Kanunorja e tabakëve (regjësve të lëkurës) të Elbasanit, Statuti më i vjetër esnafor në viset e Ballkanit nën sundimin osman (14 maj 1657)

Foto e faksimiles e Kanunores së Tabakëve

Foto e faksimiles e Kanunores së Tabakëve

Statuti i tabakëve ka një rëndësi të madhe, sepse është statuti i parë  e më i vjetër i esnafëve në vendin tonë e në Ballkan. Për ta mbështetur këtë po ju paraqesim një paragraf të artikullit të Zija Shkodra në revistën shqiptaro-iraniane “Perla”.

“Rëndësia e këtij dokumenti mesjetar nuk ka dyshim se është e madhe. Kjo, sepse ky paraqet në rradhë të parë statutin  më të vjetër të esnafëve në vendin tonë, kopjen e vetme të këtij lloji, dhe , me sa dimë deri më sot, dokumentin juridik të shoqatës zejtare  më të vjetër në viset e Ballkanit nën sundimin osman. Në krahasim me statutin e Bakejve të Voskopojës (1779), të zbuluar dhe të botuar  në revistën “Leka” më 1934, nga studiuesi i zellshëm i arkivave Ilo Mitkë Qafzezi, kanunorja e tabakëve të Elbasanit e hartuarmë 14 maj 1657 është 122 vite më e lashtë. Lashtësia e këtij dokumenti ja kalon edhe statuteve esnafore të viseve të Ballkanit që ishin nën sundimin osman. Nga sa jemi në dijeni rreth këtij problemi, nga letërsia historike e këtyre viseve  del se ajo nuk njeh ende statute esnafore kaq të vjetra sa ajo e tabakëve  të Elbasanit. Kjo provohet nga fakti se statutet esnafore greke, bullgare, moldavo-vllahe, serbe ose ato të Bosnje-Hercegovinës fillojnë kryesisht nga shek,XVIII-XIX. Ky është mendimi i vetë historianëve ballkanas që janë marrë me këtë problem në këto treva.”

Ky fakt tregon shumë për jetën ekonomiko-shoqërore në qytetin e Elbasanit, në këtë  periudhë e për zhvillim që pati shek.XVII në këtë drejtim.

Ka rëndësi po ashtu, sepse përmes saj mund të mësojmë e studiojmë më shumë rreth esnafëve gjatë sundimit osman.