Isuf Myzyri (1957) - Artist i Popullit, kompozim në vaj nga piktori Xhemal Lufta,

Isuf Myzyri (1957) – Artist i Popullit, kompozim në vaj nga piktori Xhemal Lufta,

Isuf Myzyri lindi në Elbasan në 8 Mars të vitit 1881.

Edhe pse sot ai njihet si një ndër muzikantët që ka dhënë një kontribut të paçmueshëm të këngës sonë popullore qytetare, jetën e tij nuk e ka kaluar duke u marrë gjithmonë me muzikë.

Ka punuar fillimisht si bahçevan, zanat të cilin ia mësuan prindërit. U mor edhe me punë të tjera si berber apo qeleshexhi. Po kur merrej ai me muzikë? Isuf Myzyri e gjente gjithmonë kohën për muzikën, pas punës së tij të lodhëshme, ai mblidhej e këndonte tok me shokët. Kjo gjë nuk e lodhte atë, përkundrazi i falte kënaqësi të një lloji që donte t’a ndante edhe me të tjerët e jo ta mbante këngën vetëm për vete. Kështu shtëpitë nuk ishin thjesht vende për t’u mbedhur e kënduar, por u bënë edhe vende ku mësohej e nga ku përhapej kënga e vallja popullore.

Isuf Myzyri spikaste për zërin e veçantë, veshin e mprehtë muzikor dhe për mënyrën se si ai i binte violinës, veglës së tij të dashur muzikore, të cilën e kishte mësuar prej shokëvë.

Ai grumbulloi rreth vetes edhe shokë të tjerë që dinin t’i binin veglave muzikore si: klarinetës, lahutës, dajres etj, duke krijuar kështu aty rreth vitit 1905, një orkestër popullore, të cilën e udhëhoqi vetë. Kjo ishte një ngjarje me rëndësi kombëtare për kohën atëherë, por është e rëndësishme edhe sot sepse ajo orkestrinë ka qenë e para orkestrinë e mirëfilltë popullore me instrumenta kombëtare. Orkestra mori jehonë edhe në qytete të tjera të Shqipërisë dhe vazhdimishte lëvizte në qytete të ndryshme për sebepe të ndryshme.

Puna që kishte bërë më parë Isuf Myzyri si qeleshexhi ndikoi edhe në artin e tij, sepse ai e përdorte gjithmonë qeleshen në kostumin popullor të Elbasanit, të cilin e mbante veshur kur këndonte, duke e lidhur kështu artin me etnografinë.

Usta Isuf  Myzyri siç e quanin të gjithë e siç e njohim edhe sot, i ka dhënë identitetin e origjinalitetin këngës sonë popullore qytetare. Ai nuk studioi as në shkolla muzike, as në konservatorët europiane, por ishte autodidakt, megjithatë kjo nuk e pengoi të ishte një artist i madh. Isuf Myzyri është një nga poetët dhe këngëtarët më në zë të Shqipërise së Mesme. Këngët e tij janë kënduar e këndohen në çdo cep të Shqipërisë.

Isuf Myzyri ka lënë pas 89 krijime poetike e muzikore. Vjeshat e këtij rapsodi janë të lidhura  në mënyrë të pashkëputur me dukuritë e pejzazhit të vendlindjes, duke bërë të mbetet në mendjen e elbasanasve nostalgjia për Portën e Kalasë, Bezistanin, Krastën, Malin e Vashës, Sopotin e Vasjanin, të cilave ai u ka kënduar këngë dhe u ka ngritur hymne.

Gjuha muzikore e Isuf Myzyrit është e thjeshtë dhe e kapshme nga populli. Krijmtaria e Isuf Myzyrit u bazua në atë të popullit, meloditë e tij u bazuan në intonacionet popullore, gjithashtu vjershët e tij gjetën frymëzimin e tyre në popull.

Vdiq në 21 tetor të vitit 1954 dhe 22 vite pas vdekjes, në vitin 1978 iu dha titulli i lartë “Artist i Popullit” dhe në vitin 2006 u shpall “Qytetar Nderi i Elbasanit”.