Përgatiti: Hyqmet ZANE

Lindi në Elbasan më 15 Nëntor 1914 nga një familje qytetare atdhetare. Shkollën fillore dhe të mesme i mbaroi në vendlindje.
Në vitin 1930-1932 ndjek studimet e larta në Akademinë e Edukatës fizike në Romë (Itali). Në shtator të vitit 1932 fillon punë si mësues i edukimit fizik në Pogradec, ku punoi 4 vjet deri më 1936 dhe nga ky vit deri më 1938 punon si mësues në shkollën Tregtare të Vlorës. Më 1938–1942 vazhdon përsëri studimet e larta në fakultetin e letërsisë në Itali, të cilin e mbaron me rezultate të shkëlqyera. Po në këtë vit mbron dhe titullin Doktor (Facolta di Magistarie Materie Letterarie). Me librin që titullohet “Shqipëria e vërtetë”, i cili botohet po në vitin 1942 dhe që nga ky vit e deri ne vitin 1953 punoi si mëues i letërsisë në Liceun e Korçës (sot gjimnazi Raqi Qirinxhi). Në vitin 1953 transferohet në shkollën Normale të Elbasanit. Me hapjen e gjimnazit në Elbasan, punoi atje deri në vitin 1972, vit kur doli në pension.

Nga rrethet intelektuale Besim Qorri njihet si një mësues i niveleve të larta dhe i paisur me një kulturë të gjerë dhe njohës i disa gjuhëve të huaja. Mbahen mend përkthimet e para të tij si: – në vitin 1935 librin “Novela të Zgjedhura nga Letërsia e Huaj” ku disa prej tyre janë të shkrimtarit të njohur Blasko Ibanez. Në vitin 1962 ka botuar librin “Proka dhe Vepra të tjera”. Me këtë libër ai nxjerr në pah vlerat e shkrimtarit dhe publiçistit elbasanas Filip Papajani (Lipi) dhe në vitin 1974 përkthen nga letërsia e huaj romanin “Legjenda dhe aventurat e Til Ulen Shpingelit e të Lame Gudzakut”.

Artikujt e tij publiçistikë e përkthime të ndryshme fillojnë nga viti 1930 në Revistën “Normalisti” e duke vijuar më pas në mjaft organe të shtypit bashkëkohor si në revistat Arësimi Popullor, Yll e Nëntori, Mësuesi, Drita, Puna, Kultura fizike, Sporti e Sporti Popullor.

Një nga kobntributet e mëdha të Dr. Besim Qorrit fakti përveç pjesmarrjes direkte si portier me skuadrën e qytetit të Elbasanit e më pas arbiter, është edhe ai në lëmin e studimeve dhe dhe publicistikës për sportin. Në studimin mbi “Historikun e Futbollit në qytetin e Elbasanit”, referuar gjatë një konference me temë sportin, Prof. Besimi, bazuar në një punë kërkimore sistematike paraqet për here të parë kohën e fillimeve të futbollit në Elbasan

Prof. Besim Qorri intervistoi futbollistët veteranë të Elbasanit për të arritur në përfundimin se dëshmia e mësuesit Ahmet Gashi ishte me të vërtetë një fakt historik:

“Kjo lojë ka filluar të luhet në Elbasan më 1913, që në kohën kur kthehet nga Stambolli qytetari Elbasanas Jovan Dimitresku i cili ishte një njohës i mirë i rregullave të futbollit. Ai ishte i pasionuar pas kësaj loje, sepse edhe vetë Jovan Dimitresku kishte qenë lojtar i skuadrës “GallataSaraj” të Turqisë. Pra të gjitha të dhënat flasin se futbolli në Elbasan ka filluar të luhet që më 1913. Në këtë kohë Jovan Dimitresku grumbulloi rreth vetes disa të rinj si Ibrahim Shingjergjin, Filip Lecin, Ahmet Gashin, Dhimitër Gjergon etj. Ata formuan skuadrën e parë të futbollit në Elbasan. Jovan Dimitresku kishte marrë me vete kur u kthye nga Turqia dy topa futbolli, një pompë dhe mësniç për ngjitje në qoftëse dëmtoheshin topat.
Që nga 4 Maj 1974, kur u festua për herë të parë 60–vjetori i lojës së futbollit, me shumë të drejtë vazhdon të festojë çdo vit Klubi Sportiv i Elbasanit përvjetorin e 1913-ës.

E gjithë jeta e Dr. Besim Qorrit ka qenë e mbushur me punë e veprimtari jo vetëm në fushën e didaktikës e të mësimdhënies, por edhe në fushën Albanologjike, të përkthimeve, të botimeve letrare, të aktivitetit teatrore e sportive duke fituar dhe titullin “Mjeshtër Sporti”. Për punë të mirë dhe të ndërgjegjëshme si mësues është dekoruar më 1959 me Urdhërin e Punës të Klasit të III, ndërsa për kontributin e tij në fushën e albanologjisë është dekoruar me Urdhërin “Naim Frashëri” Klasi I, më 1995, vlerësim i bërë pas vdekjes. Ai tregoi një shembull të dashurisë pa kufi ndaj vendit ku u lind dhe u rrit. Ndërroi jetë më 31 Tetor 1984.