Deklarata e Shpalljes së Pavarësisë

Botuar me rastin e 100 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë                     

Karta e Lirisë e Elbasanit

25 Nëntor 1912

Më 25 Nëntor 1912 në Elbasan ndodhi një nga evenimentet më të rëndësishme të jetës së tij dhe të jetës së të gjithë shqiptarëve. U mblodhën në një shesh të qytetit përpara ndërtesave qeveritare të kohës, që të gjithë bashkë sipas traditës elbasanase e shqiptare.

U mblodhën pleq e të rinj, burra e gra, muhamedianë e të krishterë, priftër e hoxhallarë, të pasur e të vobektë, me shkollë e pa shkollë. Dhe këtë e bënë me guxim. S’patën frikë nga pushtuesi turk, që e kishin të pranishëm. Bile e sfiduan, se i dolën ballëhapur e pa shpata e kobure. S’patën frikë as nga një pushtues i dytë, ndoshta edhe më i rrrezikshëm se i pari, që po i afrohej nga lindja, i armatosur gjer në dhëmbë, jo vetëm me armë, por edhe me djallëzi për të gllabëruar sa më shumë që të ishte e mundur nga trualli ynë arbëror. Dolën që të gjithë duke lëshuar kështu vezullimet e para të Pavarësisë së Shqiptare.  Paraqitën botërisht e publikisht para dy pushtuesave, aspiratën e tyre për liri me fjalët e thjeshta, por kuptimplote:

Vjesht’e 3-të 1912 Shpallje për vetëqeverimin e Shqipëniës

Na gjindja e Elbasanit pa ndonjë shtrëngim së jashtëmi ose së brendëshmi, po nga dëshir’i ynë i lirë bashkë me të gjithë qytetet e Shqipëriës po i a bajmë të ditunë gjithë botës së qytetëruarë se sot shpallim vehten tonë fgare të shkëputurë nga mbretënija Ottomane tue u numëruar si një komp i lirë, i cili me ndihmën e të madhit Zot, mbrojtësit të të gjithë kombevet edhe me projtjen e qeveriëvet të Europës, shpëren se do të qeverisë me nderë, drejtësië, dhe me një pa anësi të plotë pa vënë re ndryshim feje ose dogme. Ç’do shqipëtarë ose i huaj, ndën këtë qeverië shqipëtare, do të mundi të rroi lirisht dyke i gëzuar të gjitha të drejtat njerëzore.

E na kemi ndërmend të rrojmë vëllezërisht edhe me qeveriët fqinjëse, pa dashun t’u bajmë as të të pakin damë; po duke i u lutur të na ndihmojnë në vetqeverimin t’onë, sikur na ndihnë edhe në rrëzimin e qeveriës Ottomane.

Rroftë Shqipënia e lirë

Kështu e baftë Zoti!

Na përfaqësonjësit e Elbasanit vërtetojmë të sipërmen dyke vumë ndënshkrimin t’onë.

(Vazhdojnë firmat e personave firmëtarë…)

E kthyer në gjuhën e folme të sotme pak a shumë teksti është ky:

Vjeshtë e tretë 1912                        Shpallje për vetqeverimin e Shqipërisë

Ne populli i Elbasanit pa ndonjë detyrim nga jashtë apo nga brenda, por nga dëshira jonë e lirë bashkë me të gjithë qytetet e Shqipërisë po ia bëjmë të ditur gjithë botës së qytetëruar, se sot shpallim vehten tonë plotësisht të shkëputur nga Mbretëria turke, duke u rreshtur si një komb i lirë i cili me ndihmën e të madhit zot, mbrojtësit të të gjithë kombeve dhe me mbrojtjen e qeverisë së Europës shpall se do të qeverisë me nder , drejtësi dhe paanësi të plotë, pa bërë asnjë dallim feje apo dogme. Çdo shqiptar ose i huaj në këtë qeveri shqiptare, do të mundë të rrojë lirisht duke i gëzuar të gjitha të drejtat njerëzore.

Edhe ne kemi ndër mend të rrojmë vëllezërisht edhe me shtetet fqinjë pa dashur t’u bëjmë as më të voglin dëm, por duke i u lutur të na ndihmojnë në qeverimin tonë, sikurtse na ndihmuan edhe në rrëzimin e qeverisë turke.

Rroftë Shqipëria e lirë

Kështu e bëftë Zoti!

Me përfaqësuesit e Elbasanit vërtetojmë të sipërmen duke vendosur nënshkrimin tonë.

Ky dokument u firmos nga këto burra të cilët përfaqësonin të gjitha shtresat e qytetit tonë. Është fat i madh që ai dokument, u zbulua në arkivat e Ushtrisë Jugosllave nga prefektura para rreth dy vitesh. Atje u mor fotokopja që paraqitëm më sipër. Më parë nga shtypi i kohës dhe nga arkivi i pasur i Lef Nosit, pjesmarrës aktiv i kohës në lëvizjen patriotike të Elbasanit të fillim shekullit XX, diheshin vetëm data e zhvillimit të ngjarjes dhe emrat e nënshkruesve, por s’dihej asgjë rreth përmbajtjes së Deklaratës. Duke lexuar sot me shumë kujdes e vëmendje, mund të nxirren mjaft përfundime, sidomos mbi shkallën e nivelit politik të mendimit elbasanas, sikurse edhe për aspekte të tjera të këtij niveli.

Me një vështrim të shpejtë del se dokumenti nuk është thjeshtë një paraqitje para pushtuesve e së drejtës legjitime që ky komb të kishte një shtet të tijin, ku të jetonte i lirë, si të gjithë popujt e tjerë. Dokumenti, thjesht e kuptueshëm, vë në dukje edhe faktin se kjo dëshirë ishte kthyer tashmë në një realitet të cilin duhej t;a n jihte çdo fuqi e huaj, rrjedhimisht edhe ata që po afroheshin. Veç kësaj dokumenti vë në dukje se kjo deklaratë vërtet bëhej në Elbasan, në një nga qytetet kryesore të truallit shqiptar, por ai shprehte lirshëm vullnetin dhe dëshirën e të gjithë qyteteve të tjera të truallit ku banonte Kombi Shqiptar.

Qysh në fillim dokumenti thekson se shteti i ri që po lindte nuk ishte pjellë e ndonjë synimi dashakeq të ndonjë force të huaj në dëm të ndonjë force tjetër e që për rrjedhojë mund të prishte ekuilibrat e brishtë aktualë të shteteve europiane që kishin nisur të përplaseshin midis tyre në një konflikt europian. Përkundrazi, ajo ishte një dëshirë e jona, që shpallej botërisht nga të gjithë qytetet me “gojën” e Elbasanit.

Më poshtë dokumenti shpall shkëputjen nga sundimi turk dhe vë në dukje se kërkon ndihmën dhe bekimin e Zotit që në këtë shtet kombi ynë të rrojë i lirë nën mbrojtjen e Europës.

Mesazhi është shumë i qartë. Kërkojmë që edhe Europa, simbol i lirisë dhe i drejtësisë, të na përkrahë, sepse jemi edhe pjesë përbërëse e saj. Shihni ç’kërkon diplomacia elbasanase: të jemi në Europë, t’i kemi sytë dhe mendjen tek ajo, të jemi pjesë e saj. Pra gjyshërit tanë kanë qenë vizionarë dhe kërkuan me ngulm atë që diktatura komuniste na e hoqi dhe sot po harxhojmë energji të mëdha për t’a realizuar.

Por s’mjaftoi me kaq. Diplomacia e intelektualëve elbasanas të kohës e drejtuar nga Aqif Pasha, Lef Nosi, Ahmed Dakli, Shefqet Vërlaci e të tjerë, nëpërmjet kësaj deklarate shpall botërisht se ky shtet ngrihet mbi themele moderne e demokratike. Ajo premton se në këtë shtet do të ketë Liri për çdo banor  të saj, pa as më të voglin dallim të çdo lloji, do të ketë Barazi pa vënë re dasitë fetare , dogmatike e etnike. Para ligjit do të jenë të gjithë të barabartë, pra çdo minoritet do të gëzojë të drejtat e veta. Në këtë shtet do të kjetë edhe vëllazërim me vendet fqinje, të cilëve jo vetëm s’do t’u bëjmë asnjë dëm , por u kërkojmë të punojmë së bashku vëllazërisht, për të mposhtur çdo të keqe ashtu siç vepruam në rrëzimin e obskurantizmit Osman, që për shekuj na kishte marrë frymën të gjithëve. Pra:

LIRI, BARAZI, VËLLAZËRI

Në frengjisht është:

LIBERTÉ, ÉGALITÉ, FRATERNITÉ

Një vëmendje të veçantë meriton edhe gjuha e përdorur në të. Mbizotëron gegërishtja e Elbasanit, por aty këtu has edhe elementë të toskërishtes gjë që tregon se në qytetin tonë bashkëjetonin gegë e toskë. Paraqitja e tekstit nga ana letrare është modeste, sepse edhe niveli kulturor i masës ishte i tillë. Bie në sy fakti që shkruesi i tekstit, i cili ende është i panjohur, në shkrim përdor alfabetin latin të Manastirit, që kishte pak vjet i futur në përdorim. Masa e gjërë atë e kishte përvetësuar shpejt. Por shkruesit i kishte shpëtuar një gabim. Duket që ai ka njohur edhe ndoshta ka përdorur edhe alfabetin e Stambollit që Kongresi i Manastirit i 1908 e kishte lënë në përdorim. Kështu me një fjalë ai tingullin “dh” e paraqet me shkronjën , që i takon alfabetit, që përdorën vëllezërit Frashëri dhe biri i tyre, i pranishëm në trevën e Elbasanit në atë kohë dhe përfaqësues i tij në Vlorë ku u ngrit flamuri, Mit’hat Frashëri.

Si përfundim mund të themi me plot gojën që kjo deklaratë është mishërim i mendimit kulturor e politik të trevës elbasanase e më gjërë. Për idetë shtetformuese që jep është një Manifest Politik, prandaj meriton të quhet Karta e Lirisë e Elbasanit. Ajo është një miniaturë shqiptare e fund shekullit XIX e Kartës së Atlantikut të vitit 1941 e hartuar nga emrat e mëdhenj botërorë Rusvelt e Çërçill. Kjo e fundit vendosi bazat e shtetit të ri që po ngrihej. Me shumë të drejtë e para  gjason dukshëm me të dytën dhe e dyta është miniaturë shqiptare e së parës.

Më 1912 Elbasani u tregua vizionar. Me vezullimet që ai lëshoi, rriti mundësinë që mbas 3 ditësh, ato të ktheheshin në një shpërthim të shkëlqyeshëm në Vlorën Kuq e Zi të Ismail Qemalit. Për këtë ne duhet të krenohemi dhe t’i kujtojmë e ti nderojmë gjithmonë gjyshërit dhe strërgjyshërit tanë të vitit të lumtur 1912.

Tani është detyrë e Elbasanit, që origjinalin e dokumentit të Shpalljes së Pavarësisë, ta tërheqi miqësisht nga arkivat e Ushtrisë Jugosllave e ta fusë atë në fondin e artë të arkivave të historisë sonë kombëtare.

Nga Rudolf  Deliana (Mësues i Merituar)