të dorëshkrimeve tona.

Kodiku i 86-të i Elbasanit, përmban 185 fletë letër, me përmasa 200mm x 148mm. Sipas një anëshkrimi  të tij thuhet se “u shkrua nga Emanueli, i biri i Dioklesë së Shën Mitrit, në 5 mars të vitit 1563”. Në këtë kodik trajtohen çështje laike si: testamentet, trashëgimia, fejesat, mardhëniet fisnore, ligjet etj, duke pajtuar kështu të drejtën qytetare, etnozakonore dhe kishtare.

Kodiku i 87-të i Elbasanit,  ka gjithsej 168 fletë të padëmtuara, me përmasa 203mm x 150mm. Janë ruajtuar po ashtu, me shumë pak dëmtime, kapakët origjinalë të veshur me lëkurë.  Mendohet të jetë shkruar në shek.XVI-të. Në të saktësohet se vendi i origjinës është Elbasani. Në përmbajtjen e tij ka pjesë muzikore të stilit bizantin.

Kodikët, këto dorëshkrime të hershme me natyrë përgjithësisht teologjiko-kishtare, janë dëshmi e së shkuarës dhe kanë vlerë të madhe kulturore e historike.