Zeja e kazazëve në Elbasan âsht shumë e vjetër. Prej shekujsh përmendet nji shesh në lindje të qytetit pranë vorrezave të mëdha (sot Parku “Rinia”), me emrin Fusha e Kazazëve, se kazazët në atë fushë ngrifnin çerqt portativë për të dredhun lândën e parë, fijen e mëndafshit  për me bâ bykme, gajtana, ibërshina etj, materje që i nevojiteshin për mjeshtrinë e tyne.

Popullsia e Elbasanit prej shekujsh e deri në luftën e parë Botnore (1914-1918) i ka pas dhânë nji rândësi jashtzakonnisht të madhe industrisë së mëndafshit se në atë kohë shumica e pajës dhe stolisë së vajzave për nuse, bâhesh prej pëlhurave të mëndafshta që punoheshin në vend. Pra, për me sigurue materjen kryesore të kësaj lânde, mëshigzën e mëndafshit, gati 80 % e banorëve ndjenin nevojën për me rritun krymbin e mëndafshit. I vetmi ushqim i këtij insekti të dobishëm për shoqninë njerzore, atëhere njifej gjethja e mandit.

Ja pra, për këtë arsye në të gjithe sheshet e tregut, të lagjeve, buzë vijash nëpër rrugë, si dhe në vorreza që në atë kohë ishin midis lagjeve, ishin mbjellë manda të pa-shartuar. Mandat përgjatë rrugëve në atë kohë zinin vendet e plepave të Kanadasë e akacjeve që në ditët tona zbukurojnë rrugët e qytetit dhe njikohësisht freskojnë e pastrojnë ajrin.

Mbahen mend kazazët në moshë të kaluar si Osman Metani, Himë Gurabardhi, Dem Shinkolla, Ali Kumi, Ali Gaçja, Xhafë Metani etj që kanë jetuar deri nga fundi i shek. XIX.

Në fillim të shekullit tonë (XX-shën. im), janë për t’u përmend Musa Selita, Mahmud Selita, Osman Myslimi, Ali Palloshi, Met dhe Kamer Shypheja, Kup Çengeli, Hasan Kazazi, Haxhi Çengeli etj.

Tradita e prodhimit dhe përpunimit të mëndafshit nga zejtarët elbasanas u ruajt deri aty nga vitet 1980 dhe për këtë qëllim ishte mbjell me manda që mâ parë një parcelë në jug-lindje të Krastës së Madhe. Ndërsa sot kjo traditë e bukur âsht zhduk plotësisht.

Mblodhi dhe përgatiti: Bukurosh Dylgjeri, Elbasan, Janar 2016.