Në vitet ’20-30 në Elbasan ka pasur një përpjekje të konsiderueshme për prodhime me linja për duhanin, për orizin, për vajin edhe sapunin. Tregtarë të ndryshëm bënë investime në punishte dhe në fabrika për kto zeje që thamë më sipër. Ishin këto përpjekje të qytetarisë elbasanase jo vetëm për fitime personale, por edhe për zhvillimin e prodhimit në funksion të rritjes së mekanizimit të këtyre prodhimeve.

Kështu në Elbasan pati një punishte të parë të zhveshjes së orizit, pronari i së cilës ishte Vllazëria Delimeta, po ashtu dhe familja Trungu e cila e përmirsoi këtë punë në një fabrikë me makineri më cilësore. Nga ana tjetër në Elbasan u krijua fabrika e vaj-sapunit nga Ibrahim Velencia dhe nga ana tjetër Qazim Çerekja. Fabrika e vaj-sapunit të Ibrahim Velencias, e ndërtuar pranë centralit elektrik të qytetit, ishte në bashkëpunim me një investitor italian.

Gjithashtu në Elbasan në vitet ’20 u formua edhe shoqëria S.A.I.D.E. për përpunimin e duhanit ku kishte shumë aksionerë, të cilët bënë edhe statutin e funksionimit të kësaj ndërmarrje.

Këto hapa që patën zhvillim të dukshëm në kohën e Mbretërisë Shqiptare, ishin tregues i madh i dëshirës dhe përpjekjeve të tregtarëve elbasanas në investime që në fund të fundit i shërbyen qytetit dhe qytetarëve të saj.