Ibrahim Çoçoli bamirësi nga Elbasani që dha paratë për ndërtimin e bibliotekës Vullnetari sot biblioteka e Universitetit A. Xhuvani, Elbasan, Arkivi Digjital Elbasan

Ibrahim Çoçoli bamirësi nga Elbasani që dha paratë për ndërtimin e bibliotekës Vullnetari sot biblioteka e Universitetit A. Xhuvani

Në vitin 1975 u ndërtua në lagjen “Vullnetari” një goxha bibliotekë e re për qytetarët elbasanas. Një dhuratë e bukur kjo e kohës për të gjitha moshat që admirojnë librin. Por, pak vetë e dinë që paratë për ndërtimin e kësaj biblioteke i ka dhënë një elbasanas zemërmadh që jetonte jashtë vendit. Ëndrra e tij ishte që me paratë e fituara të ndërtonte një bibliotekë në zonën e Rrugës së Rrapit në Elbasan ku ai kishte shtëpinë e prindërve dhe kjo bibliotekë të mbante emrin e tij.
Ky njeri me me shpirtin bujar ishte Ibrahim Çoçoli. Që në moshë fare të re 17 vjeç emigroi në SHBA. Ishte ndër elbasanasit e rrallë që emigronte në ato kohëra. Punoi pa i bërë bisht punës në profesione të ndryshme dhe arriti të fitojë pasuri. Kthehet në vitin 1937 në vendlindjen e tij Elbasan dhe qëndroi për dy vite. Pak para pushtimit italian të vendit riniset përsëri në SHBA për të mos u kthyer më kurrë. Vendoset në Detroit dhe me paratë e fituara blen një hotel 10-katësh të cilin e drejton vetë. Ishte pjesë e fatit të tij që Ibrahimi nuk u martua dhe nuk la pas trashëgimtarë, por la testament që pas vdekjes gjithë pasuria e tij të konvertohej në dollarë amerikanë e të përdorej për të plotësuar ëndrrën e tij të vjetër, ndërtimin e bibliotekës në Elbasan me emrin e tij dhe që ajo të ngelet për jetë e mot një pasuri publike. Asgjë më shumë. Pushtetarët e kohës kontaktuan me të afërmit e Ibrahimit në Elbasan dhe u thanë atyre që bëhet fjalë vetëm për 40.000 $, u kërkuan atyre firmosjen e dokumentacionit përkatës që të lëvroheshin paratë nga banka amerikane ku ishin depozituar dhe ….heshtjen për këtë ndodhi. Dhe kështu, biblioteka u ndërtua e iu vendos një pllakatë me emrin e bamirësit Ibrahim Çoçoli. Pllakata qëndroi vetëm dy javë, u bënë disa fotografi për t’u dërguar në Amerikë dhe pastaj befas me një urdhër të fshehtë dhe absurd të drejtuesve të pushtetit u hoq prej aty dhe u hodh tutje!? Ende sot pas afro 40 vjetësh kjo bibliotekë në lagjen “Vullnetari” është pa emër, (ndoshta nga që askush nuk e meriton emrin aty përveç bamirësit).
Ka pasur një traditë të bukur në Elbasan për vepra bamirësie. Qytetarë të ndryshëm dhuronin pa asnjë kusht krejt pasurinë ose pjesë të saj për njerëzit në nevojë, për ndërtimin e veprave publike, për rritjen dhe shkollimin e jetimëve në shtëpitë e tyre ose dërgimin e këtyre fëmijëve në shkolla jashtë vendit, shlyenin pagesën e krejt shpenzimeve të martesës për vajza të varfëra etj. Kështu, familja Baholli i dhuroi qytetit në vitin 1935 bibliotekën e parë bashkë me mijra volume librash. Më herët, fisi Çiftja kishte investuar nga pasuria familjare rindërtimin e urës së Zaranikës pas dëmtimeve që pësoi ajo nga Lufta -I- Botërore, mungesa e së cilës kishte shkaktuar shumë fatkeqsi ndër udhëtarë të ndryshëm. Po kështu, qytetari Rrapush Demeti një personalitet me mjaft aktivitet patriotik dhe arsimor në Elbasan (fatkeqsisht pak i njohur) që fati nuk e gëzoi me familje dhe fëmijë, i dhuroi shtetit shtëpinë e tij 2-katëshe me arkitekturë karakteristike popullore, si dhe krejt pasurinë e tij për ndërtimin e një shkolle. Edhe Rarapush Demeti la amanet që mundësisht ajo të mbante emrin e tij (shkolla u ndërtua, por me emër tjetër dhe jo të tijin fill pas çlirimit në bahçen e fisit Karaj, që ndodhet në lagjen “Karavelije” – sot “Partizani”).

 

Përgatiti: Bukurosh Dylgjeri , Elbasan, shkurt 2014