Ibrahim Pajenga

Mësuesit elbasanas zenë vend nderi në historinë e arsimit mbarëkombëtar shqiptar. Në rradhë të këtyre mësuesve, bën pjesë edhe Ibrahim Xhemali Berranija.

Ai ka lindur në Elbasan në vitin 1892 në një familje të mesme qytetare elbasanase me ndikime atdhetare. Pasi mbaroi shkollën Qytetase në Elbasan, familja e dërgon në Stamboll të Turqisë për studime të gjuhës turke dhe letërsi për një periudhë 3-vjeçare, të cilat i mbaron me rezultate të mira.

Pasi kthehet në Elbasan, ai ishte një nga ata mësues që iu përgjigjën thirrjes së ministrit të arsimit të kohës, Ernest Koliqi, duke shkuar jashtë trojeve shqiptare për të dhënë mësim në Strugë deri në vitin 1944. Për disa kohë ka qenë drejtues në shkollën Ushtrimore të Elbasanit. Më pas punon si mësues në disa shkolla të qytetit si tek shkolla “Naim Frashëri”, “Ptoleme Xhuvani” dhe në fund në shkollën “Sul Misiri” prej ku edhe doli në pension.

Ai gjithashtu ka qenë një aktivist i shquar i qytetit. Bashkë me disa mësues të tjerë si Faik Haxhiymeri “,  Faik Pajuni (“Mësues i Popullit”)  etj, ka qenë aktor i Teatrit Amator të qytetit të Elbasanit.

Për punë të gjatë, të ndërgjegjshme dhe të palodhur si mësues dhe edukator i brezave të nxënësve që kanë dalë nga puna e tij, në vitin 1956 Presidiumi i Kuvendit Popullor i RPSH e dekori me titullin “Mësonjës i Merituar”.

Dekorata e Mësuesit Ibrahim Berranija

Për profesionalizmin e tij flisnin edhe gazetat e kohës. Ka edhe një foto të ATSH (Agjensia Telegrafike Shqiptare) ku jepet mësuesit Ibrahim Berranija, që edhe pse në moshë të vjetër, vazhdonte të jepte mësim në klasën e 3-të duke mbetur në kujtesën e nxënësve si një mëuseas i dalluar i shkollës “Sulë Misiri”. Nga kujtimet e kolegëve të tij, thuhej se ai kujdesej që nxënësit të përvetësonin mirë programin dhe të kenë sjellje shembullore si në shkollë, ashtu edhe në shoqëri.

Foto e ATSH: Mësuesi Ibrahim Berranija duke ndihmuar nxënësen e klasës së 3 të Arta Neziri në shkollën Sulë Misiri.

Ka qenë i martuar me zonjën Sabire Berranija (Pajenga) e cila ishte vajza  e tregtarit Ibrahim Pajenga. Ndërroi jetë në vitin 1963 në moshën në moshën 71 vjeçare. Për fatin e keq, çifti Berranija nuk pati fëmijë, prandaj ky mbiemër nuk ekziston më në Elbasan.

Ibrahim Berranija ka pasur një vëlla, Ismailin, i cili u martua në Shkodër me zonjën Nafije Ulqinaku, me të cilën lindi një djalë, Xhemalin dhe që mban mbiemrin Ulqinaku dhe që jeton në Shkodër.

Aktiviteti si mësues i Ibrahim Berranisë është nderuar edhe nga normalistët e Elbasanit.