H. Z – Zoti Sefedin, sot jeni berberi më i vjetër që e vazhdoni punën, edhe pse në një moshë 80 vjeç. Çfarë është zanati i berberit për ju?
S.C – Unë qysh fëmijë (kam mbaruar 7 vjeçaren në 1952) kisha qejf të punoja berber. Në shkollë isha shumë i mirë, i shkëlqyeshem biles. Atëherë kam shkuar disa herë në komitet të partisë, që të vazhdoja shkollë, kishe bursë, ishte pa lekë. E rregullova me ata të pushtetit, dhe hyra berber. Fillova në shkurt të ’53.


H. Z – Kush ka qënë ustai i parë i yti?
S. C- Ustallarë ne kishim 4-5 vetë që punonin përballë Cedi Ballijes, ku po bëhet xhamia, aty ishte një lokal me dy dyer dhe me rruaza. Lokal i vjetër, poshtë ishte me kalldrëm rruga, këtu ishte bulevardi. Komunikonte me të dy rrugët, me dy dyer. Në fillim fare ka qënë Qamil Asnjoku, Met Meçja, Ali Kola, Mustafa Mazhi, Tomorr Taca. Tomorri pas disa vitesh iku, nuk e pati qejf më zanatin dhe iku profesor. Vazhdoi shkollën. Ne filluam e për 6 muaj u bëmë ustallarë. Nga pasiono që kisha, unë e mësova shumë mirë zanatin. Me shpejtësi, me cilësi e me të gjitha kërkesat. Përballë kishim Ahmet Lolen, bashkë me të vëllanë Cen Lolen. Ishin privat ata. Unë e kam mësuar në shtet. Madje ka qënë kooperativë fare, në ’53 mbaheshim nga veshmbathja. H. Z – Dhe qysh nga ajo kohë …
S. C – Qysh nga ajo kohë, unë nuk e kam shkëputur zanatin, e kam pasur me dashuri të madhe. Dhe kam kaluar, shumë mirë.
H.Z – Çfarë i kujton zanatit të berberëve? Gjëra pikante.
S. C – Zanati i berberit po ta njohësh mirë, është tamam art. Artist, pavarësisht se quhemi zanatçinj, ne zbukurojmë fytyrën. Ka më gjë të bukur, pasqyra që ka njeriu ajo është.
H. Z – Sa klientë mund të kalojë një berber gjatë ditës?
S. C – Ajo varet nga shpejtësia e berberit. Unë pa ekzagjerim kam bërë dhe 100 vetë në ditë.
16 orë punë. Zakonisht 20 – 30 vetë dhe të kesh punë pa pushim, ti nxjerrësh me cilësi.
H. Z – Mban mend personalitet që mund të kesh qethur apo rruajtur?
S. C – Ka shumë. Kur kam qënë te Gurabardhi, atëherë vinin të gjithë drejtuesit e Elbasanit që nga Jashar Menzelxhiu, Çaush Vllaca, kryetari i gjykatës sidomos, prokurori i përgjithshëm, drejtorët të gjithë. Se i tërhiqte: psh këtu vjen Jashari?, Ishin dhe kështu si punë servilash. I qethja vazhdimisht. Madje nga që kisha shumë punë, me ato do rrija do bëja dhe temena. Atëherë nuk kishte fluks. Feruzin shkoja e qethja në shtëpi. Kam qënë edhe te shtëpia e pritjes, nuk mbaj mend me kë. Anëtarët e Byrosë, Hajredin Çeliku, Xhemal Dymylja po jo në shtëpi. I thashë njëherë Jasharit “Të vij në shtëpi?” “E mirë, hajde më tha.” Shkova unë atë ditë në shtëpi, se çfarë bisedoi me Margaritën (e shoqja) atje. Jo tha. Nuk e lejoi Margarita që të qethte flokët.
H. Z – Është e lodhshme puna e berberit?
S. C – po ta kesh me dashuri nuk është e lodhshme se lodhjen e justifikon me të ardhurat. I ke të ardhurat përditë. Edhe atëherë që ishim shtetërore, edhe atëherë po të ishe i zoti i punës fitoje. Unë për veten time kam dalë shumë mirë.
H. Z – Çfarë të ka mbajtur që edhe në këtë moshë 80 vjeç, ju qëndroni në këmbë e punoni?
S. C – Në rradhë të parë është vetë trashëgimia, edhe plakun unë e kam patur shumë të fuqishëm.
Baba im ka qënë bahçevan gjithë kohës. Ndërsa gjyshi ka qënë tregtar, kishte një dyqan të vogël. Unë i kam bërë shumë shërbim trupit tim. Kemi filluar me ushqimet shumë herët, mëngjesin ne berberët ngaqë kishim lekë nëpër duar, shkonim hanim në pazar.
H. Z –Si e ke përballuar faktin që rrini në këmbë gjatë gjithë kohës?
S. C – Punoja te stadiumi, punoja 16 orë në ditë. Do i jepnim planin shtetit 10.000 lekë, merrje rrogën aty e s’të vinin më për kontroll. Përpiqesha të ushqehesha mirë. Lodhje e madhe ishte në fakt.


H. Z – Ku qëndron bukuria e zanatit të berberit?
S. C – S’ka zanat më të bukur. Nga paraqitja rri i rregullt, i pastër, brenda je, muhabet ke. Radion e ke. (Tani televizorin) e të tjera.
H. Z – Në kujtesën tënde, si berber i vjetër, si një qytetar i nderuar i Elbasanit, kush mbahet mend si berberi më i parë për ty?
S. C- Berberi më i parë për mua ngelet usta Liçi, Liç Isa Efendiu. Ka pasur edhe vëllanë Hajdar Isai. Liçi kishte edhe parukierë edhe berberë përballë të Porta e Kalasë. Ai është më i vjetri. Pastaj shkoi në Itali. Kurse me Hajdarin kam punuar edhe vetë. Janë Shëngjergjësit, Bajram Shëngjergji, Muc Shëngjergji. Pas tyre, lanë edhe fëmijët ata. Shëngjergji dhe Bukuroshi. Kanë vdekur dhe kët. Kanë lanë edhe këta dy djemtë. Njëri ka vdekur Fatmiri, tjetri punon te stadiumi. Këta të Hajdarit, Rrema, Lika kanë qënë dy vëllezër. Ka qënë edhe Kamber Hajdari më gjithë Sali Hajdarin. Sali Hajdari ka lënë edhe ai djalin berber, punon te stadiumi. Ka qenë Min Leksi. .
H. Z – Po sikur të bënim pak konkurs mes berberëve, kush mbahet si berberi më i mirë?
S. C – Berber i mirë ka qënë, që kam punuar unë, Bajram Shëngjergji. Esnaf quhej. Kishte dhe lokalin privat. Kur kam pasur filluar unë zanatin, kishte lokal privat. Ai mbahej i rregullt si person.
H. Z – Domethënë ky ishte më i miri.
S. C- Këtë mbaj mend unë.
H. Z – Po ka pasur shumë berberhane Elbasani?
S. C – Elbasani ka pasur katër berberhane në fillim kur kam hyrë unë. Një ka qënë të kinemaja verore, përballë. Tjetra ka qënë te Gryka e Mejhanes, ku kanë qënë bugaçet. Tjetra ishte më poshtë, te markata. E tjetra poshtë, ku është bërë Bashkia, përballë bashkisë. Katër të mëdha këto kanë qënë. Kaq berberë ishin në Elbasan.
H. Z – Po duket sikur vetëm myslimanët kanë qënë berberë. Po nga pjesa ortodokse ka pasur berberë?
S. C – Si çdo zanat, çdokush fuste tarafin e vet, fëmijët e vet. Të krishterë nuk kemi pasur fot me të vërtetë. Kemi pasur, dy çamë, Ismail Dine, ka ardhur nga Çerma e Lushnjës. Kemi pasur edhe Daut Dautin. Kam punuar me ta të dy. Ka pasur, kam punuar dhe me kosovarin. Halim Sulejmani quhej. E kam dhe fotografi.
H. Z – Berberët kanë kryer edhe një funksion tjetër, atë të synetbërësit. Kush ishin nga këta të dëgjuar që ishin dhe berber dhe synetbërës?
S. C – Ka qënë Leksi, dhe i biri Fati ka punuar. Këta Hajdarsit në përgjithësi bënin synet. Unë nuk kam bërë vetë, kam parë po nuk kam bërë. Shiko çfarë kishte synetlliku. Po të shkoje në fshat, se më shumë fshati i kërkontë, duhet të mbyllje dyqanin një javë. E të iknin myshteria. Ishte gjë pa leverdi kjo punë. Kjo ishte e keqja se nuk ishte ndonjë filozofi. Ka pasur dhe dentist që shkulnin dhëmballë, në kohë të Zogut më tepër. Kam punuar me Halim Sulejmanin kosovar. Aty te gjelltorja e Elbasanit, hapëm një degë mu aty përballë.
H. Z – Në qoftë se të pyes, berberët a kishin solidaritet mes tyre, kishin shoqëri?
S. C – Ne, kur kam hyrë unë në fillim, aq shkonim, ishim kolektiv. 40 berberë që ishim ne, mblidhej puna e të 40-tëve dhe ndahej pas kategorisë. Mirëpo ne ishim të rinj, punonim shumë, mërrnim më pak se merrnin ustallarët e tonë ishin me kategori të gjashtë. U detyruam ne të bënim shkollën e mesme, se nuk ta jepnin kategorinë e gjashtë. Duhej të bëje shkollën e mesme. Kemi shkuar natën kemi ndjekur shkollën.
H. Z – Mua më duket se berberët janë edhe burra të shtruar, burra të mençur, duke dëgjuar shumë njerëz, duke marrë informacione, nga një fjalë sot një fjalë nesër, është e vërtetë që kanë qënë edhe njerëz të përmbajtshëm?
S. C – Varet sipas tipit. Edhe mëson shumë. Nuk është nevoja që të jesh me shkollë të lartë. Nga komunikimi që ke vazhdimisht me persona të ngritur, me drejtorë, me profesorë, drejtorë shkollash. Kishe komunikim të vazhdueshëm edhe njeriu që ka mend, merr nga ata, zhvillohet.
H. Z – Çfarë mund të thuash sot për zanatin e berberit. Ka pësuar ndryshime? Si e koncepton ti?
S. C – Zanati sot ka ecur, ka përparuar. Po si ekonomikisht janë dobët.
H. Z – Teknologjia ndikon te zanati i berberit apo duhet të jetë tipi.
S. C – Nuk ka të bëjë shumë teknologja. Kur kam qenë në librazhd me një makinë dore qethje 100 vetë. E lyeja dorën me vaj në darkë kur flija gjumë. Ai që do të punojë, punon.
H. Z – Kur ka qënë koha e luftës kundër liberalizimit, flokëve të gjata, keni pasur raste që keni qethur njerëz nga zori?
S. C – Po na i sillte policia, përdore, ose i bënte me çallate rrugës. Vinin pastaj ata të shkretët e qetheshin. Madje këtu kam pasur shumë raste. Problem i kemi pasur. Unë isha dhe pak i modës, kisha qejf. Punoja gjëra të bukura, e zbukuroja tjetrin. Edhe më binin mua, se më patën lëvizur, nuk më linin në një vend. Te çopenjt kam punuar 7 vjet. Pastaj më hoqën nga atje. Më çuan tek banesat. Nga andej më vinin të banesat, disa djem korçarë. Ishin atëherë këto konviktet e Metalurgjisë, dhe më ndiqnin pas. Kishin qejf ti bëja të bukur. Sado që nuk lejohej po përsëri.
H. Z – I kujton me nostalgji ustallarët dhe kolegët e tu?
S. C – Po shumë. Kemi pasur njerëz shumë të mirë. Ustallarë të mirë. Do ti jap me emra kush kanë qënë. Në një lokal kemi qënë njëherë ka qënë, Qazim Rruspi, Qazim Agolli që punonim bashkë te leshnat quhej aty afër Mal Pishkashi, ka pasur një lokal ai. Ishte shitës zarzavatesh. Poshtë kishim Demir Lila, Hyqmet Muharremin e kemi pasur edhe përgjegjësin e të gjithë berberëve. Ka qënë komunist i vjetër ai. Hasan Hasani, korçar nga Korça ishte usta i mirë. Na mprihte dhe gërshërët ne. Halli pinte shumë, ishte qejfli i pijes. Më Hajdarsit kam pasur punuar. Me Rremën, Ramazan Gurakuqin, Osman Shëngjini, Agim Zylyfi, Bim Tafili, Remzi Kërçi, i vëllai i Myrt K ërçi, Ali Palloshi. Këta e lanë njëherë zanatin, i hynë partisë. Shkuan sekretar partie në fshat.
H. Z – Duket si zanat i privilegjuar sepse berberi rri gjithmonë në qytet, rri ngrohtë, rri mirë.
S. C – Për mendimin tim është shumë i privilegjuar, po jo i vlerësuar. Se Elbasani më tepër ka vlerësuar arsimtarët. Por unë e respektoj zantin tim.
H. Z – Të falenderoj për intervistën.

 

Intervistoi Hyqmet Zane