Elbasani njihet në opinionin kombëtar për arsimin dhe muzikantët e saj të hershëm.

Ndjesitë e holla muzikore të shpirtit qytetar elbasanas kulmuan në fillim të shekullit të kaluar me formimin e bandës “Afërdita”, e cila me shumë dinjitet qe e pranishme në shpalljen e Pavarësisë më 1912. Tradita tashmë e formuar vazhdoi rrugën e saj të suksesshme. Pas viteve ’30 u shqua një kastë muzikantësh ku bie në sy Sul Gjevori, Adem Jahja, Baki Kongoli, Mit’hat Stringa, etj.

Pikërisht në këtë kohë, një adoleshent i qytetit tonë rastësisht bie në kontakt me një vegël të rrallë për atë kohë e që gjithë jetës nuk do t’i ndahej. Djaloshi i ri, Hamit Kusi, edhe pse punonte çirak tek daja e vet për të nxjerrë bukën e gojës, gjente kohë, falë pasionit të tij, të mësonte trompën me ndihmën e një italiani që e njohu rastësisht, por më shumë studioi si autodidakt. Falë vullnetit e pasionit për muzikën, pse jo dhe talentit, i riu Hamit Kusi dhe trompa u bënë një. Me çlirimin e Tiranës, ai mori pjesë me bandën e cila luajti disa marshe.

Pas lufte, Hamitin, qëmtuesi i palodhur i talenteve të spikatur, “Artisti i Popullit” Gaqo Avrazi, e inkuadroi në Ansamblin e atëhershëm të Ushtrisë si trompist i parë i këtij ansambli, ku ai jo vetëm u perfeksionua në trompë, por u ndodh në ambjentin e duhur për të shfaqur vlerat e tij, duke dhënë njëkohësisht një kontribut të shquar.

Vlerësimet e merituara të këtij ansambli në turnetë e ndryshme deri në Azinë e Largët kanë edhe kontributin e Hamit Kusit. Punoi gjatë e me sukses me ansamblin në Tiranë, por ai e kishte mendjen tek Elbasani i tij i dashur. Edhe këmbëngulja e të madhit Avrazi për ta mbajtur në Ansamblin e Ushtrisë nuk pati sukses.

Erdhi në qytetin e tij pranë familjes. Edhe këtu u angazhua në Shtëpinë e Kulturës me trompën e tij, duke bashkëpunuar në orkestrën muzikore nën drejtimin e Mit’hat Stringës, por në mënyrë të veçantë kontribuoi në estradën profesioniste dhe në bandën e qytetit, fillimisht si instrumentist kryesor e më vonë si dirigjent i saj, deri sa u nda nga jeta.

Por zelli e pasioni i Hamitit për trompën, artin e muzikën nuk u fikën asnjëherë, veçse kur zemra e tij pushoi së rrahuri. Si instrumentist Hamiti edukoi dhe mësoi një grup të rinjsh si Gëzim Veliu, Shkëlqim Suparaku, Roland Allaj, etj, që gjithashtu nën drejtimin e tij qenë pjesëtarë të bandës frymore të qytetit.

Në lidhje me pasionin e tij, trompën, ai nuk mund të linte jashtë vëmendjes edhe familjen e tij. Instrumentin e tij të dashur ai ia mësoi njërit prej djemve të tij, Abdylit, i cili e zëvendësoi atë në bandë pas daljes së tij në pension, ku vazhdon të kontribuojë edhe sot. Në respekt të pasionit të babait Hamit, djali i tij trompist , Abdyl po përgatitet t’ia lërë profesionin e trashëguar të birit, Aldit, që studion në Akademinë e Arteve për trompë, duke i lënë atij një trashëgimi tepër të vyer.

Në këtë kuptim familja e thjeshtë qytetare Kusi, ndër tre breza, mund të thuhet se ka pasur si simbol të saj kontributet në bandën muzikore.

Përgatiti H. Zane