“Beteja” për ta tjetërsuar mitin e Zanës prej kohësh ka marrë zjarr dhe autorë të ndryshëm me shkrime të gjata rreth kësaj teme, po përpiqen të na mbushin mendjen se ky mit, pra i Zanës dhe festimeve të Ditës së Verës, i takon krahinës së Çermenikës (Crna Nika) në Librazhd, e trajtuar prej tyre si Zana e Çermenikës ose Zana e Kandavisë, apo edhe më tej. Ja vlen vërtetë të lëvdohet çdo përpjekje që bëhet për verifikimin e festave tona të lashta, si argumente të fuqishme të autoktonisë sonë në këtë truall.

Por, pse festohet në Elbasan e jo në Çermenikë, ata nuk i japin përgjigje ose thonë se këtë festim e sollën malësorët e Çermenikës që populluan fushat rreth Kalasë së Elbasanit 100 – 200 vjet më parë!? Duhet të sqarojmë se hinterlandi rreth e përqark Kalasë së Elbasanit ka qenë i populluar me banorë vendas që para pushtimit osman. Sipas regjistrave osmanë për popullsinë të vitit 1491 sanxhaku i Elbasanit ishte më i populluari nga gjithë sanxhaqet e territoreve europiane të pushtuara (Rumelia), (“Shqiptarët dhe trojet e tyre”, M. Tërnava, fq. 481, referuar B. Hrabak, “Poljoprivredna proizvodnja…” 36), çka na bën të besojmë se popullsia e Elbasanit ka qenë aty, e shpërndarë e nuk erdhi nga askundi. Pas rindërtimit të kalasë në vitin 1466 kjo popullsi u shtua me ardhës nga krahinat përqark për shkak të zhvilimit të jetës urbane aty (zejtaria, tregtia etj). Gjithashtu, nuk shpjegohet pse çermenikasit na e paskan sjellë në Elbasan këtë traditë dhe vetë më nuk e festojnë!

Në funksion të shkrimeve të tyre këta autorë sjellin shpjegime për vende dhe toponime mbi mitin e Zanës në fshatrat e Librazhdit të sotëm si, Kuturman, Tokëz, Dorëz, Gizavesh dhe zona ku bashkohet përroi i Rrapunit me lumin Shkumbin në Librazhd, por që këta fshatra nuk bëjnë pjesë në krahinën e Çermenikës. Edhe vetë krahina e Çermenikës me fshatrat Funars, Zdrajsh, Filoq, Gurakuq, Orenjë etj. nuk bën pjesë në Kandavi. Makrotoponimi antik Kandavia (Kunavia apo Candaviens), përfaqson një unitet territorial që zë fill në zonat malore nga Liqeni i Ohrit për të vijuar në  malësinë midis lumenjve Shkumbin dhe Devoll (Qafë-Thanë, Mokërr, Qukës, Bërzeshtë, Polis, Shpati etj). Pra, mendoj që është e pakuptimtë të thuhet në të njëjtën kohë Zana e Çermenikës dhe Diana (Zana) e Kandavisë.

Duhet theksuar se miti i Zanës tek shqiptarët, ishte prezent edhe tek romakët me Dianën, tek helenët me Artemisën, tek persët me Ishtar etj. Por, për ne shqiptarët ky mit dhe festimi me adhurime në formën më të larmishme është i prekshëm e ruhet ende i gjallë vetëm në Elbasan, ndërsa tek të tjerët ka mbetur si rudiment i gojëdhanave. Fakti që pothuajse në të gjithë shkrimet për hyjneshën Zana dhe Ditën e Verës nga autorë të ndryshëm nuk përmendet madhështia që elbasanasit e ruajtën fort si një gjë të çmuar këtë festë, na çudit dhe na xhelozon me xhelozinë e tyre. Dita e Verës është ndoshta i vetmi festim pagan që ka mbijetuar për bukuri vetëm në këtë zonë. Prushi ruhet i pa shuar nën hí vetëm në vatrën ku ka qenë i ndezuar zjarri.
Në shkrimet e autorëve të ndryshëm mbi mitin e Zanës dhe Ditën e Verës thirren në ndihmë historianë, krijues e gjuhëtarë të nderuar të cilët mbështeten në hamendësime dhe interpretime gjuhësore e historike, por që nuk e përmendin asnjë herë të vetme të vetmit dokument autentik siç është Tabela Peutingeriana që përcakton bindshëm vendodhjen e tempullit të Zanës. Kësaj i referohet Eqerem Çabej i cili që në vitin 1942, cilëson në revistën kulturore “Hylli I Dritës” se “…“m’u n’afërsi të Partinëvet, Kandavët kishin një tempull aq të rëndësishëm të Dianës, që ndodhet mbi rrugën Egnatia përbri shtegut në Lindje të Scampas (Elbasanit).”
Kjo është fare e kuptueshme për cilindo, që tempulli i kësaj hyjneshe apo perëndeshe, Zanës (së cilës romakët i dhanë formën e tyre Diana), ka qenë i pranishëm pranë Elbasanit, pikërisht në vendin e quajtur Rrapi i Mansit apo Ledhja e Madhe e dikurshme. Ky vend ndodhet, në lindje të Elbasanit dhe mbi rrugën e sotme automobilistike e cila është mbishtresëzim i udhës antike Egnatia, vend të cilin elbasanasit e adhurojnë ende sot. Gjithashtu, duhet të kemi parasysh që fiset antike ilire të Partinëve e Kandavëve takoheshin mu në luginën e rrjedhës së mesme të lumit Shkumbin, pra në Elbasan. Ndërsa udha antike Egnatia nuk ka kaluar asnjëherë nëpër Çermenikë.

Megjithatë, unë besoj se miti i Zanës është festuar edhe në Çermenikë, Polis dhe Shpat apo edhe në vende të tjera të Ilirisë antike (Dukagjin: – t’shitoftë Zana!), por gjithashtu besoj se jo rastësisht kreu i këtij zinxhiri festimesh, adhurimesh dhe nderimesh të hyjneshës Zana dhe Ditës së Verës, u ruajtën me kaq fanatizëm vetëm në Elbasan.

Përgatiti: B. Dylgjeri, Elbasan, Mars 2016.