Bisedoi : Hyqmet Zane

Pak fjalë mbi Jonuz Ballën dhe vitet 1940

Në jetën e një njeriu ka shumë ngjarje që lenë gjurmë të pashlyeshme, por për mësuesin Jonuz Balla normalistin, tashmë 96 vjeçar, vitet 1940 do të mbeten të veçanta. Më shumë se mosha që mban mbi supe, Jonuzin e mundon mungesa e vlerësimit të tij si simbol i atij brezi të mbi 400 mësuesve të Normales dhe Shkollës teknike të Fullsit që shkuan në tërë trojet shqiptare për mësimin e gjuhës shqipe dhe hapjen e shkollave në atë shtator të vitit 1941. “si skujtohen një herë të thonë një fjalë të mirë për ministrin tonë të arsimit, të nderumin Ernest Koliqi që u ba si simbol i arsimit mbarëkombëtar, – shprehet me një indinjatë të thellë 96 vjeçari mësues i moshuar Jonuz Balla me atë dialektin e një elbasanasi të vjetër. – S’kam nigju i herë që ta zenë në gojë emrin e ministrit tonë të nderum, ky asht i turp për at Zot. Unë i jam mirënjohës ati njeriu për çfarë bani për ne që na dha nder si mësuesa dhe i dha nder kombit me ate që bani”.

I rritur dhe i edukuar në një familje atdhetare nga Polisi i Madh i Elbasanit, që ka nxjerrë burra të shquar, Jonuz Balla me dëshirën që i buronte nga brenda shpirtit do të preferonte të shkollohej si një mësues dhe të mos kthehej thjesht në një hoxhë, siç dëshironte gjyshja e tij. Normalisti, më i vjetri në Shqipëri, por edhe me një veçansi të madhe : Jonuz Balla është dëshmitari dhe personazhi i gjalle i historisë së shkruar nga ata 400 normalistë, të cilët në pranverën e vitit 1941 me vendimin e ministrit të arsimit të qeverisë shqiptare të asaj kohe Ernest Koliqi do të shpërndaheshin në të gjitha trojet shqiptare si mësues të gjuhës shqipe. Vendimi i Ministrisë së Arsimit u konsiderua nga plejada e arsimtarëve të dalë kryesisht nga Normalja si një mision i shenjtë, dhe ato do të ktheheshin vërtetë në misionarë të shqiptarizmit.

Puna dhe sakrificat e këtyre mësuesve normalistë janë të skalitura në kujtesën historike të shqiptarëve përtej kufijve të Shqipërisë në Kosovë e Çamëri, në Maqedoni e Mal te Zi, atje ku u hapën shkolla shqipe, atje ku bukës i thonë bukë dhe ujit ujë dhe gjuha shqipe ligjëroi, ashut siç e këndoi Naimi i madh.
Për të thyer heshtjen në lidhje me këtë ngjarje madhore të historisë së Kombit Shqiptar iu drejtova plakut të urtë dhe të mençur, Jonuz Balla që ka aq shumë për të thënë. Ashtu qetë-qetë dhe me një kujtesë të kthjellët, edhe pse 96 vjeçar dhe i vetmi nga të moshuarit e Normales, mësuesi ynë flet me një ndjesi respekti për atë kohë dhe për bashkatdhetarët që i pritën mësuesit normalistë dhe i bënë ata, vëllezërit e tyre shpirtërorë.

Çfarë thotë me gojën e tij Jonuz Balla ?

“Para se të shkonim në shkolla përtej kufijve, u ngrit një komision me porosi të ministrit Ernest Koliqi që do të njiheshin me terrenin dhe ku do të bëhej e mundur hapja e shkollave shqipe. U përcaktuan në detaje se në ç’vende do shkonin. Fillimisht mua më caktuan në një fshat në Maqedoni, në Radosh, që flisnin veç bullgarisht dhe shqip nuk dinin fare. Vetëm një vit ndejta atje se pastaj më çuan drejtor shkolle në Dibër të Madhe, se në atë kohë kuadrot caktoheshin nga Ministria e Arsimit. Ne shkuam në këto troje për t’hapur jo shkolla fetare, por laike. Më pas i shkrova një letër Ahmet Duhanxhiut që ishte inspektor arsimi i cili më transferoi në Dibër të Madhe, ku ndejta për dy vjet. Po si drejtor u trasferova në Tetovë, në shkollën me emrin “Skënderbej”. Ndejta atje derisa u shkatërrua ajo punë. Në atë kohë që unë isha në Dibër te Madhe, drejtor shkolle në Tetovë ishte Qemal Haxhihasani nga Elbasani. Vetëm nga Elbasani në këto troje vajtën rreth 125 mësues dhe shumë të tjerë nga e gjithë Shqipëria që kishin mbaruar shkollën Normale deri më 1941. Dua të them se shqiptarët e asaj ane na pritën shumë, shumë mirë. Kur kujtoj sot në këtë moshë pritjet që na kanë bërë ata, emocionohem. Këtë e provova, kur më futën në burg dhe më dënun 8 vjet. Para se të më çonin në burg, më çuan në një kurs kualifikimi pedagogjik në Shkup. Në atë kohë ministër arsimi ishte një farë Nikolla Vinçe. Më çuan në ministri që të bëja kuadrin. Pasi mbarova këtë kurs më thanë që do shkosh në Tetovë dhe do hapësh shkolla turke. Më erdhi shumë keq, e m’u duk sikur ma futi thikën në shpinë. Isha referent arsimi në atë kohë, ndërsa unë u propozova atyre në ministri se si do të hapim shkolla turke, kur këtu ka shkolla shqipe, kur nuk ka as ndërtesa , as personel. Unë u thashë atyre që të shkojm në Tetovë, të caktojmë një ditë, të thërresim popullin shqiptar dhe ata që e qujanë veten turk dhe tu themi atyre që do të hapim shkolla turke. Ju po të doni thoni po, po s’deshët thoni jo. Unë në fjalën që i thashë popullit të mbledhur në shesh se “këto shkolla shqipe që i kemi hapur, nuk na i fali kush, por për to është derdhur gjak. Ju thashë atyre që të flisnin pa frikë se jeni shqiptarë, se ata që e kanë ndjerë veten turq, kanë ikur që më 1912-tën”. Të gjithë thanë “shqip, shqip” dhe ky tubim mori formën e një demonstrate. Kurse kryetari i këshillit maqedon u tha atyre : “Qetësohuni ju, nuk ka as një gjë. Doni shkolla shqipe, shqip do hapim”. Më pas pasi u shpërnda populli dhe, kur vajta unë në zyrën time, atje ishte një referent maqedonas i cili më tha maqedonisht: “A Balla, ty do të kapi ndonjë paragraf”, d.m.th. i ligjeve për të më future në burg. Unë e kuptova, aty ka qenë gjithçka e përgatitur. “Unë jam një mësus, – u thashë atyre, – unë nuk bëj politikë, zhvilloj vetëm mësim”. E shikoja që po më ndiqnin dhe diçka kishin përgatit. I them një shoku të ngushtë se herët a vonë mua do më burgosnin. Në kursin pedagogjik të verës, një ditë, kur dal pazarit duke ikur rrugës, më ndalin policia. Kursin pedagogjik që zhvillonim gjatë verës e kishte rrethuar policia. Unë u thashë policëve që në kursin pedagogjik të mos shkonin. Kur unë u futa të shikoja diçka, më morën dhe më futën në makinë dhe më çuan drejt e në qeli në kala. Më futën dhjetë metra thellë ku kishte vetëm lagështi dhe errësirë. Më pas filloi proçesi dhe më dënuan 8 vjet burg. Ata që më mbajtën gjallë në burg ishin shqiptarët, të njohur e të panjohur, mjaft që e dinin që unë isha mësuesi nga Shqipëria dhe s’kisha kërkënd që të më shikonte. Unë kasha në Shqipëri vetëm një anaë plakë që më priste. Janë të panumërta pakot me ushqime që më sillnin në burg. Një plakë, si nëna ime, më thotë : “Të kam si birin tim, të mos bëhet merak nëna jote”. Shtatë muaj ndejta në qeli. Kur do dilja në gjyq, erdhi një nga ata të policisë dhe më thotë që të ndrroja rrobat. Por unë nuk pranova dhe këtë e bëra që të më shihnin se si më kishin lënë mua mësuesin në burg, ndërkohë që dikush nga shqiptarët më kishte sjellë një shportë me ushqime dhe fruta. Ato m’i lanë vetëm gjatë kohës së gjyqit, pastaj i morën dhe i hodhën. Në burg rroja vetëm me 300 gram bukë. Ajo shportë më kishte ardhë nga Manastiri. Nuk dija kush ma kishte sjellë, por me siguri familjet e nxënësve të mi. Për shtatë, tetë ditë që dola në gjyq më sillnin ushqime shqiptarë që ishin në Tetovë. Edhe kur vajta në burg të madh në Shkup, në një burg të tmerrshëm, erdhën më kërkun, me emër, Jonuz Balla. Një vajzë e vogël që kishte ardhë me gjyshen e saj i thotë : “Ky është Jonuz Balla”. Filluam të flisnim shqip, kurse policët e burgut më thanë : “Ndërpreje shqipen”. Ato i thanë se ky nuk di maqedonisht, vetëm shqip di. Edhe kur vajta në burgun e Beogradit, edhe atje nuk reshtën pa më sjellë ushqime, dhe jo pak, por 8 vjet me rradhë. Këta ishin shqiptarët ku unë vajta si mësues që të hapja shkolla shqipe. Ata më pritën si birin e tyre dhe më mbajtën si mësuesin e tyre. Kam një listë të emrave të njerëzve që më kanë ndihmuar. U jam mirënjohës se më mbajtën gjallë.
Në vitin 1955 u ktheva në Shqipëri dhe hyra në kufi. Më thanë : “Ku ke qenë”? – Kam qenë në Maqedoni, unë jam mësues, shkuam për të hapur shkolla shqipe me porosi të ministrit Ernest Koliqi në vitin 1941. në fakt kishin kaluar 14 vjet. E pashë që u prishën në fytyrë. Autoritetet e shtetit tim, menjëherë më thanë : “Ti je agjent i UDB-së”. Më morën dhe më futën përsëri në burg. Për rreth pesë muaj kam ndejtur në burgun e Elbasanit që në atë kohë ishte tek ish turizmi i vjetër, e që quhej Hotel Grand”.
Ato që po ndodhin sot në Maqedoni për shqiptarët që etiketohen keq në Enciklopedi, normalisti Jonuz Balla i shpreh shkurt kur thotë : ‘Eh, kështu kanë ba që në sene ata, janë antishqitparë të përbetum. Nuk u kam besë” dhe shpejt bie në mendimet e tij të moshës dhe vuajtjeve, por që harresa e atyre që duhet ta nderojnë sa është gjallë, e mundon shumë. Jo se s’ka për të ngrënë, jo se ka ndonjë vuajtje, por ai po tretet si qiriri i Naimit pa pyetur kush për të në një vit të veçantë siç është ky i jubileut të 100 vjetorit të Normales dhe Kongresit të Elbasanit. “Nuk di në do t’ia mbrrij atë ditë të shenjtë”, – përfundon mësuesi.

 

Në ditën e 7 Marsit te Jonuz Balla