Nga Hyqmet  ZANE

Kiço Shqau mes farmacisteve të spitalit Elbasan, Arkivi Digjital Elbasan

Kiço Shqau mes farmacisteve të spitalit Elbasan

“Tek xhaxhai im unë kam parë shumë virtyte dhe cilësi ose, e thënë më mirë, vlera që nuk mund t’i përjetosh tek çdo njeri, aq më tepër sot tek një mjek”, – është mendimi i nipit të farmacistit të mirënjohur jo vetëm në Elbasan, Kiço Shqau. Nipi i tij, Gjergji Shqau, që është njëherazi edhe një nga njerëzit që me këmbënguljen e tij ka pasur ëndërr nderimin jo si xhaxha, por si një qytetar i nderuar i qytetit. Me këtë ndjesi edhe unë u ndjeva mirë që të investigoja në jetën e këtij njeriu që qëndroi ashtu i pandryshuar nga kohërat. 

Kiço Shqau farmacist

Lindi në Korçë më 12 gusht 1930, por në moshën 7 vjeçare Kiço Shqau do të shpërngulej në Elbasan dhe që në atë moshë e deri në fund të jetës së tij do të bëhej mbetej qytetar i këtij qyteti.

Pikërisht në Elbasan mbaroi edhe mësimet e fillores dhe më pas do të ngjitej në altarin e Normales, me rezultate të shkëlqyera. Rezulatet e arritura në Normale do ti hapin rrugën për të studiuar në Degën e Farmacisë në Universitetin e Budapestit, Hungari ku së bashku me Naim Paralloin (ekonomik), Kadri Gurmanin, Nazmi Zambakun (mësuesi) etj, u bënë nderi i shqiptarëve për rezultatet dhe nivelin e përfaqësimit.

Dëshmi nga bashkëkohës të këtij njeriu, tregojnë se në Hungari, aftësitë e Kiços së ri kishin siguruar atij një vend të veçantë mes studentëve të tjerë. I tillë ishte respekti dhe besimi që kishin pedagogët e atjeshëm saqë njëri prej tyre në rastet kur nuk mund të ishte i pranishëm në auditor për arsye të ndryshme, ia besonte auditorin studentit të tij, Kiço Shqau.

Kiço Shqau në fillimet punës si farmacist. Arkivi Digjital Elbasan

Kiço Shqau në fillimet punës si farmacist

Dy vjetët e parë të punës së tij si farmacist, ai do t’i niste në qytetin e Shkodrës. Por njëkohësisht ky njeri virtuoz në jetë dhe në profesion, do të ishte edhe një pedagog i jashtëm i fakultetit të mjeksisë në Tiranë në degën e farmaceutikës, ku spikaste me nivelin e lartë dhe aftësinë, sa që edhe sot e kësaj dite mbahet mend nga kolegët dhe studentët e tij, sidomos për njohuritë shkencore që aplikonte në lëndën e tij. Më pas nga viti 1954, e deri më 1991, kur Kiço Shqau doli në pension, do të rikthehej të punonte në Elbasan si farmacist e më vonë si drejtues i farmacisë në kompleksin spitalor “Xhaferr Kongoli”.

Në vitin 1976 dekorohet me Medaljen e Punës Klasi I dhe më 1989 me Urdhërin e Punës Klasi I për shërbimet cilësore në mbrojtjen e shëndetit të popullit, për masat profilaktike dhe higjeno-sanitare.

Në fushën profesionale Kiço Shqau do të dallohej si një farmacist i kompletuar, që bëri emër në gjithë Shqipërinë, duke prodhuar në kushte të vështira, që nga viti 1970 disa medikamente të përdorimit të përditshëm në spital si vitamina C, B dhe B12, kortizon ampulë, solucione zëvendësuese (serume, mentol, ringer), duke e kthyer farmacinë e spitalit në një shkollë edhe për kolegët dhe mjekët e rinj.

Si i tillë ai ishte gjithmonë i pranishëm në simpoziume dhe konferenca shkencore kombëtare, ku binte në sy me referimet dhe debatet e tij për një rritje të nivelit të mjekësisë dhe shërbimeve ndaj pacientëve në ambjentet spitalore.

Kiço Shqau në një konferencë shkencore, Arkivi Digjital Elbasan

Kiço Shqau në një konferencë shkencore

Kiço Shqau në një simpozium, Arkivi Digjital Elbasan

Kiço Shqau në një simpozium

Nga viti 1992 e deri sa ndërroi jetë, më 15 gusht 2003, punoi si farmacist i respektuar privat i kërkuar nga qytetarët e shumtë që shikonin tek njeriun dhe farmacistin e devotshëm që mbeti përherë i papërtueshëm në këshillat dhe ndihmën që u jepte pacientëve të tij.

Portreti i farmacistit humanist 

Ajo që të binte në sy dhe të ngelej në mendje pasi takoje Kiçon ishte ­­­ buzëqeshja e tij njerëzore mbushur me optimizem. Do të lenin gjurmë në kujtesën qytetare të Elbasanit serioziteti profesional, humanizmi, zemërgjerësia, alturizimi i tij. Dr. Kiço siç e thërrisnin të gjithë do të ishte në çdo kohë një këshillues i aftë dhe i saktë për këdo që kishte nevojë për mendimet e tij jo vetëm si një farmacist por shumë here edhe si një mjek.

I pëlqente shoqëria dhe shoqërimi me njerëzit e nivleve të ndryshme, duke kërkuar tek ata vlerat njerëzore, dhe duke qenë vetë bartës i këtyre virtuteve më të larta njerëzore e duke mos përtuar të gjendej mes tyre sa herë që ata kishin nevojë për të, Dr. Kiço, fitoi respektin e të gjithë atyre që e njihnin. Ai dinte të përshtatej me njerëz të moshave dhe prejardhjeve të ndryshme, që nga punëtorët e thjeshtë dhe deri tek ministrat.

Profesionin e farmacistit dhe mjekut, kudo që të ndodhej, ai e shikonte si një mison në shërbim të pacientëve. Kolegët e tij tregojnë raste të shumta ku ndërhyrja e tij ka ndryshuar jetën e pacientëve duke i shtuar atyre jetëgjatësinë:  një djalë i vogël të cilit mjekët i kishin hequr shpresat për të jetuar sot është 46 vjeç, falë ndihmës së farmacistit të nderuar. Një grua që shërohet në momentet e fundit të jetës së saj, sepse në këto momente kudondodhuri dhe i afti doktor Kiço gjen zgjidhjen e duhur. Djegiet në metalurgji, aksidentet me makinë e sa e sa të raste të tjera, përvec kujdesit të mjekëve të kohës së tij, kanë patur dhe kujdesin e Dr Kiços, që ishte pjesë e konsultave në cdo rast të vështirë klinik.

Kiço Shqau, njeriu shumë dimensional

Bota e Dr. Kiços nuk ishte vetëm farmacia dhe mjekësia. Në të do të gjeje enciklopedistin e shumë fushave si letërsia, muzika, historia, sporti për të cilat fliste me një kompetencë të admirueshme dhe të krijonte përshtypjen e një intelektuali të kompletuar. Shumë nga miqtë e tij, shprehen se ai të mahniste me njohuritë që kishte. Ishte gjithmonë kënaqësi të bisedoje me Kiçon, sepse do të mësoje diçka të re. Ai do të bëhej një nga njerëzit më të respektuar në rrethet intelektuale në Elbasan, dhe në të gjithë vendin, duke mbetur në mendje të tyre si një mik i shtrenjtë dhe i dashur me humorin e këndshëm që e karakterizonte.

Ai do ta shpenzonte kohën jashtë profesionit i zhytur në libra, I etur për njohuri të reja pavarësisht moshës së tij. Për ato që e njihnin dhe respektonin ishte një kënaqësi të ndaleshin në farmacinë ku ai punonte gajtë viteve të fundit, e te këmbenin dy fjalë me doktorin qoftë edhe në këmbë, duke treguar kështu vlerësimin dhe respektin që kishin për të.

Emri i mirë që la ky njeri në qytetin e Elbasanit duhet të kalojë nga brezi në brez. Puna e tij duhet të jetë shembull për brezat e rinj të mjekëve dhe farmacistëve. Figura me përmasa te të tilla njerëzore dhe intelektuale duhet të jenë panteonin e qytetit tonë.